E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Kushtetuta e Kosovës, ngjarje historike për paqen

Miratimi i Kushtetutës së shtetit më të ri në botë, Kosovës, është pritur me një vëmendje të veçantë nga Tirana zyrtare. Qeveria e Republikës së Shqipërisë ka përshëndetur hyrjen në fuqi të kësaj Kushtetute, duke e cilësuar si një garanci për paqen dhe stabilitetin në të gjithë Ballkanin. Nëpërmjet një deklarate të posaçme për shtyp, zëdhënësja e Kryeministrit Sali Berisha, cilëson miratimin e kësaj Kushtetute si një bazë shumë të fortë për demokraci dhe pavarësi të Kosovës. “Kryetari i Këshillit të Ministrave, prof. dr. Sali Berisha, përshëndet hyrjen në fuqi sot më 15 qershor 2008, të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Kushtetutës më të re të kontinentit evropian, si një ngjarje historike për qytetarët e Republikës së Kosovës dhe për paqen dhe stabilitetin në rajon”, - tha Juela Meçani. Sipas zëdhënëses, kjo Kushtetutë është mirëpritur me interes të veçantë nga qeveria shqiptare, në një nga momentet tepër të rëndësishme të shtetit kosovar, kur autoritetet vendase do të marrin në dorë vetëqeverisjen.

Reagimi

Ka mjaftuar njoftimi zyrtar nga Kosova si dhe nënshkrimi i neneve të Kushtetutës më të re të botës, që të reagojë edhe Tirana zyrtare. "Kushtetuta e Republikës së Kosovës përbën një bazë të fortë për një Kosovë të pavarur demokratike, në të cilën respektohen plotësisht parimet themelore të demokracisë dhe të shtetit ligjor, respektohen plotësisht të drejtat dhe liritë e minoriteteve si dhe parimet e ekonomisë së tregut të lirë. Kushtetuta e Republikës së Kosovës është gjithashtu një dokument i rëndësishëm i bashkëpunimit të shtetit të pavarur të Kosovës me vendet e rajonit dhe institucionet ndërkombëtare si dhe për integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe në NATO”, - u cilësua Kushtetuta e Kosovës nga zëdhënësja e Kryeministrit Berisha.

Kushtetuta

Dokumenti themeltar i shtetit të Kosovës përmban të gjitha elementet e një shteti modern demokratik me specifikat e realitetit në Kosovë. Kushtetuta garanton demokracisë, zgjedhjet e lira, respektimin e etnive të ndryshme si dhe decentralizimin dhe pavarësinë e pushteteve. Nga shpallja e pavarësisë së Kosovës u deshën 119 ditë që Kosova të plotësojë edhe elemente të tjera identifikuese si flamuri, stema dhe himni. Tashmë, shteti më i ri në botë ka dhe Kushtetutën e parë. Kjo Kushtetutë e përcakton Republikën e Kosovës shtet të pavarur, unik dhe të pandashëm. Me 14 kapituj dhe me 162 nene, në Kushtetutë thuhet se Republika e Kosovës nuk ka pretendime territoriale ndaj asnjë shteti apo pjese të ndonjë shteti dhe nuk do të kërkojë të bashkohet me asnjë shtet apo pjesë të ndonjë shteti. Kosova do të jetë Republikë Parlamentare me elemente të sistemit presidencial, ku Presidenti do të ketë kompetencat për të qenë komandant suprem i forcës së ardhshme të sigurisë së Kosovës. Hyrja në fuqi e Kushtetutës së Republikës së Kosovës është cilësuar si një vendim historik nga kryediplomati evropian Havier Solana, ndërkohë që për shefin e EULEX-it ky proces konsiderohet si fundi i periudhës së tranzicionit, madje ai beson se pas misionit të ardhshëm civil ndërkombëtar EULEX do të shtrihet në të gjithë territorin e Kosovës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›