PLL: Kodi Zgjedhor, brenda këtij sesioni parlamentar
Partia Lëvizja e Legalitetit kërkoi dje miratimin e Kodit të ri Elektoral brenda këtij sesioni parlamentar, gjë që do të ndihmojë në përgatitjen e infrastrukturës zgjedhore. Komiteti Drejtues i PLL-së, i mbledhur dje diskutoi mbi ecurinë e fushatës zgjedhore në degët lokale të partisë, si dhe programin e saj, në funksion të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009. Në këtë kuadër, kryetari i PLL-së, Ekrem Spahia, rikonfirmoi qëndrimin e kësaj partie për realizimin e zgjedhjeve të lira, të ndershme dhe me shanse të barabarta për të gjithë konkurruesit. "Eliminimi i fenomenit të Dushkut, krijimi i regjistrit të saktë kombëtar të votuesve, pajisja e shtetasve me karta identiteti, menaxhimi i procesit zgjedhor nga komisionerë jopartiakë, krijimi i mundësisë që mërgata e vjetër dhe emigracioni i ri të ushtrojnë të drejtën e votës, janë çështje shumë të rëndësishme që duhet të jenë në qendër të diskutimit para hartimit dhe miratimit të Kodit Zgjedhor", - u shpreh kryetari Spahia. Ai risolli në vëmendje nevojën që me ligjin e ri zgjedhor të krijohet një rajon i veçantë elektoral për të gjithë shqiptarët e diasporës, ku kandidatët për deputetë të këtij rajoni të jenë nga radhët e emigracionit".