Kosova miraton Kushtetutën, fiton vetëqeverisjen
Shteti më i ri në botë, Kosova, tashmë do të vetëqeveriset nga vetë qytetarët shqiptarë atje, me të zgjedhurit e tyre direkt. Parlamenti i Kosovës ka miratuar Kushtetutën e Kosovës, ku më pas Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, i ka paraqitur për nënshkrim nenet e saj Presidentit Fatmir Sejdiu. Përpara kreut të EULEX-it, Pieter Faith, në Kosovë, Sejdiu ka nënshkruar Kushtetutën e cila garanton vetëqeverisjen e shtetit kosovar, natyrisht me mbështetjen e afërt të përfaqësisë ndërkombëtare. Në ditën e hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Presidenti Fatmir Sejdiu ka dekretuar 41 ligje që dalin si obligim nga propozimi gjithëpërfshirës i Presidentit Ahtisari. Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, Kryeministri Hashim Thaçi dhe Presidenti Fatmir Sejdiu, i deklaruan popullit shqiptar në Kosovë se tashmë filloi një e ardhme konkrete për Kosovën shtet. "Është një moment historik për Kosovën, edhe koha e miratimit të Kushtetutës si veprimi më i rëndësishëm pas shpalljes së pavarësisë, dhe hyrja e saj në fuqi sot, që shënon njëkohësisht edhe përmbylljen e ciklit shtetformues të Kosovës. Në këtë kuadër edhe nënshkrimi i ligjeve është pjesë e përmbushjes së zotimit të institucioneve për kahet dhe zhvillimet që ato do të punojnë dhe një mesazh i fuqishëm për bashkësinë ndërkombëtare dhe BE-në se Kosova është një vend demokratik që ka akseptuar dhe do të kultivojë vlerat dhe standardet më të larta ndërkombëtare dhe si qasje themelore të vetën e ka që Kosova demokratike të jetë e të gjithë qytetarëve, edhe e shumicës, edhe e pakicave dhe se Kosova e ka interes vital ecjen e saj në integrimet euroatlantike", - u shpreh Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu. Gjatë paraqitjes së ceremonisë së posaçme, kreu i Kuvendit kosovar, Krasniqi, u shpreh se pakoja e Ahtisarit është respektuar nga Kuvendi i Kosovës. "Ne kemi miratuar pas shpalljes së pavarësisë pakon e ligjeve që dalin nga dokumenti gjithëpërfshirës i Presidentit Ahtisaari, ligjet që janë të lidhura me këtë pako, e që janë gjithsej 41 ligje të cilat janë miratuar nga Kuvendi dhe presin nënshkrimin tuaj dhe botimin në gazetën zyrtare", - deklaroi Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasnqi. Me hyrjen në fuqi të Kushtetutës të gjitha kompetencat e rezervuara deri tani për Shefin e UNMIK-ut kanë kaluar tek institucionet e Kosovës, me përjashtim të fushave që kanë të bëjnë me policinë dhe drejtësinë për të cilat gjatë një periudhe dyvjeçare do të kujdeset misioni i Bashkimit Evropian EULEX, i cili pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës, pritet të nisë punën e tij së shpejti.