E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhje në Maqedoni, incidente minimale, pjesëmarrje e lartë

Maqedonia ka zhvilluar ditën e djeshme përsëritjen e zgjedhjeve të përgjithshme në disa zona të cilat u përfshinë nga incidentet dy javë më parë. Situata në këto zgjedhje është paraqitur e qetë me disa incidente minimale. Media lokale kanë raportuar mbi të gjithë procesin e votimit. Pjesëmarrja në këto zgjedhje ka qenë tepër e lartë dhe kjo është interpretuar si një besim në demokraci dhe prosperitet që kërkojnë shqiptarët në Maqedoni. Faktori ndërkombëtar në Maqedoni ka reaguar gjatë gjithë ditës së djeshme. Ata kanë bërë thirrje për qetësi si dhe kanë vlerësuar situatën pavarësisht incidenteve minimale. Monitorimi i këtyre zgjedhjeve të pjesshme në Maqedoni ka qenë maksimal nga të gjitha strukturat shtetërore, ndërkombëtare dhe joqeveritare. “Ne jemi këtu në Çellopek. Këtë mëngjes isha në Rashçe në 6 e 30 minuta që të shohim se si do të hapen vendvotimet. Në të gjitha vendet ku kam qenë, gjithçka është e qetë, ka një prezencë të madhe të policisë, e cila u ofron siguri qytetarëve për të votuar pa presione. Shpresojmë se kjo atmosferë e qetë do të vazhdojë deri në fund të ditës, pasi që është e rëndësishme që të gjithë qytetarët që dëshirojnë të votojnë, ta bëjnë këtë duke qenë të sigurt se nuk do të ketë kërcënime mbi sigurinë e tyre, ashtu si më një qershor. Më duhet të them se komisionet komunale zgjedhore po kryejnë punën e tyre shumë mirë dhe gjithashtu pjesëmarrja e votuesve është më e madhe sesa më një qershor”, - tha ambasadori i BE-së në Maqedoni, Ervan Fuere. Ambasadori i BE-së foli edhe për incidentet në këtë proces zgjedhor. “Kam informacione se në disa vendvotime në Tetovë ishte vjedhur materiali votues, por të shpresojmë se këto janë incidente të izoluara. Shpresoj se nuk do të kemi asnjë incident të dhunës, pasi ato do të ishin mesazhet më të këqija që mund të dërgoheshin nga vendi juaj”, - tha më tej Fuere. Ambasadorja e SHBA-së, Xhilijan Millovanoviç, tha se në përgjithësi procesi i votimit ka qenë pa incidente. “Deri më tani nga ajo që kam monitoruar, mund të them se ka më pak dhunë, më pak njerëz me armë që frikësojnë popullsinë, kam parë një numër të madh të të rinjve, por që e kanë mbajtur distancën. Mund të them se policia po bën një punë të mirë e po përpiqet që të mbajë situatën nën kontroll. Mendoj se prezenca e madhe e forcave policore të armatosura, edhe pse me keqardhje them, se ishte e nevojshme, po e kryen punën shumë mirë. Gjërat që personalisht kam vënë re si probleme kanë të bëjnë me disa burra që erdhën me një grup grash për të votuar për to. Nuk më duket se është një rast i lidhjeve familjare. Mendoj se është një rast organizimi nga partitë politike që të sjellë gratë brenda dhe të ketë një person nga ajo parti politike që të votojë për to, ose të sigurohet se ato votojnë në mënyrë të veçantë. Kjo nuk është gjë e mirë”, - tha ambasadorja e SHBA-së, Xhilijan Millovanoviç.

Policia maqedonase arreston 11 persona që akuzohen për incidentet

Policia ka arrestuar Ruzhdi Demirin nga fshati Çegran i Gostivarit për pamundësim të procesit zgjedhor më një qershor. Të tjerët dyshohen për votim disa herë apo tentime për krijimin e incidenteve. Të arrestuarit e tjerë si Islam Murtezani, Elez Bislimi, Muzafer Pajaziti nga Sedllareva të moshës 18 deri në 57 vjeç kanë hedhur dhjetëra fletëvotime në kuti. Pesë persona të tjerë; katër nga Kumanova dhe një nga Tetova janë arrestuar nën dyshimin se janë përgatitur për krijimin e incidenteve në vendvotime. “Kanë lëvizur nëpër fshatrat e rajonit të Likovës, ndërsa të njëjtët janë të njohur si autorë të më shumë veprave penale. Kanë ekzistuar dyshime të caktuara se personat do të mund të prishin procesin zgjedhor në vendet ku rivotohet. Përveç atyre në biseda zyrtare në policinë e Tetovës është arrestuar edhe një person, ndërsa aksioni është realizuar në një internet kafe karshi shkollës bujqësore”, - tha zëdhënësi i policisë Ivo Kotevski. Policia është në kërkim edhe të dy personave, Natmir Zylbeharit nga fshati Neproshten pasi ka votuar dy herë dhe Ismet Fetai nga Zhelina për të cilin të dhënat e policisë flasin se ka vjedhur fletëvotime.

Në 119 qendra votimi, ecuria e zgjedhjeve, pa probleme

Në njësinë e 6-të zgjedhore në 119 vendvotime ku është duke u rivotuar, të drejtë vote kanë mbi 100 mijë votues. Procesi i rivotimit në njësinë e 6-të zgjedhore, përfshirë komunat e Tetovës dhe Gostivarit, ka rrjedhur pa probleme të mëdha, edhe pse nga gjithsej 119 vendvotime, vetëm tri nuk janë hapur në Reçicë të Madhe, për shkak se gjatë natës persona të panjohur kanë vjedhur materialin zgjedhor. Në këtë fshat procesi i rivotimit ka vazhduar vetëm në një vendvotim, edhe pse ai ka filluar me vonesë. “Procesi i votimit tani për tani rrjedh normalisht, përveçse që ka filluar me vonesë pak, për shkak se në zyrën në të cilën dje kishim vendosur materialet zgjedhore ishin të demoluara dhe faktikisht mungonte një pjesë e materialeve zgjedhore. Për këtë u informua policia dhe Komisioni Komunal i Zgjedhjeve, të cilët erdhën në vendin e ngjarjes dhe bënë hetimin në vend. Ata konstatuan se materiali zgjedhor për vendvotimin 9088 në të cilën momentalisht ne gjendemi, nuk është i prekur, ndaj edhe na rekomanduan që ne zgjedhjet t’i vazhdojmë me vonesë dhe procesi i votimit të vazhdojë për aq sa është vonuar. Vendvotimet në të cilat është vjedhur materiali zgjedhor, sot nuk janë hapur fare”, - tha kryetari i Këshillit Zgjedhor në Reçicë të Madhe, Jetmir Neziri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›