E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria e Financave dorëzon sot në qeveri tri drafte për faljen e borxheve

Ministria e Financave do të dorëzojë sot në kabinetin qeveritar tri drafte ligjore dhe projektvendimesh për faljen e borxheve fiskale ndaj bizneseve problematike. Burime nga Ministria e Financave bëjnë të ditur se tashmë, nëpërmjet këtyre drafteve, do të ketë një lirshmëri tepër të lartë për biznesin si dhe një frymëmarrje për shumë biznese të cilat kanë krijuar në vite borxh të lartë ndaj shtetit. Aktualisht, biznesi privat ka rreth 500 milionë dollarë borxh nga shtetit, një shifër e barabartë sa për 15 për qind të buxhetit të një viti ose të rreth 500 kilometrave autostradë, në rast se do të investoheshin të gjitha në rrugë. “Nuk është fjala për falje borxhi për bizneset në tërësi, por për disa detyrime të prapambetura dhe të pashlyera. Çdo gjë ende është në fazën fillestare. Ne po punojmë për t’i dhënë formën draftit dhe për të përcaktuar cilët debitorë do të falen. Deri tani janë katër variante që po diskutohen dhe ne ende s’e kemi përcaktuar cili prej tyre do të jetë ai përfundimtar”, - ka thënë për “standard” pak ditë më parë zëvendësministri i Financave, Florjon Mima. Sipas kësaj ministrie, një grup pune po punon në drejtim të krijimit të një drafti, pasi shumë biznese kanë punuar në të zezë dhe u janë shmangur taksave. Burime zyrtare të kësaj ministrie bënë të ditur se drafti, i cili ka të bëjë me borxhet e këqija, synon amnistinë fiskale për një grup të konsideruar biznesi, ku përfshihen bizneset me borxhet e këqija që s’kanë bërë krime, si dhe ata të pagjeturit. Pranë organeve të tatimeve ka borxhe të akumuluara prej më shumë se dhjetë vjetësh.

Rama: Programi qeverisës në bashkëpunim me qytetarët

Kryetari i PS-së, Edi Rama, deklaroi dje që nga Korça se hartimi i një programi të ri, duhet të jetë instrumenti qeverisës i hartuar nga vetë shqiptarët, në qytet dhe në fshat. Sekretari rajonal i qarkut, Alfred Dalipi dhe deputetët Majko e Blushi, duke dëgjuar dhe bashkëbiseduar me banorët, kanë vënë theksin tek fakti se idetë dhe sugjerimet e atyre që jetojnë në fshat çdo ditë me tokën, janë mjaft të rëndësishme për programin që po harton PS-ja. Kryetari i PS-së, Rama, ka ironizuar qeveritarët që flasin shumë për integrimin, por realisht bëjnë pak për një Shqipëri të vërtetë evropiane. “Duhet të bëhemi bashkë dhe të lëmë mënjanë paragjykimet”, - u shpreh Rama në këtë takim në Podgorie - kjo në mënyrë që partitë të fillojnë të mendojnë për hallet e qytetarët”. Bashkëbisedimi me banorët e fshatit Podgorie ishte dhe takimi i fundit i zhvilluar për qarkun e Korçës, ku në harkun e disa ditëve u zhvilluan dialogje për bujqësinë në mbi 10 fshatra të këtij qarku. “Shqipëria e sotme nuk është fryt i talentit, i zgjuarsisë, energjive pozitive të popullit tonë, por është rezultat i një politike të vjetër, e kthyer me kurriz nga njerëzit. Është rezultat i një politike që nuk ka pasur kurajën për të dëgjuar njerëzit, teksa nuk ka gjetur rrugët për t’u shërbyer njerëzve dhe për t’i shërbyer aspiratës së shqiptarëve për zhvillim, sepse edhe kur ka dashur, nuk ka ditur”, - deklaroi më tej kryetari i PS-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›