E Diel, 1 Nëntor 2026

Opozita në Kuvend, votë për Mediun, debat për dekretet

Parlamenti pritet që në seancën e sotme t’i japë “OK” kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme për heqjen e imunitetit të ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu. Mazhoranca parlamentare ka treguar vullnet politik për ta miratuar atë, ndërsa mbetet ende në pikëpyetje panorama e pranisë së partive politike të majta. Kjo, pas paralajmërimit të bërë nga grupi parlamentar i PS-së seancën e shkuar që kushtëzoi pjesëmarrjen e mëtejshme në Kuvend derisa Parlamenti të votojë dekretet e Presidentit për anëtarët e Gjykatës e Lartë. Duke qenë se bojkoti nuk është një vendim zyrtar dhe përfundimtar i Partisë Socialiste, burime nga kjo partia konfirmojnë se çështja e pjesëmarrjes së deputetëve në seancë ose jo do të merret sot gjatë mbledhjes së radhës së grupit parlamentar. Gjasat janë që PS-ja të shkojë në Kuvend dhe të japë votën pro imunitetit të Mediut, duke iu rikthyer sërish debatit për dekretet e Presidentit. Pjesa tjetër e opozitës, edhe pse ndan të njëjtin qëndrim për dekretet e Presidentit, nuk e kushtëzon pjesëmarrjen e saj në seancën e sotme parlamentare. Kryetari i grupit parlamentar të LSI-PDS-së, Pëllumb Xhufi, deklaroi dje se deputetët e këtij grupi dhe aleatët e saj do të jenë sot në Kuvend për të votuar pro heqjes së imunitetit të Mediut, duke kërkuar që brenda kësaj seance të votohen edhe dekretet e Presidentit. “Ne, sigurisht që do të jemi aty për të dhënë edhe votën tonë në favor të heqjes së këtij imuniteti dhe për të kërkuar me forcë dhe vendosmëri, futjen po atë ditë, të hënën e seancës plenare, në rendin e ditës dhe në votim, të dekreteve të Presidentit të Republikës për Gjykatën e Lartë, të cilat po zvarriten në mënyrë të qëllimtë”, - tha Xhufi. Vetëm nëse një gjë e tillë nuk ndodh, Xhufi paralajmëron largimin në salla. “Megjithatë, këto janë vendime që do të merren sot, në takimet dhe mbledhjen që do të kemi me gjithë shokët dhe kolegët si dhe në varësi të zhvillimeve që mund të ketë dita e sotme, edhe në aspektin e axhendës që do të fiksohet për të hënën nga Kuvendi i Shqipërisë, axhendë e cila akoma nuk është fiksuar”, - shtoi ai.

Bojkoti

Seanca e fundit parlamentare shënoi një tjetër përplasje pozitë-opozitë duke çuar në largimin e kësaj të fundit nga salla. Çështja e dekreteve të Presidentit është bërë molla e sherrit mes palëve. Edhe pse socialistët kushtëzuan pjesëmarrjen e mëtejshme të tyre në Kuvend me dekretet e Presidentit, imuniteti i Mediut që do të votohet sot në Kuvend, thyen bojkotin e paralajmëruar nga ajo. Që prej dy muajsh, kur Prokuroria ka kërkuar heqjen e imunitetit të Mediut, PS-ja ka bërë kërkesa të vazhdueshme që procedurat që ndiqen nga Kuvendi për këtë rast të mbaronin sa më shpejt dhe t;i jepej mundësia Prokurorisë që të hetojë më hollësishëm ngjarjen tragjike të 15 marsit në Gërdec.

Madje, duke parë se koha që iu desh Kuvendit të arrinte në këtë vendim, PS-ja kërcënoi Kryetaren e Kuvendit me një mocion kundër saj, duke e akuzuar se ka zvarritur qëllimisht procedurat për heqjen e imunitetit të ish-ministrit. Mungesa në seancën e sotme do të ishte në vijë të kundërt me qëndrimet e PS-së në lidhje me ngjarjen e Gërdecit.

Prokurori-Kuvend, përplasjet për imunitetin e Mediut

Prokuroria e Përgjithshme dorëzoi kërkesën për heqjen e imunitet të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediut, në fund të muajit prill. Pak ditë më vonë, Kuvendi hapi procedurat për heqjen e imunitetit të kryetarit të PR-së. Për të qenë më të bindur, Këshilli i Mandateve kërkoi materiale shtesë nga Prokuroria që provonin se akuzat e saj që e lidhnin Mediun me ngjarjen e Gërdecit ishin të vërteta. Pak ditë më vonë, një dosje me gati një mijë faqe e dorëzuar në Kuvend, shkaktoi përplasje mes këtyre dy institucioneve. Kjo, sepse, Prokuroria bashkë me materialin shumë faqesh dorëzoi një kërkesë ku u thuhej deputetëve se nuk mund të bënin të ditur asgjë prej dosjes sepse ishte sekrete. Një ditë më vonë anëtarët e Këshillit vlerësuan se dosja nuk kishte asnjë sekret dhe që nuk ishte e njohur më parë. Më pas, Këshilli i dha të drejtë ish-ministrit që të jepte faktet e veta përpara akuzave të Prokurorisë. Gjatë kësaj mbledhjeje, Mediu deklaroi se ishte i gatshëm që të linte menjëherë mandatin e tij, por akuzat e Prokurorisë ndaj tij nuk ishin bindëse. Mediu solli të tjera materiale voluminoze mbi ngjarjen e Gërdecit, pesëfishin e Prokurorisë dhe kjo i detyroi anëtarët e Këshillit të kërkonin tjetër material nga Prokuroria. Pas dorëzimit të këtij materiali, Këshilli ra dakord që sot të përpilojë një raport-dokument përfundimtar, i cili do të hidhet për votim në seancë. Gjithsesi, pavarësisht se opozita e ka shprehur mendimin e saj duke e konsideruar ish-ministrin si një prej fajtorëve të ngjarjes së Gërdecit, në fund mazhoranca deklaroi se imuniteti i Mediut po hiqet sepse ka vullnet politik dhe jo sepse Prokuroria arriti t’i bindte me provat e saj kundër Mediut.

Procedurat në seancën parlamentare për heqjen e imunitetit

Neni 18

Shqyrtimi i kërkesës për dhënien e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ose arrestimin e një deputeti vendoset si pikë e parë e rendit të ditës të seancës së dytë pasardhëse, pas paraqitjes së raportit të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin. Në seancë plenare fjala i jepet në fillim deputetit, ndaj të cilit është paraqitur kërkesa, për të dhënë shpjegime ose për t’iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve. Raporti i Këshillit nuk është objekt diskutimi. Kuvendi vendos me votim të fshehtë nëse do të jepet ose do të rrëzohet dhënia e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ndaj deputetit.

5. Procedura e parashikuar në pikat 1, 2, 3 dhe 4 të këtij neni zbatohet edhe në rastin kur kërkohet autorizimi për arrestimin e një deputeti.

6. Në rastin kur Kuvendi nuk merr vendim për dhënien ose mosdhënien e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ose të arrestimit të një deputeti brenda 3 muajve nga data e paraqitjes së kërkesës përkatëse, atëherë kërkesa konsiderohet e rrëzuar nga Kuvendi.

7. Përcaktimet e bëra në këtë nen zbatohen edhe në rastet e dhënies së autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ose për dhënien e autorizimit për arrestimin e anëtarit të Këshillit të Ministrave.

Heqja e imuniteteve, Mediu pritet të jetë numri 7 në histori

Parlamenti shqiptar, gjatë periudhës së ekzistencës së tij në pluralizmin politik, ka pasur jo pak raste kur është detyruar që të votojë për heqje imunitetesh të anëtarëve të vet. Historia fillon me heqjen e imunitetit të Ilir Metës, një nga deputetët e PS-së në vitin 1993, i cili u akuza për ngjarjet në Poliçan. Fatmir Mediu, do të jetë deputeti i shtatë i Kuvendit të cilit do t’i hiqet mbrojtja ligjore që gëzon si përfaqësues i zgjedhur nga vota popullore në organin më të lartë të Republikës Shqiptare.

Historia e heqjes së imuniteteve

Ilir Meta:

I hiqet imuniteti nga grupi parlamentar i PD-së në vitin ‘93 për ngjarjet në Poliçan. I kthehet rishtazi imuniteti, pasi u shpall i pafajshëm.

Arben Lika:

Grupi parlamentar i PD-së i heq imunitetin në vitin ‘95, pas akuzave për korrupsion. Lika arrestohet më pas dhe dënohet me 3 vjet burg.

Azem Hajdari:

Grupi parlamentar i PD-së i heq imunitetin në vitin ‘96, pas akuzës se Hajdari kishte goditur një punonjës të administratës së PD-së.

Gafurr Mazreku:

Grupi parlamentar i PS-së i heq imunitetin në vitin ’97, pas plagosjes në Kuvend nga Mazreku të deputetit Azem Hajdari. Mazreku dënohet nga drejtësia me 8 vite burg për veprën penale të plagosjes.

Sali Berisha:

Grupi parlamentar i PS-së i heq imunitetin kryetarit të PD-së, pas ngjarjeve të 14 shtatorit ‘98. Berisha u akuzua nga PS-ja për tentativë për “grusht shteti”.

Lulzim Basha

Mes një përplasjeje prej orësh, Parlamenti votoi me një shumicë të gjerë votash heqjen e imunitetit të kolegut të tyre, Lulzim Basha. Fundi i kutisë së votimit numëroi 124 deputetët pjesëmarrës nga të cilët 107 votuan pro heqjes së imunitetit të Bashës, 12 kundër, 4 abstenime dhe një votë e pavlefshme.

Fatmir Mediu

Parlamenti pritet që t’i heqë sot imunitetin deputetit dhe kreut republikan, Fatmir Mediu. Ai akuzohet nga Prokuroria për përfshirje në tragjedinë e Gërdecit.

Dështimet për heqjen e imunitetit

Genc Ruli - Rexhep Uka:

Grupi parlamentar i PD-së dështon në vitin ‘95 në përpjekjet për t’i hequr imunitetin dy ish-ministrave të PD-së, Ruli e Uka. Ata akuzoheshin për korrupsion.

Nikoll Lesi:

Grupi parlamentar i PS-së dështon në përpjekjet për t’i hequr imunitetin deputetit Lesi. Ai akuzohej për shpifje nga Prokuroria.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›