E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Kushtetuta s’ndryshon, pasi s’është statut partie

11/08/2011  Në mbledhjen e djeshme kreu i mazhorancës i kthen përgjigje të qartë opozitës

“Qytetarët s’shqetësohen se zgjidhet presidenti me 5/6 apo 7/5, preokupimi i tyre janë vizat”

Kryetari i mazhorancës, Sali Berisha, deklaroi dje qartazi se koalicioni që ai drejton nuk ka ndër mend të bëjë hapa prapa sa u përket ndryshimeve në Kushtetutë të propozuara nga opozita. Kryeministri Berisha ka shfrytëzuar mbledhjen e djeshme të qeverisë për t’i dhënë mesazhin e qartë opozitës se Kushtetuta nuk është një status partie. Me deklaratën e tij Berisha la të kuptohej se ndryshimet e bëra në vitin 2008 në dokumentin themeltar të shtetit në nenin që zgjedh Presidentin e Republikës nuk do të kenë kthim prapa. Sipas tij, pendesa e opozitës për marrëveshjen e vitit 2008, ku mazhoranca e djathtë vendosi të miratojë propozimet e opozitës sa u përket ndryshimeve në Kushtetutë, nuk vlejnë, pasi “opozita nuk ka shfaqur asnjë pendim për tentativat e saj për të bllokuar procesin e liberalizimit të vizave”. Sipas kryeministrit, qytetarët nuk janë të preokupuar nëse Presidenti i ri zgjidhet me 71 apo 84 vota, interesi i tyre është vetëm rritja e rrogave dhe lëvizja e lirë në vendet e Europës.

Deklarata e Berishës

“Ne u bëmë i vetmi vend në Europë në të cilin opozita, që lëvizte vetë me pasaporta diplomatike e që nuk e dinte se çfarë është viza dhe pengimi për të, u ngrit kundër heqjes së tyre. Zhvilloi të gjitha llojet e fushatave për të bllokuar heqjen e vizave për shqiptarët. Është e thjeshtë të shprehësh pendesë se ndryshove nenin për të zgjedhur kreun këtij apo atij institucioni, paçka se i ke sjellë në standardet më optimale europiane dhe të mos shprehësh pendesë se u përpoqe të pengosh çdo qytetar, nënë, baba, motër, vëlla, bashkëshorte e bashkëshort të këtij vendi për të takuar njerëzit e tyre më të dashur, se bërë gjithçka për të mbajtur murin e Shengenit ndaj rinisë shqiptare. Pendesa duhet të fillojë nga kjo dhe jo nga karrigia e këtij apo atij. Problemi është se këtyre 347 mijë shqiptarëve më shumë që kanë dalë këta gjashtë muaj do ishte në dinjitetin e atyre që bënë gjithçka për t’i penguar t’u dërgonin një letër ndjese apo të bënin një ndjesë publike. Qytetarët nuk kanë asnjë preokupim se zgjidhet presidenti me 5/6 apo 7/5. Qytetarët kanë preokupim që rregulli të ecë sipas Kushtetutës, preokupimi i tyre kryesor është rroga, pensioni, rruga, preokupimi më madhor është viza”, - tha dje në mbledhjen e qeverisë kryeministri Berisha.

Kjo ishte përgjigjja e kreut të së djathtës në lidhje me propozimin më të fundit të opozitës, e cila në fund të procesit zgjedhor të 8 majit u shfaq në skenën politike me një propozim të ri për demokratët, duke i kërkuar shumicës parlamentare një tjetër kompromis si në prillin e vitit 2008 për ndryshimin e Kushtetutës.

Turizmi

Kryeministri Berisha, duke trajtuar në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave zhvillimin e turizmit në vend, u shpreh se edhe këtë vit turizmi ka shënuar një rritje shumë të madhe dhe se Shqipëria ka qenë destinacioni i preferuar i një numri të madh vizitorësh. Në fjalën e tij kryeministri bëri të njohur të dhënat e fundit mbi numrin e vizitorëve që kanë hyrë në Shqipëri në 6-mujorin e parë të këtij viti, sipas të cilave nga 1 janari deri më 8 gusht 2011 kanë hyrë në Shqipëri 2 milionë e 148 mijë vizitorë të huaj, ose 411972 shtetas të huaj më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Berisha u shpreh se kjo rritje dëshmon se “Shqipëria po bëhet gjithnjë e më shumë magjia e turizmit”. Kreu i qeverisë theksoi se rritje të lartë të numrit të udhëtarëve ka njohur edhe aeroporti “Nënë Tereza” në Rinas, me 23 për qind kundrejt 4-6 për qind që është mesatarja vjetore e rritjeve, që e rendit atë si aeroportin e tretë me rritjen më të madhe këtë vit në Europë. Duke e konsideruar ruajtjen e zonave turistike nga hedhjet në mjedis të mbeturinave urbane si një nga problemet më të mprehta, Berisha tha se është e nevojshme krijimi e konsolidimi i një kulture të re miqësore ndaj mjedisit nga qytetarët. “Ne mund të ndërtojmë impiantet më të fuqishme të djegies së tyre, po ndërtojmë landfille kudo, por kjo nuk mjafton, nëse qytetari nuk vendos që asgjë nga xhepi e qesja e tij nuk do të hidhet në rrugë, jashtë destinacionit të tyre”, - nënvizoi Berisha në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave, duke u shprehur optimizmin e tij se ky trend është shumë premtues dhe e shndërron turizmin në një ndër degët më kryesore të ekonomisë shqiptare.

Zhvillimi i turizmit në bregdetin shqiptar

Berisha: Do të ndërhyjmë në 90 për qind të tregut të bregdetit

Kryeministri Berisha në mbledhjen e djeshme të qeverisë kërkoi njëherësh edhe ndryshimin e filozofisë së zhvillimit të turizmit, e cila e koncepton zhvillimin e bregdetit si një kombinim të zonave rezidenciale dhe resorteve turistike. Gjithashtu ai kërkoi dhe moslejimin e ndërtimit të ndërtesave mbi tri kate në të gjithë vijën bregdetare pa autorizimin e KRRTRSH-së. “Kemi për të zhvilluar e rindërtuar edhe 90 për qind të bregut. Zoti ministër, i gjithë legjislacioni do të përshtatet me filozofinë e re të zhvillimit të turizmit. Bregu do të ndërtohet në zona rezidenciale dhe resorte turistike. Në këtë mënyrë, realizojmë dy qëllime madhore. Së pari, kombi drejt detit. Ne duhet të bëjmë që kombi të kthejë sytë nga deti. Me ndonjë përjashtim të vogël këtu, nuk mund ta besojnë se i tërë bregu shqiptar nuk ka pasur as tri fshatra peshkatarësh. Edhe ata që jetonin në breg, si kurorë të mikpritjes kishin qengjin. Historia, invazionet na kishin bërë që të gjenim strehë në male, se aty mbroheshim më mirë. Kjo është e vërteta. Por deti është ushqim, pasuri, është mundësi shumë e madhe. Duke mos i braktisur ato, pasi aty kemi edhe projektet më madhore, si projekti i arrorëve dhe zhvillimi i zonave turistike, natyrisht, kombi sytë duhet t’i ketë nga deti. Ky është një shans historik. Pra, kombinim i zonave rezidenciale me resortet turistike. Sikundër ndërtesat mbi tri kate do të jenë të autorizuara vetëm nga Këshilli Qendror i Rregullimit të Territorit. Nuk do të mund të ndërtohet ndërtesë mbi tri kate në të gjithë vijën bregdetare pa autorizimin e Këshillit Qendror të Rregullimit të Territorit. Nuk ka nevojë ta betonojmë, por të ruajmë ndërtimet më miqësore ndaj mjedisit”, - tha dje Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›