E Shtunë, 31 Tetor 2026

Avokati i Popullit kërcënon me padi penale administratën

11/08/2011  Punonjësit që s’pranojnë bashkëpunimin do të paditen për shpërdorim detyre

TIRANE- vokati i Popullit kërcënon me kallëzim penal të gjithë punonjësit e administratës publike që nuk pranojnë të bashkëpunojnë me këtë institucion kushtetues. Vendimi duket se do merret për çdo rast kur inspektorëve të Avokatit të Popullit u kthehet kurrizi dhe nuk u lejohet të marrin informacione rreth ankesave që janë depozituar në adresë të këtij institucioni. Ndërmarrja e masave penale është bërë me dije nga drejtori i kabinetit të Avokatit të Popullit Artur Lazëbeu, i cili sqaron se si institucion kushtetues padia në prokurori mund të jetë një mënyrë drejt gjetjes së zgjidhjeve mes marrëdhënieve të bashkëpunimit me institucionet e tjera dhe Avokatit të Popullit. Lazëbeu shton se gjithmonë ka hapësira për ta dërguar në prokurori një zyrtar të administratës që dështon në bashkëpunimin e tij me Avokatin e Popullit dhe se shkelje ligji është edhe mosbashkëpunimi me Avokatin e Popullit. Në këtë rast një zyrtar i administratës konsumon plotësisht veprën penale të shpërdorimit të detyrës, sepse me veprimet dhe mosveprimet e tij sjell pengesa të qëllimshme në zgjidhjen e probleme të qytetarëve. Kërcënimi për depozitim në prokurori të rasteve burokratike vjen në një kohë kur shumë ankesa të mara nga Avokati i Popullit nuk gjejnë zgjidhje edhe për shkak të neglizhencës së institucioneve qeverisëse. Mungesa e bashkëpunimit ka bërë që drejtuesit e institucionit të Avokatit të Popullit të japin alarmin, duke kërcënuar me kallëzim penal çdo punonjës të administratës që neglizhon bashkëpunimin me inspektorët e këtij institucioni.

Ndërkohë prej kohësh parlamenti shqiptar ende nuk ka zgjedhur kandidaturën drejtuese të Avokatit të Popullit, duke e lënë këtë institucion prej gati një viti pa drejtues. Aktualisht komisionerët u kanë dhënë zgjidhje ankesave në 22% të rasteve kur qytetarët kanë kërkuar zgjidhje. Institucioni i Avokatit të Popullit u krijua në vitin 2000 dhe që prej asaj kohe ka trajtuar me mijëra kërkesa të qytetarëve që kanë pretenduar shkelje nga administrata shtetërore. Aktualisht ai drejtohet nga Florina Nuni, e cila prej gati një viti qëndron në detyrë, për shkak se ende nuk është votuar nga parlamenti shqiptar. Pritet që me çeljen e sezonit të ri të Kuvendit të votohen kandidaturat për Avokatin e Popullit.

Bashkëpunimi

Rënia e bashkëpunimit me institucionet e tjera ka bërë që institucioni i Avokatit të Popullit të kërcënojë me kallëzim penal punonjësit që neglizhojnë kërkesat e inspektorëve të tij. Mësohet se në çdo rast që do ketë burokraci do të paditet në prokurori.

22% të ankesave

Deri tani nga komisionerët dhe inspektorët e Avokatit të Popullit u janë dhënë zgjidhje vetëm 22 për qind të ankesave të qytetarëve. Pjesa tjetër kërkon një bashkëpunim më të madh me administratën për marrjen e informacionit dhe zgjidhjen e problemit.

Pa drejtues

Po bën gati një vit që Avokati i Popullit nuk ka një drejtues të zgjedhur nga parlamenti. Aktualisht ai drejtohet nga komisionerja Florina Nuni, e cila është e komanduar pas përfundimit të mandatit pesëvjeçar të ish-drejtuesit Ermir Dobjani.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›