E Shtunë, 31 Tetor 2026

Landfilli i Bushatit jashtë loje, ka çmime të shtrenjta

11/08/2011  Bashkia e Shkodrës djeg mbeturinat pranë varrezave të dëshmorëve. Banorët apel për ndihmë

Mbetjet urbane të qytetit të Shkodrës vazhdojnë të depozitohen dhe të digjen përsëri pranë varrezave të dëshmorëve, edhe pse landfilldi i Bushatit ka disa muaj që ka përfunduar. Bashkia e Shkodrës dhe njësitë e tjera vendore kanë firmosur që në muajin shtator të vitit 2007 kontratën paraprake me komunën e Bushatit për depozitimin e mbetjeve urbane në landfilldin e ndërtuar në territorin e kësaj komune, por përsëri mbeturinat nuk hidhen aty. Shkaku i mosfillimit të dërgimit të mbeturinave në landfillin në fjalë është vetëm tarifa shumë e lartë që komuna e Bushatit ka vendosur për njësitë vendore që kanë nënshkruar kontratën paraprake për depozitimin e mbeturinave në të. Të njëjtat burime sqarojnë se komuna e Bushatit ka vendosur tarifën 7 euro për ton mbeturinash që do të depozitohen, shumë kjo tepër e lartë për Bashkinë e Shkodrës, e cila nuk e përballon këtë pagesë. Sipas specialistëve të kësaj bashkie, nga qyteti i Shkodrës hiqen çdo ditë 110 tonë mbetje urbane, çka do të thotë se kjo njësi vendore duhet t’i paguajë komunës së Bushatit mbi 23 mijë euro në muaj. Me të ardhurat që Bashkia e Shkodrës grumbullon duke vjelë nga qytetarët taksën e pastrimit, kjo shumë është krejtësisht e papërballueshme. E vetmja rrugë do të ishte rritja e ndjeshme e taksës së pastrimit ndaj qytetarit, çka do të ishte e papranueshme dhe e papërballueshme për një pjesë të mirë të familjeve shkodrane. Ndërkohë drejtuesit e komunës së Bushatit shprehen se tarifa e vendosur është e arsyeshme dhe më e ulëta në Evropë. Duke pasur këtë mosmarrëveshje ndërmjet dy njësive vendore, Bashkisë së Shkodrës dhe komunës së Bushatit, por dhe njësive të tjera vendore që kanë parashikuar depozitimin e mbeturinave në këtë landfilld, specialistët e Bashkisë së Shkodrës kanë kërkuar ndërhyrjen e këshillit të qarkut Shkodër për të diskutuar rreth tarifës së vendosur për hedhjen e mbeturinave në Bushat. Burimet nga ky këshill bëjnë të ditur se shqetësimi është përcjellë pranë Ministrisë së Transportit dhe Punëve Publike dhe pritet që specialistët e saj të vendosin çmimin e mbeturinave për ton që do të depozitohen në landfillin e Bushatit. Ky shqetësim është ngritur prej disa muajsh, por deri tani nuk ka pasur asnjë reagim konkret nga ministria në fjalë. Kjo do të thotë se deri në vendosjen e një çmimi tjetër më të arsyeshëm dhe të pranueshëm nga Bashkia e Shkodrës mbeturinat e këtij qyteti do të vijojnë të hidhen e të digjen vetëm 3 kilometra larg qendrës së tij, pikërisht në vendin e shumëpërfolur pranë varrezave të dëshmorëve. Kjo situatë vazhdon të shqetësojë banorët e zonës pranë këtij vendi, të cilët prej rreth 20 vjetësh jetojnë me erën e rëndë të mbeturinave të djegura dhe mes tymit sëmundjesjellës të tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›