Berisha: Kutitë nuk hapen. S'dal kundër gjykatave

Sipas Kryeministrit, opozita të hartojë amendamentet dhe t'i shqyrtojë në komisionin hetimor
TIRANË - Ndërkohë që ditën e sotme Presidenti Bamir Topi do të negociojë sërish me krerët e forcave politike për zgjidhjen e krizës politike, qëndrimet midis mazhorancës dhe opozitës vazhdojnë të jenë të tendosura.
Me gjithë presionin politik ndërkombëtar dhe takimin e zhvilluar në Presidencë të shtunën midis dy liderëve, kreu i mazhorancës, Sali Berisha vazhdon të mbajë të njëjtin qëndrim lidhur me çështjen e hapjes së kutive të votimit. Edhe në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, kreu i qeverisë, bëri të qartë, se ai është i gatshëm që të shqyrtojë çdo kërkesë të opozitës por jo vendimet e gjykatave që janë dhënë për zgjedhjet e 28 Qershorit 2009.
"Duke e garantuar opozitën se jam i hapur të shqyrtoj çdo kërkesë që është midis nesh, theksova se kurrë ndonjëherë nuk e kam konsideruar dhe nuk e konsideroj çështje bilaterale çështjen e vendimeve gjyqësore. Gjykatat kanë vendosur dhe do të vendosin sa herë që palët t'i drejtohen asaj, por vendimi i tyre sapo jepet nuk është më problem ndërpalësh, por është problem vetëm me gjykatën", - tha dje Berisha.
Kryeministri theksoi se problemet, që ka opozita me gjykatat nuk mund të shndërrohen në probleme me qeverinë. Berisha sugjeroi që opozita të marrë në shqyrtim rekomandimet e Rezolutës së Këshillit të Europës dhe raportin e OSBE-ODIHR-it për zgjedhjet e fundit parlamentare dhe t'i shndërrojë ato në amendamente për t'i integruar në Kodin Zgjedhor.
Në këtë mënyrë sipas Berishës, mazhoranca është e hapur për të ngritur komisionin hetimor parlamentar që të enjten e ardhshme, ku opozita, sipas tij, të marrë drejtimin e komisionit dhe të listojë pretendimet e saj lidhur me problematikën zgjedhore.
"Sikundër propozova se opozita, duke shprehur se jemi totalisht dakord me rezolutën e Këshillit të Europës, të marrë dhe të hartojë amendamentin për të gjitha rekomandimet e Këshillit të Europës dhe raportit të OSBE/ODIHR-it, i cili është edhe raporti bazë, sepse nëse rezoluta ka 3-4 rekomandime, ndërsa ai ka 13 rekomandime. Opozita t'i marrë, t'i konvertojë në amendamente dhe t'i instalojë në Kodin Zgjedhor.
E garantova se ne jemi gati që të enjten që vjen të ngremë Komisionin Parlamentar dhe opozita të ketë shumicën në këtë komision për të hetuar të gjitha problemet që do të listojnë", - u shpreh ai.
Kreu i qeverisë solli në vëmendje edhe mandatin e Fierit të Partisë Demokratike për zgjedhjet e fundit, që sipas Berishës, ai mandat iu grabit nga vendimi i gjykatës dhe jo nga Partia Socialiste. Për këtë arsye, sipas tij, mazhoranca ka respektuar vendimin e gjykatës dhe nuk e ka shtruar si problem politik me opozitën. "Edhe gjykatësit thanë se ne do të zbatojmë germën dhe jo frymën.
Kjo është puna e tyre, por ama as kam thënë dhe as do të them ndonjëherë se mandatin ma grabiti Partia Socialiste. Jo, mandatin ne na e mori gjykata", - nënvizoi Berisha. Dy ditë më parë në një tryezë të organizuar me aleatët e saj, Partia Socialiste i bëri thirrje Kryeministrit Berisha që të ndryshojë nga qëndrimet e tij për hapjen e kutive, pasi në të kundërt opozita do të rifillojë protestat për të realizuar hapjen e kutive të votimit, si një e drejtë kushtetuese.
***********
Meta kërkon që opozita të listojë pretendimet e saj për zgjedhjet e fundit parlamentare
Meta përforcon Berishën: PS t'i drejtohet gjykatave
TIRANË - Mazhoranca qeverisëse përforcon qëndrimin e saj se hapja e kutive të votimit nuk mund të jetë pjesë e negociatave midis shumicës dhe opozitës për zgjidhjen e krizës politike në vend.
Ashtu si Kryeministri Berisha edhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta, theksoi dje se hapja e kutive të votimit nuk mund të kryhet për sa kohë shkelen vendimet e gjykatave. Meta vuri në dukje se zgjidhja politike midis partive kryesore të vijë nëpërmjet respektimit të kuadrit kushtetues, pasi cenimi i pushtetit gjyqësor, sipas Metës, do të ishte një hap mbrapa për demokracinë e Shqipërisë.
"Ndërsa për sa i takon, për hapje të plotë apo të pjesshme të kutive, mendoj se nuk kemi të bëjmë me çështje kutish, por kemi të bëjmë me një çështje që lidhet me zbatimin e Kushtetutës dhe parimeve të saj, dhe të respektimit të vendimeve që Gjykata Kushtetuese ka dhënë në të kaluarën për sa i takon objektit të komisioneve hetimore parlamentare.
Megjithatë, unë do të dëshiroja dhe një herë tjetër që të ecet në mënyrë konstruktive drejt një zgjidhjeje politike që respekton kuadrin kushtetues të vendit", - tha dje Meta. Sipas zëvendëskryeministrit Meta, pretendimet që ka opozita për zgjedhjet e 28 Qershorit, mund t'i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, por, sipas Metës, opozita nuk mund të përfshijë në këtë problematikë mazhorancën.
"Për problemet e gjykatave ata janë të lirë t`i drejtohen gjithë gjykatave në vend, përfshirë dhe Gjykatën Kushtetuese, siç i janë drejtuar edhe për raste të tjera. Ndërsa përpjekja e tyre për të implikuar maxhorancën apo qeverinë apo edhe parlamentin në çështje që kanë të bëjnë me pavarësinë e gjykatave, mendoj se janë koncepte të vjetra politike", - u shpreh ai.
Për sa i përket kërkesës së vazhdueshme të opozitës për hapjen e kutive të votimit dhe përcaktimin e një afati për realizimin e kësaj kërkese, Meta u shpreh se pakica nuk mund të bëjë ultimatume, pasi sipas tij, kjo është një përpjekje për krijimin e një situate politike jo të natyrshme dhe që qëndron jashtë dialogut politik. Megjithatë, sipas Metës, mazhoranca do të përpiqet që të gjejë një zgjidhje konstruktive.
"Në rast se flitet për ultimatume, atëherë s`kemi më dialog, por kemi të bëjmë me humbjen e logjikës dhe me përpjekje të qëllimshme për të krijuar një situatë krejtësisht të panatyrshme politike dhe institucionale. Pavarësisht nga këto lloj deklarimesh, kam bindjen se mazhoranca do t'ia gjejë zgjidhjen me përgjegjësi dhe me konstruktivitet, pasi kjo është detyra e mazhorancës", - theksoi Meta.
Numri i dy i qeverisë nuk dha asnjë sugjerim për zgjidhjen e krizës politike, duke përsëritur ofertën e Kryeministrit Berisha, që, sipas të cilit, opozita të listojë pretendimet e saj për zgjedhjet e fundit parlamentare dhe të gjitha këto çështje, sipas tij, mund t'i hetojë komisioni parlamentar hetimor.