Ish-Pronarët, AKKP: S'ka afat për përfundimin e kompensimit

Komisioni i Ligjeve i jep dorën e fundit draftit "Për krijimin e fondit special për kompensimin e pronës"
TIRANË - Kompensimi financiar i pronarëve që iu është njohur apo do t'u njihet në vijim e drejta e pronës nuk do të përfundojë në vitin 2015 siç edhe e parashikon ligji "Për kthimin dhe kompensimin e pronës".
Nuk bëhet fjalë për ndryshim qëndrimi apo ligji nga ana e mazhorancës, por për një pohim të sinqertë të Drejtorit të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronës (AKKP), Elvis Cefa, i cili ka deklaruar dje se nuk ka një afat të përcaktuar për përfundimin e këtij procesi.
Ndërsa ligji bazë, pra ai i kthimit dhe kompensimit të pronave në nenin 23 të tij përcakton se "duke filluar nga viti 2005 dhe për një periudhe 10-vjeçare rresht, Kuvendi, për propozimin e Këshillit të Ministrave, cakton Fondin e Kompensimit, i cili administrohet nga Komiteti Shtetëror i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për kompensimin në të holla të subjekteve te shpronësuara", kreu i kësaj agjencie ka pranuar dje se ky kompensim do të përfundoi vetëm atëherë kur të jenë shlyer të gjitha subjektet, që i është njohur apo do t'u njihet e drejta e kompensimit. "Nuk ka një datë të caktuar se kur do përfundojë, ai përfundon kur dhe subjekti i fundit të marrë atë çka i takon.
E rëndësishme është se tashmë të fillojë e ngritur mbi baza ligjore dhe të eliminohet lufta me kohën që ka bërë AKKP-ja", - tha Cefa, ndërsa pohoi se për përzgjedhjen e fituesve do të jetë sërish kriteri i kohës kur edhe është paraqitur dosja. Deklarata u bë dje pas mbledhjes që zhvilloi Komisioni i Ligjeve, ku u miratua dhe projektligji "Për krijimin e fondit special për kompensimin e pronës", të cilit iu bënë sërish disa ndryshime të rëndësishme.
Kështu me propozim të komisionit, përfaqësuesit e Ministrisë së Drejtësisë pranuan që të heqin fare nga projektligji nenin 9, i cili bënte shfuqizimin e Vendimit të Këshillit të Ministrave, me anë të të cilit janë përcaktuar procedurat në fuqi që përdoren për kthimin dhe kompensimin e subjekteve të shpronësuara.
Me këtë ndryshim që pësoi drafti i qeverisë mbetet ende në fuqi edhe VKM-ja që përcakton se ish-pronarët mund të përfitojnë kompensim financiar për jo më shumë se 200 metra katror.
Megjithatë, një përcaktim i tillë mund të ndryshojë në rast se Këshilli i Ministrave do të miratojë një VKM të re unike, ku dhe të heqë kufizimin e mësipërm, siç edhe iu sugjerua përfaqësuesve të qeverisë nga deputetët gjatë diskutimit të këtij projektligji në komision.
Draftit, që tashmë do të paraqitet për miratim ne seancë plenare, iu bënë dhe disa ndryshime të tjera në dukje formale, por që kanë të bëjnë me çështje esenciale, siç është amendimi që iu bë nenit 2, me anë të të cilit krijohet mundësia që të pretendojnë për kompensim financiar të gjitha subjektet që iu është njohur prona me vendim të AKKP-së.
Tashmë, me këtë ndryshim krijohet mundësia që të gjithë ish-pronarët që kanë fituar të drejtën e kompensimit, pavarësisht formës që iu është caktuar në vendimet e AKKP-së, pra qoftë fizik, me objekte apo ndërtesa, do të mund të aplikojnë pranë AKKP-së për të pretenduar shpërblim financiar.
"Nga praktika e punës subjektet që kanë aplikuar për kompensim financiar janë konsideruar të vlefshëm dhe janë trajtuar me kompensim pavarësisht faktit se në vendimet e tyre, me të cilat ata aplikonin ka qenë e njohur e drejta e kompensimit financiar apo e drejta e kompensimit në një mënyrat e parashikuara në këtë ligj.
Nëse e lëmë këtë dispozitë në këtë formë atëherë AKKP-ja nuk do të trajtojë më për efekte të kompensimit vendime që kanë njohur të drejtën e kompensimit në një nga mënyrat e tjera që ligji i vjetër parashikonte.
Me këtë u japim të drejtë për të aplikuar për kompensim financiar tashmë edhe pas shumë viteve subjekteve të shpronësuara, të cilat në vendimin e tyre nuk e kanë të cituar shprehimisht që do kompensohen financiarisht", - tha kreu i AKKP-së, Elvis Cefa, në komision.
Ndërsa, për sa i përket afatit të 8 mijë kërkesave të depozituara në zyrat e AKKP-së, Cefa ka bërë të ditur se ato do të fillojnë të shqyrtohen menjëherë sapo ligji që rregullon funksionimin e këtij institucioni të hyjë në fuqi.
Ndryshimet e bëra dje në komision
Neni 2 pika 3
"Fondi i kompensimit të pronave përdoret për kompensimin në vlerë të ish-pronarëve që u është njohur e drejta e kompensimit, kur kthimi fizik i pronës së tyre ka qenë i pamundur.
Neni 4 pika 4
"Llogaritë e fondit të kompensimit të pronave paraqiten në kuvend si pjesë e raportit vjetor të konsoliduar të zbatimit të buxhetit".
Neni 9 hiqet
"Vendimi nr 610, datë 11.6.2009, i Këshillit të Ministrave "Për administrimin e fondit special të kompensimit të pronave", shfuqizohet.
Ligji "Për kthimin dhe kompensimin e pronave"
Neni 23
Fondi i kompensimit
1. Për zbatimin e kompensimit financiar, krijohet Fondi i Kompensimit te Pronave. Ky fond përbëhet nga të ardhurat buxhetore, nga të ardhurat e krijuara nga ky ligj dhe të ardhura nga donatorë të ndryshëm.
2. Duke filluar nga viti 2005 dhe për një periudhë 10-vjeçare rresht, Kuvendi, për propozimin e Këshillit të Ministrave, cakton Fondin e Kompensimit, i cili administrohet nga Komiteti Shtetëror i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për kompensimin në të holla të subjekteve të shpronësuara. Për periudhën nga njohja e së drejtës së pronësisë deri në marrjen e shpërblimit në formën e kompensimit në të holla, subjekti i shpronësuar përfiton edhe interesin bankar, sipas mesatares vjetore të nxjerrë nga Banka e Shqipërisë.
3. Bazuar në vendimet e komisioneve vendore ose të gjykatave dhe sipas një radhe të përcaktuar nga vetë ai, Komiteti Shtetëror i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ndan Fondin për Kompensimin ne mënyrë proporcionale.
Neni 24
Afati i përfundimit të procesit
Procesi i njohjes, kthimit dhe kompensimit të pronave të paluajtshme përfundon deri në datën 30.6.2009, me përjashtim të kryerjes së pagesës se kompensimit, e cila duhet të përfundojë në afatin e parashikuar në nenin 23 të këtij ligji.