Berisha: Kuzhe po punon pa rregulla
Besart Berisha ndihet i zhgënjyer që u la jashtë Kombëtares shqiptare, për miqësoren me Estoninë që do të luhet më 14 nëntor. Ai nuk i di arsyet e mospërfshirjes në listën kuqezi. Gjithashtu, sulmuesi kosovar ankohet për trajnerin, Josip Kuze, për të cilin thotë se nuk i flet asnjëherë për t’i kërkuar se çfarë dëshiron. Mos grumbullimi në Kombëtare nga ana e trajnerit Josip Kuzhe, për miqësoren me Estoninë, e ka zhgënjyer tej mase sulmuesin Besart Berisha. Kjo nuk ishte hera e parë që futbollisti i Arminia Bielefeld lihet jashtë nga trajneri kroat. 24 vjeçari është mllefosur me këtë vendim. Në një intervistë për të përditshmen kosovare “Ekspres”, ai ka thënë se nuk e kupton se pse nuk ftohet në ndeshje të tilla si kjo me Estoninë, e cila do të ishte mundësi ideale për të dhe për futbollistët që kanë minutazh të vogël në Kombëtare, për ta shfaqur atë që dinë, pasi Berisha zakonisht aktivizohet në lojë tek kuqezinjtë në minutat e fundit të ndeshjes.
Ankesa
“Momentalisht nuk e di as vet arsyen. Nuk e di se çfarë kërkon trajneri Kuzhe. Ai nuk flet me mua asnjëherë, por as të tjerët në Kombëtare. Unë po luaj rregullisht. Duhet të më thonë se kjo bën e kjo s’bën, që ta di se çfarë të bëj dhe çfarë jo. Duhet të di se ku të përmirësohem – ka thënë lojtari -. Ata nuk po flasin me mua, ndërkohë që unë pres këshilla dhe udhëzime. Në vend që të më ftojnë në këtë ndeshje dhe të më japin pak më shumë hapësirë, ata më lënë jashtë. Kështu ndodhi edhe në ndeshjen me Qipron. Nuk po i kuptoj lëvizjet e tyre”, ankohet Berisha. Ish futbollisti i Bërnleit dhe Hamburgut e konsideron veten si e ardhmja e Kombëtares shqiptare, kështu që kërkon të jetë i rregullt te ekipi kuqezi. “Unë dhe disa futbollistë të tjerë, jemi e ardhmja e Kombëtares. Neve duhet të na kushtohet më shumë rëndësi. Tek e fundit, unë jam prej 3-4 vitesh në Kombëtare dhe duhet të kem një mundësi më të mirë, të flasin më shumë me mua. Duhet të ketë rregulla profesionale, që të bëjmë ndonjë marrëveshje, ndonjë mirëkuptim. Kështu nuk shkon”, vazhdoi ai.
Prapaskena
Kosovari rrëfen se në ndeshjen me Suedinë, të fundit kualifikuese për Botërorin 2010, Kuzhe i kishte premtuar disa minuta, por në fund kishte vendosur që mos ta fuste fare në lojë. Sidoqoftë, Berisha thotë se gjithmonë është i gatshëm që ta japë kontributin e tij dhe maksimumin për kuqezinjtë, nëse i jepet rasti.