E Shtunë, 31 Tetor 2026

Luca Targetti fton në “La Scala” sopranon Evis Mula

 

Alma Mile

Për 13 vjet me radhë ka qëmtuar zërat më të mirë të momentit për t’i ngjitur në skenën më të madhe operistike në botë, “La Scala” në Milano. Këtë erdhi të bëjë edhe në Tiranë. Mbrëmjen e së dielës u mbyll edicioni i dhjetë i Festivalit të Vokalit Operistik “Marie Kraja”. Një prej anëtarëve të jurisë së këtij festivali ishte dhe drejtori artistik i “La Scala”, Luca Targetti. Nuk kishte qenë më parë në Tiranë dhe surprizat ishin të shumta, që nga niveli i këngëtarëve, tek atmosfera që gjeti në Shqipëri. Udhëtimi nuk i shkoi kot. Me vete do të marrë edhe dy këngëtare shqiptare, fituesen e festivalit “Marie Kraja”, sopranon Evis Mula dhe kosovaren Besa Llugiqi. Sa i përket drejtimit në “La Scala”, Luca Targetti e quan kënaqësi këtë eksperiencë, por në të njëjtën kohë shumë të vështirë. “Gjithnjë ka pritshmëri dhe krahasime, që janë të pamundura për t’u kaluar. Bëhet fjalë për një skenë ku kanë kënduar divat e operës e ç’mund të bëjë një soprano e shkretë tani...”, - thotë Targetti, teksa shton se fatkeqësisht të rinjve të sotshëm u mungon koha për t’u rritur, për shkak të shpejtësisë së vrullshme të ditëve tona. Në një intervistë drejtori artistik i “La Scala” tregon për vizitën në Tiranë, festivalin “Marie Kraja” dhe punën e tij. 
Z. Targetti, hera e parë në Shqipëri, çfarë ju bindi të vinit?
Kishte kohë që dëshiroja të vija në Shqipëri, por nuk kam mundur për shkak të kalendarit tim të ngjeshur. Këtë vit u bë e mundur, pasi kisha disa ditë të lira dhe erdha me dëshirë të madhe. Një vizitë në Shqipëri më ka interesuar gjithnjë. Nuk kam qenë më parë këtu, njoh këngëtarë shqiptarë sigurisht, por për mua ishte një sferë e paeksploruar dhe shumë interesante, si për aktivitetin e teatrit, por më së shumti për veprimtarinë e akademisë sonë të artistëve të rinj. Sigurisht vizitova edhe Tiranën, shkuam në Durrës, në bregdet. Në tre orë është e vështirë të shohësh shumë, por për aq sa pashë dhe dëgjova, ka një entuziazëm të madh për të ndryshuar, për t’u ringjallur dhe për të ndërtuar
Ç’përshtypje ju la festivali “Marie Kraja”, ka zëra që ju pëlqejnë?
Kam një përshtypje shumë pozitive, pasi për të qenë 20 finalistë kam gjetur një nivel shumë të lartë. Nuk e them këtë për të qenë i sjellshëm, por me objektivitet. Ka elementë shumë interesante, siç ka edhe nga ata më pak, sigurisht, por të gjithë ishin të përgatitur dhe kjo ishte një surprizë mjaft e bukur.
Gjithsesi ne na “interesojnë” më së shumti këngëtarët tanë...
Mes këngëtarëve tuaj kishte nga ata që ishin përgatitur më shumë dhe nga ata që ishin përgatitur më pak. Nga të parët mund të them që kam ndeshur në elementë mjaft interesant dhe pjesëmarrjen në jurinë e festivalit unë e quaj një eksperiencë e bukur.
Siç e thatë, ju keni njohur edhe më parë artistë shqiptarë, mund të na kujtoni ndonjë prej tyre?
Kam njohur artistë shqiptarë, si nga ata që kanë marrë pjesë nëpër konkurse, por dhe nga ata që kanë kënduar në skenën tonë të “La Scalës”. Kujtoj Oriana Kurteshin, Josif Gjipalin dhe pa dyshim Inva Mulën, e cila pati mundësinë të këndojë në inaugurimin e  teatrit tonë të ri, “Archiboldi” në vitin 2002, ku ajo ishte protagoniste në operën verdiane “La Traviata”. Kështu që edhe për të mbetet një kujtim i bukur.
Jeni drejtori artistik i “La Scalës”, sa e vështirë është të drejtosh një nga teatrot më të rëndësishëm në botë?
Jam drejtor artistik prej 13 vjetësh. Nuk është aspak e lehtë dhe gjithsesi asnjëherë nuk jemi të kënaqur. Si gjithnjë ka një pritshmëri dhe krahasime që janë gati të pamundura për t’u kaluar. Sepse bëhet fjalë për një teatër, ku kanë kënduar divat më të mëdhenj të muzikës operistike, prej viteve ‘800, pastaj fillimi i ‘900-ës me Maria Callas, Renata Tibaldi, etj., etj dhe çfarë mund të bëjë një soprano e shkretë tanimë... Pra, krahasime bëhen gjithnjë, por ne marrim atë çka na ofron tregu i momentit, por gjithsesi gjithnjë ka qenë kështu. Paraardhësit kanë qenë më të mirët.
E ç’ofron tregu momentalisht?
Për mendimin tim problemi i tregut është shpejtësia, shpejtësia e uruar e ditëve tona, ku gjithçka bëhet në një sekondë dhe nuk ka kohë fizike natyrale që një këngëtar të rritet. Nëse duket dikush që ia vlen, menjëherë hidhet në tregun e madh dhe merret të bëjë gjithfarë rolesh dhe kjo nuk është e mirë. Flas për Italinë, mungon udhëtimi gradual, hap pa hapi, mungojnë hapat e parë, që nuk mund të bëhen, që janë të vështirë dhe kjo komprometon shumë karriera.
Nga ç’vend vijnë këngëtarët më të mirë?
Nga të gjitha vendet. Nuk ndodh më si në vitet ’70-’80, kur kishte shumë tenorë spanjollë. Më të mirët vinin nga Spanja. Tani vijnë nga të gjitha vendet. Si akademi kemi qenë shumë me fat me gjeorgjianët, sepse kemi pasur këngëtarë që kanë ardhur dhe janë rritur me ne. Nuk ka ngjyra e nacionalitete. Mjafton që dikush të ketë talent, por mbi të gjitha të ketë një kokë mbi shpatulla për të bërë karrierë e pa dyshim edhe fat.
Të drejtosh “La Scalën” është një ëndërr, si ndodhi me ju, si arritët?
Më parë bëja agjentin dhe 13 vjet më parë kolegët e “La Scala”-s më propozuan të punoja me ta dhe unë pranova me kënaqësi. Detyra ime është të udhëtoj e të gjej ofertat më të mira për teatrin tonë. Sapo kemi mbaruar “Ideomeneon”, mbyllim kalendarin 2008-2009 dhe në 5 dhjetor e hapim me “Carmen” me një produksion të ri. Momentalisht po programojmë për vitet 2014-2015.
Cilat janë shtyllat e kalendarit tuaj dhe sa ndikon preferenca e publikut në hartimin e tij?
Përgjithësisht mundohemi të japim panoramën e përgjithshme të së gjitha kohërave, por sigurisht që ndjekim edhe linja tematike.
Sigurisht, është një lloj kompromisi mes asaj që duhet të jepet dhe asaj që publiku kërkon.
Ka ndryshuar publiku në vite?
Po, ka ndryshuar. Ka një zgjerim të tij. Mediat kanë ndihmuar për këtë gjë, pasi ka më shumë informacion për aktivitetet që zhvillohen. Kemi një publik më të informuar dhe më të ndryshëm. Them se interesi është rritur dhe kjo është arsyeja pse bëjmë edhe shumë aktivitete për të rinjtë, në mënyrë që t’i afrojmë dhe për të pasur një publik të ri.
Cila është këshilla juaj për të rinjtë?
Të studiojnë seriozisht dhe të mos kenë shumë ngut.

Çmimet

Çmimi i parë:
Sopranoja shqiptare Evis Mula
Çmimi i dytë:
E ka fituar baritoni italian Francesco Landolfi
Çmimi i tretë:
Sopranoja amerikane Michelle Trovato

U mbyll të dielën edicioni i 10-të i aktivitetit operistik
Festivali “Marie Kraja”,trofeu mbetet në Shqipëri

Një trofe, por edhe një biletë për në Milano. Sopranoja Evis Mula, u shpall fituesja e edicionit të dhjetë të Festivalit Operistik “Marie Kraja”. Nën drejtimin e producentes Zana Çela, regjinë e Pali Kukes dhe nën një skenografi të Bashkim Zahajt, të dielën në mbrëmje u mbyll edicioni i radhës i festivalit operistik. Për më shumë se tri orë, përveç interpretimit të dhjetë finalistëve të përzgjedhur nga juria ndërkombëtare, e diela është kthyer në një natë festive, sidomos për fituesit e këtij edicioni. Juria e drejtuar nga Joan Matabosch, drejtor artistik i teatrit të Barcelonës, ka votuar për sopranon Evis Mula si më të mirën e edicionit të dhjetë të festivalit “Marie Kraja”. Çmimin e dytë e ka fituar baritoni italian Francesco Landolfi, ndërsa të tretin sopranoja amerikane Michelle Trovato. Por lajmet e mira nuk kanë përfunduar vetëm me shpalljen e emrave të fituesve. Pas spektaklit të ofruar mbrëmjen e së dielës nga producentja Zana Çela, Drejtori Artistik i Teatrit “La Scala” në Milano, Luca Targetti ka ftuar zyrtarisht fituesen Evis Mula dhe sopranon kosovare Besa Llugiqi të marrin pjesë në një audicion që zhvillohet këto ditë në teatrin e Milanos. Fitorja e vendit të parë dhe më së shumti ftesa e Targettit, ishin të papritura për Evis Mulën. Një mbrëmje duket se po i ndryshon gjithë jetën dhe këngëtarja, ndonëse e mësuar me skenën qysh fëmijë, nuk mund ta fshinte emocionin. Përveç garës së fortë, mbrëmja e së dielës ishte edhe një udhëtim retrospektivë nëpër dhjetë vitet “Marie Krajës”. Një material i pasur filmik, pasazhe me fituesit e shumtë ndër vite dhe mbi të gjitha një homazh për të madhen Marie Kraja, emrin e të cilës mban ky festival, kanë përcjellë tek spektatorët emocione të veçanta. Kanë parakaluar kështu përpara publikut pamjet e mbrëmjes së 22 janar të vitit 1999, kur u ngrit sipari i një ngjarjeje të pazakontë për ambientet artistike të kohës. U shfaqën copëza interpretimesh nga fituesit ndër vite të “Marie Krajës”, duke filluar që nga fituesja e edicionit të parë Mariana Leka e deri tek ai i edicionit të nëntë, baritoni Michael Anthony McGee. Nuk munguan edhe të ftuarit. Përshëndeti  festivalin Ramë Lahaj, fituesi i çmimit të tretë të edicionit të kaluar. Një interpretim emocionues kanë ofruar edhe solistët e Teatrit të Operas dhe Baletit, Enada Hoxha dhe Gerd Vaso, të cilët kishin krijuar një koreografi enkas për këtë natë, mbi tingujt e jares së njohur shkodrane “Për mue paska kenë kismet”. Ndërsa dhjetë finalistët kanë sjellë në skenë një minispektakël më vete me interpretimin e secilit prej tyre nga një këngë të njohur nga vendi i tij. E në fund, të gjithë bashkë, të shoqëruar edhe nga dy fitueset ndër vite të “Marie Kraja”-s, soprano Mariana Leka dhe Eriona Gjyseli, kanë interpretuar jaren e famshme shqiptare “Ta dish”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›