Berlin, Liderët e botës në festën e rënies së komunizmit
Liderët e botës u mblodhën në kryeqytetin gjerman, për të festuar 20-vjetorin e rënies së murit të Berlinit. Dita nisi me lutjet fetare. Kisha e Gethsemane, në Prenzlauer Berg, ku mbajt tubimi pro demokracisë në vitin 1989, ka qenë vendi i meshës së organizuar nga Kisha Evangjelike dhe nga Konferenca Episkopate e peshkopëve gjermanë, ku ishin të pranishëm kancelarja Anxhela Merkel dhe Presidenti i Republikës, Horst Koehler. Për turmën moti nuk ishte shumë i favorshëm, me shi dhe ftohtë, por për njëzet vjetorin e rrëzimit të murit të Berlinit rrugët e sheshet e kryeqytetit gjerman ishin mbushur me rreth 100 mijë njerëz. Kancelaria Anxhela Merkel, e cila është rritur në Gjermaninë komuniste, gjatë një interviste në televizionin shtetëror ka pranuar se “uniteti gjerman nuk është përfunduar ende plotësisht, sepse Gjermania Lindore dhe Perëndimore kanë ende vështirësi strukturore”. Kancelarja gjermane ka kujtuar se dy dekada pas rënies së murit papunësia në rajonet Lindore është ende sa dyfishi krahasuar me pjesën Perëndimore të vendit. Për këtë sipas saj, “taksa e solidaritetit” e formuar për të financuar kostot e rikonstruksionit të rajonit oriental pas riunifikimit “mbetet ende e domosdoshme”. Kancelaria Merkel, ish-presidenti i Bashkimit Sovjetik, Mihail Gorbaçov dhe ish-presidenti i Polonisë, Lech Valesa, kanë kaluar urën historike të Boesebruek, në rrugën Bornholmer të Berlinit, në mënyrë simbolike duke hapur kështu festimet. Më 9 nëntor 1989, në orën 21:20, ura iu hap gjermanëve të lindjes, të ish-Republikës Federale Gjermane, duke shënuar rënien e parë të murit. “Ka qenë rezultati i një historie të gjatë opresioni dhe luftës kundër tij”, ka komentuar Anxhela Merkel, duke kaluar ish-kufirin që ndante Berlinin në mes. Momenti më i rëndësishëm i festimeve ishte në mbrëmje, kur rrëzimi i murit u rikrijua në mënyrë simbolike përpara Portës së Brandeburgut nëpërmjet një efekti gjigand domino në të cilin do të jenë të pranishëm dhjetëra krerë shtetesh e qeverish. Mes tyre kryeministri britanik, Gordon Braun, presidenti francez, Nikolas Sarkozi, presidenti rus, Dimitri Medvedev, Hilari Klinton, Sekretarja amerikane e Shtetit, e shumë të tjerë. Një mijë domino gjigante plot ngjyra përshkonin linjën 1.5 km të rrugës origjinale gjatë murit, për të simbolizuar se si qeveritë komuniste në bllokun lindor ranë njëra pas tjetrës në vitin 1989 e më pas duke përfshirë edhe Shqipërinë. Janë planifikuar edhe memorialë për 136 njerëzit e vrarë gjatë rrëzimit të murit të Berlinit, dhe një koncert me performancën e Bon Jovi-t dhe orkestrës “Staats kapelle” u luajtën në mbrëmje. Merkel, e cila ishte një kërkuese shkence në Berlinin Lindor 20 vite më parë e quajti rënien e murit “ditën më të lumtur në historinë gjermane të kohëve të fundit”. Pas 28 vitesh si të burgosur brenda vendit të tyre, gjermano-lindorët bërtisnin euforikë në pikat e kalimit, pasi autoritetet e pjesës lindore vendosën papritur t’i lejonin ata të kalonin në pjesën perëndimore, në atë që dikur ishte linja e vdekjes. Gordon Braun i bëri tribut portës së Brandenburgut ku bëri thirrje për unitetin e Berlinit, Gjermanisë dhe Evropës dhe arritjet “madhështore”. “Muri u mënjanua me forcën më të madhe dhe shpirtin pathyeshëm të burrave dhe grave që guxuan të ëndërronin në errësirë”, tha ai. Ndërsa të gjithë brohorisnin lideri rus ishte më pak i kënaqur nga rënia e murit. “Ne besonim se si rezultat i rënies së murit të Berlinit vendi i Rusisë në Evropë do të përkufizohej disi ndryshe, do të shoqërohej nga një shkallë tjetër e integrimit të Rusisë në hapësirën e përbashkët evropiane. Dhe çfarë morëm si rezultat? NATO është ende bllok me raketat e saj që shënjestrojnë territorin rus”, tha ai për revistën “Der Spiegel”.