Dinamo, “diktatorja” e Superligës
Falë një goli të mrekullueshëm të realizuar nga argjentinasi Rafael Alfredo Soza në minutën e 20-të, Dinamo triumfoi 1-0 ndaj në transfertën ndaj Besës në Kavajë. Blutë e Shkëlqim Muçës, tashmë në kuotën e 26 pikëve, krijuan një diferencë të qartë prej 8 pikësh në dhjetë javët e para të këtij edicioni të Kategorisë Superiore me vendin e dytë, që mbahet po nga Besa. Takimi përmbyllës i javës së 10-të Kategorisë Superiore dhuroi shumë emocione në stadiumin “Besa”, jo vetëm për faktin se përballë njëra-tjetrës ishin dy formacionet më të mira të këtij fillimisezoni - Dinamo, vendi i parë; Besa, vendi i dytë – por 90 minutat panë një penallti të humbur nga kapiteni i Besës, Bledar Mancaku, e dy gola të anuluar të kavajasve nga gjyqtari ndërkombëtar Sokol Jareci. “Shumkombëshja” Dinamo – pati 5 lojtarë të huaj në 11-shin e parë – ishte më e qartë taktikisht, pavarësisht se ishte Besa ajo që dominoi në treguesin e goditjeve nga këndi 8:1, çka reflekton në një farë mënyre edhe presionin e ushtruar nga verdhezinjtë Shpëtim Duros. Rafael Soza shënoi një gol të zgjuar në minutën e 20-të, teksa argjentinasi pasi “dribloi” mbrojtjen e Besës me një lëvizje të bukur me trup e “shigjetoi” sferën pikërisht atje ku Orges Shehi, portieri më i mirë i kampionatit (3 gola të pësuar) nuk mund ta bllokonte dot.
Në minutën e 44-t ishte edhe momenti më i mirë për Besën. Mbrojtësi Putinçanin preku topin me dorë, pas një presioni të jashtëzakonshëm në rritje të Besës dhe ndërkombëtari Sokol Jareci dha një penallti. Kapiteni i Besës, Bledar Mancaku, u shfaq te pika e bardha, por goditja e durrsakut u grushtua nga portieri i Dinamos, Hoxha, i cili u paraqit si një zëvendësues i denjë i titullarit Elvis Kotori, i pezulluar në këtë takim për shkak të kartonit të kuq të marrë në ndeshjen kundër Dinamos. Pjesa e dytë ishte një dialog i gjatë i repartit ofensiv të Besës me murin mbrojtës të Dinamos, por goli i shumëkërkuar nga Besa (Dhëmbi realizoi një gol të anuluar me dorë) nuk u shënua kurrë. Besa pësoi humbjen e dytë rresht në kampionat, pas asaj të pësuar një javë më parë nga Kastrioti i Krujës (gol i minutës së fundit i realizuar nga Abazaj), duke ndierë tashmë fort presionin e kampiones në fuqi, Tiranës, që nga ana e saj ka vetëm një pikë më pak, 17. Po kaq pikë ka dhe Apolonia e vendit të tretë.
KATEGORIA SUPERIORE
JAVA 10
07.11. 2009
Apolonia-Kastrioti 2-3
Hadzibulic 28’, Kaçi 56’ / Abazaj 42’, Turdiu 63’, Grizha 90’
07.11. 2009
Tirana Shkumbini 2-0
Sefa 52’, Sefa 57’
07.11. 2009
Gramozi-Teuta 2-0
Sadiku 17’, Sadiku 25’
08.11. 2009
Flamurtari-Laçi 0-0
08.11.2009
Skënderbeu -Vllaznia 1-1
Lako 90’+1 / Balaj 49’
09.11.2009
Besa-Dinamo 0-1
/ Soza 20’
1 KS Dinamo 10 26
2 KS Besa 10 18
3 KS Apolonia 10 17
4 KF Tirana 10 17
5 KS Teuta 10 15
6 KS Kastrioti 10 15
7 KS Skënderbeu 10 11
8 KS Shkumbini 10 11
9 KS Gramozi 10 10
10 KF Laçi 10 9
11 KS Flamurtari 10 9
12 KS Vllaznia 10 8
Skaneri “blu”
Dinamo, 17-herë kampione e Shqipërisë, me fitoren ndaj Besës (1-0) në javën e 10-të, e teta në dhjetë javë e këtij sezoni, u shpall edhe kampione e fazës së parë, pavarësisht ndeshjes së fundit të kësaj faze me Apoloninë në kryeqytet.
PIKËT
Dinamo në dhjetë javët e para ka grumbulluar 26 pikë: 8 fitore, 2 barazime, 0 humbje, duke qenë e skuadra e vetme pa humbje deri tani.
FITORET
Dinamo ka fituar 8 ndeshje nga 10 ndeshjet që pasur në dispozicion. Katër prej tyre janë realizuar në shtëpi dhe katër janë regjistruar në transfertë. Fitorja më e thellë është ajo kundër Gramozit: 4-0 (java e 9-të).
TRANSFERTAT
Dinamo është edhe “mbretëresha” e pikëve të grumbulluar në transfertë: 14 pikë në 6 ndeshje. Në shtëpi ka marrë maksimumin e pikëve: 4 ndeshje, 4 fitore, 12 pikë.
GOLAT
Dinamo është skuadra që ka shënuar më shumë gola: 18; 9 në shtëpi dhe 9 në transfertë. Dinamo është skuadra që ka shënuar më shmumë gola në transfertë. Golaverazhi i Dinamos është +14, 18 gola të shënuar, 4 të pësuar (mbrojtjen më të mirë e ka Besa, 3 gola të pësuar).
SHUMËKOMBËSHE
Dinamo mund të konsiderohet si një “kompani shumëkombëshe”. Në grupin blu janë tre argjentinas, Del Monte, Soza dhe Malarkane. Serbi Putinçanin dhe nigeriani Diop kompletojnë grupin.
10 Nentor 2009