Pronari i hotelit kapet me tri prostituta
TIRANE - Oficerët e Antitrafiqeve të kryeqytetit kanë bllokuar një hotel në autostradën Tiranë-Durrës, në afërsi të Vorës, kur pas përgjimeve disa javore ka rezultuar se ushtrohej prostitucion. Madje gjatë një operacioni të koduar "Nevada", si emri i hotelit, i cili nisi mesditën e së dielës dhe përfundoi dje në mëngjes, u arrestua administratori i hotelit me akuzën e mbajtjes së ambienteve për prostitucion. Burime nga policia thanë se është arrestuar 26-vjeçari Alfred Bakia nga Kruja, si dhe është bllokuar në një afat të papërcaktuar hoteli i tij. Gjithashtu gjatë këtij operacioni policia ka ndaluar edhe tri vajza, të cilat dyshohet se ushtronin prostitucion. Njëra prej vajzave të arrestuara është vetëm 16 vjeçe. Në njoftimin për shtyp të policisë së Tiranës thuhet se tre persona janë arrestuar dhe një tjetër do të ndiqet në gjendje të lirë për veprat penale të "mbajtjes së ambienteve për prostitucion", dhe për konsumim të veprës penale të "prostitucionit". Oficerët e Antitrafiqeve, në përfundim të operacionit "Nevada", çuan në qeli 26-vjeçarin Alfred Bakia, 22-vjeçaren Çiljeta Thomai, lindur në Lushnjë dhe banuese në Laprakë të Tiranës dhe 16-vjeçaren Ervina S., lindur dhe banuese në Tiranë. Sipas burimeve mësohet se arrestimi i tyre u krye sepse dyshohen se në hotelin që administrohej nga Bakia, në autostradën Tiranë-Durrës, vajzat e arrestuara siguronin klientë dhe më pas ushtronin prostitucion kundrejt përfitimit.Një tjetër vajzë, e cila u shoqërua gjatë operacionit, 25-vjeçarja me iniciale B.L., lindur e banuese në Tiranë do të ndiqet në hetim të lirë.