E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Ky mandat do garantojë furnizimin 24 orë me ujë



Investimet që janë kryer dhe ato që do të vazhdojë në këtë mandat 4-vjeçar të qeverisë, synojnë që vendosin sektorin e ujit drejt vlerave të tregut dhe të zgjidhin një herë e mirë furnizimin pa ndërprerje të qytetarëve. Mandati qeverisës do të shërbejë për të bërë investimet e duhura, të cilat do të garantojnë furnizimin 24 orë me ujë për qytetarët shqiptarë. Këto deklarata i bëri dje Kryeministri Sali Berisha, gjatë Konferencës së 9-të Kombëtare të Ujit dhe Kanalizimeve në Shqipëri. Kryeministri theksoi në fjalën e tij se qeveria në katër vitet që vijnë do të konsolidojë filozofinë e rajonalizimit të shoqërive të ujësjellësve dhe është e vendosur që, përmes investimeve dhe subvencionimeve të mëdha, ta vendosë këtë sektor drejt vlerave të tregut. “Katër vitet që vijnë janë vitet më ambicioze në historinë e këtij vendi për garantimin e qytetarëve shqiptarë për furnizim 24 orë me ujë. Çështja e ujit është në krye të axhendës së këtyre katër viteve”, - tha kreu i qeverisë Berisha. Në Konferencën e 9-të Kombëtare të Ujit dhe Kanalizimeve, që do të zhvillojë punimet në Tiranë deri në datën 9 nëntor 2009, merrnin pjesë ministra të kabinetit qeveritar, drejtues të Shoqatës Kombëtare të Ujësjellës–Kanalizimeve të Shqipërisë, përfaqësues të këtij sektori nga Kosova, Mali i Zi, Maqedonia, përfaqësues të donatorëve në këtë fushë etj. Kryeministri Berisha siguroi se qeveria zotohet të përfundojë mbi 14 impiante të kanalizimeve të ujërave të zeza. Kryeministri tha se qeveria është e angazhuar të rindërtojë dhe rrjetëzojë sistemin e kanalizimeve në sipërfaqen më të gjerë të mundshme. Në fjalën e tij, Kryeministri tha se në rast se do të vështronim jo thellë dhe larg në të shkuarën tonë, por po të ktheheshim vetëm në vitin 2005, sipas të dhënave, duket qartë se raportet e shoqërisë shqiptare me ujin janë treguesit më të trishtuar të një trashëgimie të papërshtatshme në këtë vend, që mund të thuhet se noton në ujëra, apo është një lloj Zvicre, apo Norvegjie në Gadishullin e Ballkanit. Ai bëri të ditur se vetëm 70 për qind e vendit ishte e mbuluar nga sistemi i ujësjellësve dhe nga këto, në zonat rurale vetëm 45 për qind. Të dhënat për kanalizimet mbeteshin edhe më të dhimbshme. Vetëm 40 për qind e zonave të banuara të vendit mbuloheshin nga kanalizimet dhe këto në zonat rurale shtriheshin vetëm në 1 për qind të tyre. “U ndala në këtë pikë për të theksuar se cila është prapambetja e thellë që u trashëgua jo në dekada, por edhe në shekuj në këtë fushë. Theksova këtë prapambetje për të vënë në dukje se sa urgjente, sa imperative, janë ndërhyrjet e fuqishme në problematikën e gjithanshme të ujërave, furnizimit me ujë të popullatës, trajtimin e ujërave të ndotura, ndërtimin e sistemeve të reja të kanalizimeve. Progresi është i prekshëm. Në katër vite, këto shërbime janë rritur me 20-25 për qind në shkallë vendi”, - tha Kryeministri Berisha. Ndaj ai shtoi se katër vitet që vijnë janë vitet më ambicioze në historinë e këtij vendi për garantimin e qytetarëve shqiptarë me furnizim 24 orë me ujë, janë vitet në të cilat ne jemi zotuar të përfundojmë mbi 14 impiante të kanalizimeve të ujërave të zeza, të cilat përfshijnë të gjitha brigjet e deteve dhe liqeneve të vendit. “Uji është jeta, asgjë nuk ndikon më shumë në jetën e individit dhe shoqërisë, si faktor, sa ndikon uji dhe qëndrimet ndaj tij. Ndaj, u garantoj se këto katër vite, financimet e qeverisë do të shumëfishohen në të gjitha fushat, por një filozofi e re do të zbatohet në bashkëpunim me institucionet serioze ndërkombëtare, si Banka Botërore dhe të tjera, filozofia e rajonalizimit të shoqërive të ujësjellësve”, - tha Kryeministri Berisha. Ai garantoi se qeveria, në katër vitet që vijnë, jo vetëm do të konsolidojë këtë filozofi, por është e vendosur që mes investimeve dhe subvencionimeve të mëdha, gradualisht të jetë e vendosur drejt vlerave të tregut në fushën e ujërave, me kushtin më themelor, që askush të mos ketë vështirësi në përballimin e faturës së saj, çka nënkupton një ndërhyrje të fortë buxhetore për shtresat dhe familjet në nevojë, si kusht kryesor për të kaluar në një stad të ri të menaxhimi të ujit në Shqipëri.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›