E Shtunë, 31 Tetor 2026

Beteja e Korces Mano per taksat Peleshi per turizmin

Andrea Mano, kandidati i “Aleancës për Qytetarin” për drejtimin e bashkisë së Korçës ka vazhduar fushatën e tij elektorale me një takim me tregtarët e Pazarit të fruta-perimeve, ku është njohur me ankesat e tregtarëve për kushtet e vështira në të cilat punojnë, por edhe për taksat e larta që paguajnë ndaj bashkisë.

“Unë kam ardhur të shikojmë kushtet sepse në projektin tim për qytetin përfshihet restaurimi dhe rregullimi e kushteve të pazarit. Ndaj, kam ardhur të shoh gjendjen nga afër”- tha Mano.

Ndërsa kandidati i PS-së për bashkinë e Korçës, Niko Peleshi ka zhvilluar në shtëpinë e rinisë një takim me drejtuesit dhe punonjësit e agjencive turistike që operojnë në qytet dhe me studentët e degës së turizmit pranë Universitetit “Fan S. Noli” në Korçë.

“Qyteti i Korçës, turizmi ka nevojë për specialistë. Ka nevojë për manaxherë, për njerëz të cilët programet tona, por edhe iniciativat e biznesit do t’i çojnë përpara me profesionalizëm”- tha Peleshi.

Kandidati Mano ka premtuar përmirësimin e kushteve të tregtimit në qytetin e Korçës dhe uljen e taksave, ndërsa kreu aktual i bashkisë, Peleshi ka theksuar rëndësinë që ka zhvillimi i turizmit për zonën juglindore.

Jorgjeta Gjançi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›