Berisha, Lavrovit: Deklarata u keqkuptua
Kryeministri Sali Berisha i përgjigjet nga Kosova ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, duke i cilësuar si keqkuptim gjuhësor deklaratat e tij. Ky i fundit tha se ishte shqetësuar nga deklaratat e Kryeministrit shqiptar për bashkimin territorial të Kosovës dhe Shqipërisë. "Ministri Lavrov parmbrëmë ka thënë ato që unë nuk kam thënë. Unë nuk besoj se ai ka dëshiruar të thotë ato që unë nuk kam thënë. Shpresoj të ketë ardhur nga vështirësia e lindur që rusët kanë për të përkthyer nga shqipja në rusisht. E kanë të vjetër këtë gjë", theksoi Berisha. Ndonëse dy ditë më parë Kryeministri shmangu rrugën "Durrës-Kukës", duke udhëtuar me avion drejt Prishtinës, gjatë kthimit Berisha ka shfrytëzuar atë çka është cilësuar "rruga e kombit" për të mbërritur drejt Tiranës. Lidhur me dërgimin e ushtarëve në Kosovë në kuadër të misionit të NATO-s dhe KFOR-it, kreu i qeverisë shqiptare theksoi se pala shqiptare nuk ka ndërmend të dërgojë ushtarë paqeruajtës. "Siç dihet, KFOR po shkon drejt zvogëlimit. Shqipëria është vend anëtar i NATO-s dhe mund të jetë pjesëmarrëse në KFOR, por ne nuk kemi ndërmend të marrim pjesë", tha ai. Deklaratat e Kryeministrit erdhën pas takimit me komandantin e KFOR-it, gjeneralin Markus Bentler. Shefi i qeverisë së Shqipërisë theksoi se ka mënyra të tjera për të kontribuar në Kosovë. "Ne po e ndihmojmë qeverinë e Kosovës në dy drejtime. Së pari po e ndihmojmë në forcat e sigurisë, së dyti do ta ndihmojmë për ndërtimin e shtëpive për rikthimin e të zhvendosurve. Mosprania jonë në KFOR nuk do të thotë aspak se ka një boshllëk në kooperimin e shkëlqyer midis dy vendeve dhe dy qeverive", theksoi Berisha. Kryeministri u takua gjithashtu edhe me drejtuesin e Grupit Drejtues Ndërkombëtar dhe përfaqësues i Bashkimit Europian në Kosovë, Pieter Feith. Kryeministri Berisha e konsideroi perspektivën e Kosovës në NATO dhe BE si rruga më e mirë që do t‘u ofrojë autoriteteve të Kosovës, qeverisë, institucioneve, një udhërrëfyes të shkëlqyer për ecjen përpara me reformat, për konsolidimin e shtetit më të ri, të lirë e demokratik të Kosovës.
Feith është përfaqësues i Bashkimit Europian dhe drejton Grupin Drejtues Ndërkombëtar, që është krijuar më 28 shkurt 2008, nga 25 shtete, të cilat e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe ka si mision të ndihmojë në njohjen e plotë të pavarësisë së Kosovës dhe ta përkrahë atë në rrugën e saj të zhvillimit. Kryeministri Berisha vizitoi mesditën e djeshme qytetin e Prizrenit, duke përfunduar kështu vizitën e tij dyditore në Kosovë. Më pas, Kryeministri Berisha zhvilloi një takim me kryetarin e Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, i cili gjatë një ceremonie solemne i dorëzoi Kryeministrit titullin "Qytetar Nderi" i Prizrenit. Në fjalën e tij, kryetari i Komunës së Prizrenit, Ramazan Muja, vlerësoi kontributin që Kryeministri Berisha ka dhënë në vite dhe po jep për çështjen e Kosovës. Në vazhdim, Kryeministri Berisha, i shoqëruar nga përfaqësuesit vendorë të Komunës së Prizrenit, ka përshkuar më këmbë rrugën nga godina e Komunës së Prizrenit deri te shatërvani, duke parë rrugicat e ndërtimet karakteristike, si dhe duke u përshëndetur e takuar me qytetarë të shumtë. Po dje, Kryeministri Berisha zhvilloi një vizitë edhe në Bjeshkët e Prevallës, në afërsi të qytetit të Prizrenit.
E.A.