E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri, vizitë në Prekaz: Kruja e dytë e Shqipërisë

Në kuadër të vizitës në Kosovë, Kryeministri Berisha, i shoqëruar nga bashkëshortja dhe delegacioni shqiptar, si dhe kryeministri Hashim Thaçi, zhvilloi homazhe në varrezat e familjes Jashari në Prekaz, 2 kilometra larg qytetit të Skënderajt. "Adem Jashari dhe familja e tij ra për të fituar pavdekësinë dhe ajo që është sot ngushëllim, është pavarësia e Kosovës", u shpreh Kryeministri Berisha. Pas homazheve, kreu i qeverisë shqiptare zhvilloi dhe një vizitë në kullën simbol të familjes Jashari, që dha jetën për liri dhe pavarësi. Pothuajse 52 pjesëtarë të familjes Jashari prehen në varrezat në Prekaz. Kryeministri Berisha vlerësoi se "Adem Jashari është tribuni i lirisë, që me sakrificën e tij të madhe ndezi dritën e lirisë dhe të pavarësisë së Kosovës". Më pas axhenda e vizitës vazhdoi me një ndalesë në monumentin "New born", struktura prej hekuri e vendosur në 17 shkurt të vitit 2008, në një nga sheshet kryesore të Prishtinës, si simboli i pavarësisë së Kosovës. Kryeministri Berisha vendosi në mënyrë simbolike firmën në monumentin e pavarësisë. "New born", tri metra i gjatë, një metër i lartë dhe me peshë një ton, u konceptua nga Fisnik Ismajli, 35 vjeç, specialist në fushën multimediale dhe ish-luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. "Asgjë nuk keni më frymëzuese se Prekazi, Krujën e dytë të shqiptarëve. U preka shumë, sepse ju i patë ata fëmijë. Ata kanë lindur të gjithë pas luftës, të gjithë kanë marrë emrat e martirëve të familjes Jashari, por sërish shndërrimi i ëndrrës dhe sakrificës së tyre në realitet është jetësimi më i madh për këtë familje, për tribunin legjendar dhe mbarë shqiptarët", tha Berisha. Kryeministri theksoi se populli shqiptar është kombi i sakrificave të mëdha. "Asnjë komb tjetër nuk ka bërë sakrificat e shqiptarëve për liri e dinjitet, por në sakrificën shqiptare, në kohëra, do të thosha se Prekazi përbën panteonin e sakrificës së kombit shqiptar", tha Berisha. Kryeministri ftoi të gjithë shqiptarët të vizitojnë Prekazin dhe të përulen përpara veprës së Adem Jasharit. Më pas, Kryeministri Berisha iu drejtua shtëpisë së Adem Jasharit dhe u takua me familjarë të tij, të cilëve u shprehu mirënjohjen dhe nderimin për sakrificën sublime të kësaj familjeje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›