Berisha: Letërnjoftime falas për romët
Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Romëve u zhvillua në mjediset e Muzeut Kombëtar një aktivitet për të drejtat dhe detyrimet e shtetit ndaj këtij komuniteti. I pranishëm në takim, Kryeministri Berisha deklaroi se komuniteti rom do të aplikojë falas për letërnjoftimet, ndërkohë që bëri të ditur se në zonat ku ky komunitet përbën shumicë, do të ndërtohen shkolla të posaçme për ta.
Kryeministri Berisha iu drejtua të pranishmëve duke thënë: “Qeveria do të mobilizojë të gjitha burimet e nevojshme qe kjo dekadë, e shpallur dekada e përfshirjes suaj, të jetë një dhjetëvjeçar, në të cilin jeta juaj të ndryshojë më shumë se kurrë, ku do të marrin përgjigjen më të mirë problemet e mëdha të trashëguara nga ju, problemet e punësimit, të strehimit, shkollimit dhe probleme te tjera të jetës suaj”.
Ndërkohë, ministri i Punës, z. Anastas Duro, tha se po përgatiten të gjithë parametrat për të integruar këtë grupim në shoqëri dhe për dhënien e ndihmesës për daljen nga niveli i varfërisë në të cilën jetojnë. Aktiviteti u organizua nga Ministria e Punës, ajo e Kulturës dhe UNDP-ja.
Kartat
Kryeministri deklaroi se letërnjoftimet do të jepen falas për këtë komunitet dhe u bëri thirrje që të rendin të regjistrohen në zyrat e gjendjes civile. “Qeveria do t’i japë komunitetit tuaj kartat e identitetit falas. Por ju duhet të bashkëpunoni në këtë proces të regjistrimit që po bëjmë. Regjistrimi i fëmijëve, regjistrimi i të rriturve është në interesin tuaj më të mirë, sepse në çdo plan, çdo projekt ne duhet ta bazojmë në të dhëna të sakta dhe tani kemi edhe letërnjoftimet e reja”, – deklaroi Kryeministri.
Ai kërkoi që komuniteti rom të përfaqësohet në jetën politike të vendit, në mënyrë që të arrihet konsolidimi i tij. Ai u bëri thirrje që të dalin në votime dhe të bëhen pjesë e këtij procesi, çka arrihet vetëm duke aplikuar për letërnjoftimet.
“Ju bëj thirrje t’i merrni ato, të votoni të lirë sipas përzgjedhjes suaj, të kontrolloni listat e votimit, sepse, në këtë mënyrë, edhe zëri juaj bëhet shumë më i fuqishëm, në këtë mënyrë ju gradualisht do të konsolidoheni. Tek unë keni një njeri që ju mbështet me gjithë shpirt, por ju duhet të keni njerëzit tuaj të zgjedhur, të cilët duhet të thonë fjalën e tyre, në komuna, në bashki, në Parlament e kudo. Kjo kërkon që vota juaj të llogaritet”, – tha ai.
Shkollimi
Një prej problemeve kryesore të këtij komuniteti ka të bëjë me shkollimin. Statistikat tregojnë se komuniteti rom në vendin tonë është më i paarsimuari dhe më i mënjanuari në jetën sociale. Për këtë arsye Kryeministri Berisha u zotua përpara përfaqësuesve të komunitetit se do të ndërhyjë në fushën e arsimimit, duke krijuar të gjitha kushtet për të tërhequr fëmijët romë.
“Ministria e Arsimit ka marrë urdhër të prerë të ngrejë shkolla me ushqim në zonat ku jeni ju dhe këtë ne e bëjmë, sepse varfëria në zonat ku ju banoni është shumë më e thellë sesa në zona të tjera. Ne do të bëjmë që fëmijët tuaj të ndjekin shkollat e mesme dhe ju garantoj për secilin prej tyre, bursë dhe konvikt. Fëmijët tuaj të ndjekin universitetin, nuk duhet të rreshtin së përpjekuri, se vetëm në këtë mënyrë shkëputemi nga trashëgimia e padrejtë që kemi”, – tha Kryeministri.
Ai vlerësoi kontributin që ka dhënë komuniteti rom në vendin tonë dhe u bëri thirrje të gjithë anëtarëve të tij që të bashkëpunojnë me autoritetet shtetërore. “Regjistrimi është vetëm hapi i parë për fëmijët tuaj, shkollimi i tyre do të jetë hapi i dytë”, – tha ai.
Varfëria
Romët janë të njohur nga ligji shqiptar si një pakicë gjuhësore, ndonëse nuk janë të detajuara të drejtat e tyre, si përfshirja e gjuhës rome në shkolla të posaçme. Në vendin tonë është krijuar strategjia kombëtare e romëve, ndërsa shumë shpejt do të miratohet edhe Plani Kombëtar i Veprimit. “Plani i detajuar, i cili do të përfundojë në fund të prillit, do të përfshijë një guidë për zbatimin e tij në nivel qendror dhe lokal, si dhe një hartë me donatorët potencialë për çdo fushë”, - tha ministri i Punës, Anastas Duro, i cili deklaroi se objektivi kryesor i qeverisë, anëtarësimi në Dekadën e Përfshirjes së Romëve, është realizuar.
Dekada e Përfshirjes është një nismë e vendeve të Evropës Qendrore dhe Juglindore, mbështetur nga Banka Botërore, UNDP-ja dhe Instituti i Shoqërisë së Hapur, SOROS. Ajo është fokusuar në gjendjen sociale të minoritetit rom në arsim, punësim, shëndetësi dhe strehim. “Situata social-ekonomike e kësaj kategorie vazhdon të jetë problematike. Shkalla e papunësisë sipas grupmoshave arrin 45% tek moshat 15-29 vjeç dhe 30% tek 30-49 vjeç”, – tha ministri Duro. Varfëria tek komuniteti rom është rreth 4 herë më i madh se tek popullsia jorome, sipas treguesve të varfërisë absolute dhe varfërisë ekstreme që përdor Banka Botërore në Evropën Juglindore.
UNDP: Mbështesim qeverinë
Në të gjitha rastet dhe nga të gjithë evidentohet se shkaku kryesor i këtij niveli varfërie tek ky komunitet është përjashtimi social. Gülden Türköz-Cosslett, Përfaqësuesja e Përhershme e UNDP-së në Shqipëri, duke vlerësuar disa nga arritjet e qeverisë që i adresohen realizimit të përfshirjes sociale në veçanti, bëri të ditur se deri në vitin 2010, në qarqet Tiranë, Elbasan dhe Fier do të kemi një situatë pozitive në aksesin e romëve në shërbimet publike. “Në këtë kontekst integrimi i romëve do të thotë para së gjithash edhe një mbështetje për pasurinë e trashëgimisë kulturore dhe shpirtërore të një vendi, ku kultura rome zë një vend të merituar dhe ka kontribute të rëndësishme”, – deklaroi ajo.
Komuniteti rom është ndër komunitetet më të varfra në vend. Ndonëse i homogjenizuar dhe endocentrik, ky komunitet nuk ka arritur të ketë zërin e vet në përfaqësimin politik të vendit. Letërnjoftimet falas mund të jenë hapi i parë në këtë drejtim.
Aktiviteti
Komuniteti rom në Shqipëri, i cili jeton këtu prej më tepër se 600 vjet dhe numëron 80 deri në 100 mijë vetë, në një popullsi prej 3.6 milionë të vendit tonë, kremtoi sot Ditën Ndërkombëtare të Romëve. Kjo ditë feston historinë, traditën dhe kulturën rome dhe ndër të tjera synon të rrisë ndërgjegjësimin për sfidat me të cilat përballet ky komunitet në botë. Me rastin e ditës së këtij minoriteti gjuhësor, Kombet e Bashkuara në Shqipëri, Ministria e Punës, së bashku me Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve zhvilluan një aktivitet festiv në Muzeun Historik Kombëtar. Një element i veçantë që solli aktiviteti i sotëm ishte edhe Panairi i Kulturës Rome, i cili promovoi kulturën rome dhe përfshirjen sociale, faktorë që konsiderohen prova të rëndësishme të vendit tonë për të qenë pjesë e BE-së. Për këtë synim, OKB-ja në Shqipëri mbështet qeverinë për zbatimin e Strategjisë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim. Në partneritet me qeverinë punon edhe “Fuqizimi i Minoriteteve në Nevojë në Shqipëri”, një tjetër projekt që po zbatohet nga PNUD-i, në rajonet Tiranë, Elbasan dhe Fier. Synimi i tij është mbështetja e komunitetit rom në shërbimet sociale nëpërmjet regjistrimit civil, promovimit të planifikimit me pjesëmarrje, zhvillimit të infrastrukturës lokale.
Egjiptianët në protestë: Edhe ne, letërnjoftime falas
Por jo të gjithë dolën të kënaqur nga vendimi për dhënien e kartave falas për komunitetin rom. Një tjetër komunitet në vend, ai egjiptian, ka protestuar dje përpara Kryeministrisë, duke kërkuar karta falas njësoj si romët. Sipas tyre, niveli i varfërisë është i përafërt, në mos i njëjtë, në të dyja komunitetet e për këtë arsye, edhe ata kanë të drejtë të përfitojnë nga politikat sociale të qeverisë. Duke folur për mediat ata deklaruan se komuniteti egjiptian duhet të gëzojë të njëjtat të drejta si komunitetet e tjera dhe një mbështetje të veçantë, për shkak të kushteve ekonomike dhe sociale që jetojnë. Një ditë më parë, një tjetër protestë u zhvillua përpara Kryeministrisë, me kërkesë dhënien e kartave falas, nga pensionistët.