Holandë; Protesta: Çështja çame në Hagë
Çështja çame do të trokasë në dyert e Hagës edhe një herë në datë 19 maj, po në formën e një demonstrate në mbështetje të njohjes së të drejtave të popullsisë çame.
Udha e shqiptarëve për ëndrrën çame tashmë nuk njeh më kufij, për të vënë në vend të drejtat e mohuara dhe mbi të gjitha për trojet e zaptuara padrejtësisht në mënyrën më çnjerëzore. Edhe pse gjeneza e kësaj rruge fillon nga një histori mizore e bërë jo vetëm ndaj zonës së Çamërisë, por të gjithë Shqipërisë, vijimi i saj do të jetë në muajin që pason në Hagë, për të bashkuar çamët anembanë botës, kudo që ndodhen. Në këtë protestë do të ketë një atmosferë të krijuar nga atdhedashuria, si dhe nga përkujtimi i dhimbjes së masakrës së çamëve, që edhe sot e kësaj dite iu kujtohet sikur t’u kishte ndodhur dje, fëmijëve të dikurshëm të mbijetuar çamë, apo sot gjyshërve që kanë treguar ngjarjen dhe historinë me lot, të cilët më shumë se lëngojnë pleqërinë, vuajnë për amanetin e të parëve. Por do të jetë vetë Kryesia e Shoqatës Demokratike "Çamëria" me qendër në Holandë, e cila do të mbledhë dhe një herë shqiptarët kudo që ndodhen, më datë 19 maj 2009, në një demonstratë në sheshin "Maliefelld", në orën 12:30, ku do të jenë të pranishëm të gjithë çamët dhe përkrahësit e çështjes çame. Të mirëpritur do të jenë në veçanti të gjithë çamët që kanë lindur në Çamëri, për të cilët shoqata ka në dispozicion disa fonde për të mbuluar shpenzimet e udhëtimit dhe qëndrimit në hotel, dhe të cilët dëshirojnë të jenë të pranishëm në mbështetjen e çështjes çame. Edhe pse qendra e kësaj shoqate ndodhet larg, për të gjithë të interesuarit është vënë në dispozicion një linjë telefonike për konfirmim apo udhëzim me kryesinë e shoqatës nëpërmjet numrit: 0031-0641683097 apo me e-mail tek f.lato@hotmail.com, komunikim ky që duhet të bëhet sa më shpejt që të jetë e mundur.
Në përfundim të demonstratës është parashikuar të mbahet edhe një konferencë, e cila do të zgjasë tri ditë, ku do të jenë të pranishëm të ftuar nga Zyra e Diskriminimeve të Gjenevës dhe Hagës, si dhe pjesëmarrës nga Organizata e Kombeve të Bashkuara.
Po përafërsisht një vit më parë, apo më saktë më 14 maj të 2008 po Shoqata Demokratike “Çamëria”, me qendër në Utrecht-Holandë, zhvilloi me sukses të plotë protestën e atdhetarëve çamë në qytetin e Hagës, ku morën pjesë rreth 200 atdhetarë çamë të ardhur nga mbarë bota. Protesta filloi në orën 13:00 me pikënisje në sheshin "Maliefelld" dhe u drejtua drejt institucioneve, si Ministrisë së Punëve të Jashtme të Holandës; Ministrisë së Punëve të Brendshme; Ambasadës së SHBA-së në Hagë; Ambasadës së Britanisë së Madhe; Ambasadës Italiane; Ambasadës Greke në Hagë, si dhe Pallatit të Organizatës së të Drejtave të Njeriut.
Box
Kërkesat
Realizimi i pikave të mëposhtme mbetet i një rëndësie jetësore, për një zgjidhje të drejtë të çështjes së shqiptarëve etnikë në Greqi.
1. Mbledhja e një konference ndërkombëtare, me pjesëmarrjen e qeverisë shqiptare, për rivendosjen e të drejtave të minoritetit shqiptar në Greqi dhe për njohjen e genocidit ndaj çamëve.
2. Njohjen nga ana e Greqisë të identitetit etnik të shqiptarëve ortodoksë dhe çamëve, në të njëjtën mënyrë me të cilën qeveria shqiptarë njeh dhe respekton të drejtat e minoritetit grek në Shqipëri.
3. Shpërblim për pronat e popullsisë çame nga qeveria greke.
4. Leje për themelimin e një kishe të pavarur për shqiptarët ortodoksë në Greqi, e cila është një e drejtë që u është dhënë nga Traktati i Sevrës, nënshkruar në vitin 1920.
5. Riatdhesimi në Greqi i popullsisë çame, të dëbuar në Shqipëri dhe dëmshpërblim për humbjet e rezultuara nga konfiskimi i pronave të çamëve në 55 vitet e fundit.
6. Ridhënia e shtetësisë greke, popullsisë çame, që i është hequr në mënyrë të paligjshme.
7. Dhënia fund e trajtimit diskriminues kundrejt shqiptarëve në Greqi dhe kthimin e pronave të tyre, të konfiskuara në mënyrë të paligjshme nga autoritetet greke.
Kontakt
Shoqata Demokratike "Çamëria" (me qendër në Holandë)
Kryetari: z. Festim Lato
e-mail: f.lato@hotmail.com
cel: 0031-0641683097