E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Liberalizimi i vizave, afati maksimal 1 janari i 2011



Aristir Lumezi

Në një intervistë për gazetarin Blendi Fevziu në emisionin "Opinion", Kryeministri Sali Berisha foli nga Brukseli për dorëzimin e pyetësit të KE-së. Berisha foli edhe për procesin e liberalizimit të vizave, duke thënë se data 1 janar i vitit 2011 është afati maksimal për liberalizimin e vizave. Kryeministri u shpreh optimist se liberalizimi i vizave do të ndodhë brenda këtij viti. Ai flet më tej edhe për situatën aktuale.
çfarë ndodhi në ‘97 që u stopua procesi i integrimit?
Shembja e skemave piramidale nga Qeveria ime u shfrytëzua në mënyrën më negative nga klane dhe grupe kriminale, por edhe opozita dhe përmbysën me dhunë pushtetin. Në rast se u shpëtua diçka, u shpëtua falë një platforme që u bë me zgjedhjet. Unë të thashë se nuk është Komisioni Evropian që pengoi Shqipërinë. KE ka butuar librin e bardhë, ku i ka ofruar Shqipërisë hapjen e negociatave. Ndodhi kriza e '97-ës, kriza mund të kapërcehej dhe nuk mund të ishte një moment dënues për Shqipërinë.
Më konkretisht kur do të merret vendimi për liberalizimin e vizave?
Së pari, dua të bëj një korrigjim. Kurrë nuk kam pretenduar se do heqim vizat në mandatin e parë. E vërteta është se me dokumentet biometrike ishim më mbrapa. Udhërrëfyesi që na dha Komisioni u bë një promotor transformimi. Vendi ynë bëri një hodh të madh cilësor. Ka dy vendime. Vendimi i ekzekutivit do të merret gjatë dy ose tre muajve që vijnë
Cili është afati i fundit, më pak optimist sipas mendimit juaj?
Unë jam i bindur se do të jetë brenda këtij viti.
Pra, do të jetë maksimumi data 1 janar i vitit 2011 që shqiptarët do të udhëtojnë pa viza?
Ky është besimi im i plotë.
Në Gjykatën Kushtetuese dhe në Gjykatën e Lartë ka një numër vendesh bosh. Presidenti nuk i ka dërguar ende në Parlament, ndoshta prej mungesës së opozitës. Gjithsesi ai është shprehur se ajo që ndodhi herën e parë, kur u rrëzuan 5 kandidatura, nuk do të ndodhë më. A keni pasur ndonjë kontakt me Presidentin për përzgjedhur këto emra?
Nuk ka pasur asnjë kontakt, por këtu dua të bëj një sqarim. Presidenti Bamir Topi vendosi një praktikë të re në emërimin e gjykatësve.
Që ishte emërimi pa konsultim?
Që ishte emërim pa konsultim paraprak me kryetarët e me grupet parlamentare, apo forcat politike. Fillimisht kjo u duk si arbitraritet i panevojshëm më pas Presidenti përpunoi një praktikë të mbledhjes së kandidaturave. Krijoi një komision të shqyrtimit të kandidaturave, pra krijoi procedurën e institucionit të Presidencës. Së dyti, Parlamenti krijoi edhe ai mekanizmin e vet të shqyrtimit të kandidaturave.
Për të rrëzuar, apo kaluar kandidatura...
Më falni, por nuk ka presidentit në botë që ka të garantuar për mbështetjen e vendimeve të tij nga Parlamenti.
Pra, nuk ka pasur bisedime paraprake... ?
Nuk ka pasur bisedime parapake. Do të gjykojmë pa paragjykim. Instalimin e kësaj procedure nga ana e Presidentit të Republikës, unë e konsideroj si pozitiv. Ai përcakton kandidatura në raport me procedurën që ka përcaktuar. Parlamenti në raport me procedurën e vet merr vendimet e tij.
A janë raportet tuaja të tensionuara si më parë me Presidentin Topi?
Raportet e mia janë institucionale, normale. Nuk kam raporte të tensionuara me asnjë institucion.
Ka një pyetje, që pse zoti Meta nuk ishte në Bruksel?
Në protokoll nuk ndodh që të jetë edhe Kryeministri edhe zëvendëskryeministri. Së dyti, është Ministria e Integrimit ajo që ka qenë menaxhere e të gjithë procesit të trajtimit të pyetjeve. Normalisht që ajo duhet të ishte e pranishme.
Raportet tuaja me zotin Meta, janë normale?
Janë plotësisht normale dhe shumë normale jo vetëm me zotin Meta, por me të gjithë koalicionin.
A la hije në raportet shqiptare greke incidenti kur një kompani ushtarësh këndonin këngë fyese në Selanik?
Mendoj se ai ishte një akt shumë i shëmtuar, i njësie ushtarake të një vendi të NATO-s, të një vendi fqinj, të demonstronte një gjë të tillë në bulevardin e kryeqytetit të vet. Nga ana tjetër, reagimi i Qeverisë ishte i menjëhershëm dhe i plotë. çka do të thotë se qëndrimi i një ushtaraku dhe një batalioni nuk kishte të bënte aspak me vullnetin e Qeverisë greke. Nuk mendon se kjo mund të lerë gjurmë në marrëdhëniet mes dy vendeve. Qeveria greke duhet dhe është në interesin e saj të analizojë arkivën e njësive të saj dhe ajo duhet të pastrohet nga reminishencat që i përkasin luftës së ftohtë. Sikundër një rishqyrtim kryesor për tekstet në Shqipëri. është e domosdoshme që tekstet të pastrohen nga reminishencat e kaluara.
A do të jetë zoti Basha kandidat për Bashkinë e Tiranës?
Tani nuk jam këtu për të lënë pa gjumë kundërshtarin tim.
Kundërshtari juaji ju ka mundur tri herë...
Në kuptimin e saj, derisa të vijë fushata zgjedhore askush nuk do të dijë se kush do të kandidojë për Bashkinë e Tiranës. Nuk kam kandidaturën deri sa të vijë momenti i zgjedhjeve
Do të hyni në zgjedhje bashkë me LSI-në?
Absolutisht po. Bashkë për qeverisje bashkë do të ftojmë.

PS: Fule inkurajoi transparencën
PS përshëndeti dje dorëzimin e pyetësorit të KE-së në Bruksel. Në një deklaratë për shtyp nga selia rozë, deputeti Ditmir Bushati tha se PS mbështet procesin e kandidimit të Shqipërisë në BE, por e shikon kauzën e transparencës së zgjedhjeve "të inkurajuar dhe nga komisioneri Fule", sipas PS, të lidhur ngushtë me këtë proces. "Partia Socialiste beson se integrimi në familjen evropiane nënkupton para së gjithash adoptimin e vlerave dhe parimeve që qëndrojnë në themel të këtij unioni dhe kauza jonë për transparencë dhe garantimin e standardeve demokratike në jetën publike është pikërisht në funksion të procesit të evropianizimit dhe transformimit të vendit", tha Bushati. Më tej, Partia Socialiste falënderon angazhimin e institucioneve të Bashkimit Evropian për ta trajtuar me përparësi procesin e liberalizimit të vizave dhe integrimit evropian të Shqipërisë, dhe akuzon Qeverinë për mungesë serioziteti në realizimin e reformave
që ka bërë që procesi i integrimit të vonohet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›