Berisha: Ligji Antimafia edhe mbi pushtetarët që kanë përfituar nga pronat publike

Tiranë, 25 janar NOA Kryeministri, Sali
Berisha paralajmëroi sot se Ligji Antimafia i cili ka hyrë tashmë në fuqi do të
çmontojë pasuritë e mëdha të përvetësuar nga pushtetarët e të gjitha niveleve
gjatë këtyre 18 viteve që sipas tij kanë bërë batërdinë mbi pronat publike të
këtij vendi.
Unë kam deklaruar se Mali i Dajtit është më i
vogël sesa falsifikimet e përbindshme që kanë bërë në zonat më turistike, më të
çmuara, më të kushtueshme të vendit tha sot Berisha në mbledhjen e radhës së
grupit parlamentar të Partisë Demokratike.
Janë një seri vendimesh dhe ligjesh që do të
miratohen gjatë 2-3 javëve që vijnë, për ti dhënë përgjigjet më përfundimtare
këtij procesi. Ligji për Moratoriumin e skafeve, që ndodhet në parlament, pret
firmën tuaj, votën tuaj, për të dërguar mesazhin më të shkëlqyer të
vendosmërisë së autoriteteve shqiptare për luftën me zero tolerancë ndaj krimit
të organizuar.
Ligji për konfiskimin e aseteve të krimit të
organizuar, hyn tani në fuqi. Ndërkohë, do të ngrihet një komitet i veçantë për
të mbikëqyrur zbatimin e këtij ligji, zbatim i cili është jetik e vendimtar për
çmontimin e mafies, konsolidimin e paqes, sigurisë e stabilitetit në vend tha
sot Berisha.
Me tej kryeministri u ka bërë thirrje të
gjithë qytetarëve që disponojnë të dhëna, ti dorëzojnë ato, në interesin më të
mirë të vendit për të denoncuar aktet korruptive të pushtetarëve që grabisin
tokat.
I garantoj se, në përputhje me ligjin, ata do
të shpërblehen. Ju do thoni se përse unë ftoj qytetarët të dorëzojnë dëshmi me
dokumente. Sepse ata që kanë grabitur e plaçkitur, kanë përdorur edhe pushtetin
e tyre për të zhdukur, për të mykur, për të pluhurosur sa më shumë dokumentet.
Beteja është e vështirë, presionet janë të
mëdha dhe të jashtëzakonshme, vullneti është i hekurt. Asgjë nuk mund të
pengojë këtë mazhorancë të nxjerrë në dritën e diellit të gjitha të vërtetat e
makutërisë së pafundme të ushtruar, të abuzimit të jashtëzakonshëm që është
bërë. Numri i pronarëve të regjistruar në mënyrë të paligjshme, ka rrezik tejkalon
qartë atë të pronarëve të vërtetë tha kreu i qeverisë.
k.k/NOA