E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: “Ligji i ri i Urbanistikës, 50 ditë për të dhënë lejen e ndërtimit”



Kryeministri Berisha tha dje në mbledhjen e Këshillit të Ministrave se ligji i ri i Urbanistikës do të parashikojë një periudhë prej 50 ditësh për të miratuar dhënien e lejes së ndërtimit. Duke e cilësuar situatën aktuale në këtë fushë negative, Berisha tha se përgjegjësia kryesore bie mbi qeveritë vendore. “Ligji i urbanistikës do të pësojë ato ndryshime, të cilat do të parashikohen pikë për pikë në ligjin e ri të urbanistikës. Dhe leja e ndërtimit nuk do të mund të zgjatet më në asnjë rast dhe në asnjë rrethanë mbi 50 ditë”, - është shprehur Berisha. Ai shpjegoi se brenda këtij afati nënkuptohet shqyrtimi i dokumentit të pranuar brenda një jave, kurse për periudhën 42-ditore do të bëhet plotësimi i dokumenteve, të cilat reduktohen nga 22 apo 24 dokumente në 8 dokumente. “Njësitë e qeverisjes vendore do të funksionojnë si One Stop Shop për to. Do të jenë ato që do të sigurojnë çdo dokument publik, përfshi zjarrfikësin, telekomin, elektrikun, ujësjellësin, etj. Natyrisht dhe ato kanë kohën e duhur, por KKRT-ja duhet të vendosë brenda 45 ditëve, përfshirë zbardhjen e lejes në këtë afat”, - është shprehur Berisha. Kryeministri u shpreh se ndryshimet do të parashikojnë që qytetari nëse nuk merr përgjigje brenda këtij afati, ka të drejtë të fillojë ndërtimin, por gjithashtu parashikon edhe ndëshkime ligjore për qytetarët, të cilët tentojnë të përdorin këtë afat në mënyrë abuzive. “Në qoftë se në ditën e 51-të qytetari nuk ka marrë me shkrim lejen apo vendimin e motivuar për mosdhënien e saj, ai do të ketë të drejtën të fillojë ndërtimin. Por në rast se qytetari bëhet vetë përgjegjës dhe tenton të përdorë afatin në mënyrë abuzive, do të takohet me Kodin Penal të ndërtimit pa leje që parashikon në variantin e ri rreth 8 vjet burg”, - është shprehur Berisha. Kryeministri theksoi se me të gjitha këto ndryshime i jepet një frymëmarrje më e madhe sektorit kryesor të ekonomisë, ndërtimit, të cilësuar si promotorin e zhvillimit të vendit, si dhe i vihet një barrierë e madhe informalitetit.

27 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›