E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndryshojnë çmimet e trojeve brenda vijës së verdhë në të gjitha qytetet

Qeveria miraton çmimet e reja të trojeve për 12 qarqet e vendit. Agjencia e Legalizimeve, gati dokumentet për kompensimin e 126 pronarëve

Eljona Ballhysa
Këshilli i Ministrave ka miratuar gjatë mbledhjes së djeshme tabelat me çmimet e reja të trojeve në të gjitha qytetet e vendit. Me propozim të ministrit të Drejtësisë, qeveria ka miratuar çmimet e trojeve brenda vijave të verdha në të gjitha qytetet e vendit në të 12 qarqet. Megjithatë, qeveria nuk e bën publike listën e çmimeve, pasi gjatë mbledhjes së qeverisë i janë bërë ndryshime të tjera dhe ende nuk është zbardhur drafti përfundimtar. Edhe drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Pronave, Tunxh Vatnikaj, bëri të ditur për gazetën se nuk e ka marrë ende vendimin e qeverisë me të cilin do të punojë kjo agjenci për të realizuar kompensimin financiar të ish-pronarëve. Ky vendim është shumë i rëndësishëm për realizimin e procesit të kompensimit të ish-pronarëve apo dhe të pronarëve tokat e të cilëve janë zënë nga ndërtimet pa leje si dhe për shpronësimet publike.
Vendimi
“Në mbështetje të Nenit 100 të Kushtetutës dhe të Nenit 17 të Ligjit Nr. 9235, datë 29.7.2004, “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave vendosi: Miratimin e çmimeve të trojeve urbane, brenda vijës së verdhë së të gjitha qyteteve, në të dymbëdhjetë qarqet, sipas tabelave, që i bashkëlidhen këtij vendimi. Harta, ku janë të përcaktuara zonat e vlerësimit të tokës, do të shërbejnë ato të miratuara me: Vendimin Nr.555, datë 29.8.2007, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e çmimeve të trojeve, të përcaktuara në hartat përkatëse, për qarqet e Beratit, Gjirokastrës, Vlorës e të Dibrës, si dhe qytetet Bulqizë, Burrel, Klos dhe Vlorë”; Vendimin Nr. 653, datë 29.9.2007, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e çmimeve të trojeve, të përcaktuara në hartat përkatëse, për qarqet e Lezhës, Dibrës, Korçës dhe Kukësit”; Vendimin Nr.139, datë 13.2.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e çmimeve të trojeve, të përcaktuara në hartat përkatëse, për qarqet e Fierit, Elbasanit, Tiranës, Vlorës, Durrësit dhe Shkodrës”, - bëhet e ditur në vendimin e qeverisë.
Legalizimet
Nga ana tjetër, Agjencia e Legalizimeve ka përfunduar dokumentacionin e nevojshëm për kompensimin e 126 pronarëve për tokën e zënë nga ndërtimet informale. Lista me 126 pronarët e qarkut të Tiranës, Shkodrës dhe Elbasanit, është dërguar për miratim në Këshillin e Ministrave. Burime nga ALUIZNI bëjnë të ditur se kjo listë me emrat e pronarëve dhe me sipërfaqet takuese të truallit i është dërguar dje Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për të bërë verifikimet e nevojshme dhe për të llogaritur paratë që përfiton secili nga këta pronarë. Pritet shumë shpejt që lista e pronarëve të marrë miratimin e Këshillit të Ministrave. Gazeta “Albania” boton të plotë listën e emrave të pronarëve që përfitojnë nga ky vendim.

27 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›