Meta takon kryekomisionerin Oli Rehn, diskutohet për zgjedhjet
Komisioneri i BE-së për Zgjerimin, z. Oli Rehn, priti dje në Bruksel ish-kryeministrin dhe kryetarin e LSI-së, Ilir Meta.
Gjatë këtij takimi, që zgjati rreth 40 minuta, Meta paraqiti para komisionerit Rehn shqetësimet mbi problemet që ka Kodi i ri Zgjedhor, mungesën e garancive për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Shqipëri, si dhe monopolizimin që kanë bërë dy partitë e vjetra, PD dhe PS, për administrimin e procesit zgjedhor, në kundërshtim me rekomandimet e OSBE-ODIHR-it, si dhe me dokumentet e rëndësishme ndërkombëtare për zgjedhjet.
Nga ana e tij, kryekomisioneri Rehn i përcaktoi zgjedhjet e ardhshme si kushtin kryesor të integrimit të Shqipërisë në BE. Pas takimit, zëdhënësja e Oli Rehnit konfirmoi se takimi midis kryekomisionerit dhe kreut të LSI-së ka qenë në lidhje me zgjedhjet në Shqipëri dhe rëndësinë e tyre për integrimin e vendit. “Takimi midis zotit Rehn dhe zotit Meta ka pasur si temë çështjen e zgjedhjeve në Shqipëri. Këto zgjedhje janë shumë të rëndësishme për Shqipërinë”, - tha zëdhënësja. Ndërkaq, gjatë vizitës së tij në Bruksel, lideri i LSI-së zhvilloi një takim edhe me sekretarin e Përgjithshëm të Partisë Socialiste Europiane (PSE), Filip Kordery. Sekretari i Përgjithshëm i PSE-së tha gjatë takimit se “jemi të shqetësuar për zgjedhjet e ardhshme në Shqipëri, të cilat duhet të zhvillohen përmes një procesi zgjedhor të lirë dhe të ndershëm, në përputhje me standardet dhe garancitë ndërkombëtare për zgjedhjet”. Kordery e ftoi Metën në Këshillin e PSE-së, që do të mbahet në Madrid, në fillim të dhjetorit.
27 Nentor 2008