Kodi, LSI-ja, protestë për mbrojtjen e votës së lirë
Protesta e djeshme kishte mbledhur përkrahës të partive LSI, PDK, PS’91 dhe LZHK
TIRANË- Ashtu siç ishte paralajmëruar, Lëvizja Socialiste për Integrim, zhvilloi dje protestën në sheshin “Skënderbej” nën moton: “Në mbështetje të votës së lirë”. Protesta e djeshme kishte mbledhur përkrahës të partive LSI, PDK, PAD, PS’91 dhe LZHK, me qëllim mbrojtjen e votës së lirë. Gjatë protestës, nën moton për votën, kanë folur përfaqësues të ndryshëm nga shoqëria civile, por edhe vetë kreu i LSI-së, Ilir Meta. Në fjalën e tij, Meta theksoi se greva e urisë e ndërmarrë para disa kohësh, i shërbeu sensibilizimit të shqiptarëve. “Jemi sot më shumë se kurrë, dhe akoma më tepër në muajt që do të vijnë, duke ndërmarrë një fushatë të jashtëzakonshme sensibilizuese dhe garantuese, në mënyrë që jo shqiptarët të kenë frikë se mos u keqnumërohet vota, por ata të dy të kenë tmerr po prekën edhe një votë shqiptari në zgjedhjet e ardhshme. Ne jemi të vendosur që këtë aleancë kaq të gjerë, në emër të lirisë suaj dhe të gjithë shqiptarëve, ta vazhdojmë, dhe, pavarësisht nga koalicionet elektorale, ne do të bashkëpunojmë me të gjitha forcat politike, të majta apo të djathta, me të gjithë aktorët e shoqërisë civile, të cilët duan një Shqipëri të lirë, një Shqipëri ku vota e çdo qytetari numërohet dhe shkon atje ku i do zemra dhe vullneti i tij i lirë”,- tha Meta. Ndërsa kryetari i PDK-së, Nard Ndoka, tha gjatë fjalës së tij, se PDK-ja nuk do të reshtë së kërkuari metoda dhe mënyra nga kompanitë e huaja, por edhe nga partitë simotra, për vëzhgimin dhe monitorimin e këtyre zgjedhjeve, me qëllim që çdo votë e qytetarëve shqiptarë, të numërohet drejt. “Dy partitë e vjetra janë sot në minorancë, do të jenë edhe më të pavotuara në zgjedhjet e ardhshme parlamentare”,- tha ai. Mitingu i zhvilluar dje në sheshin “Skënderbej”, do t’u paraprijë protestave të tjera në të gjithë vendin.