E Diel, 1 Nëntor 2026

Vizita, Topi fton investitorët turq në Shqipëri

 

Topi ftoi investitorët turq dhe të tjerë të rrisin numrin e pranisë së tyre në vendin tonë.

TIRANË- Në ditën e dytë të vizitës zyrtare, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i ka kushtuar rëndësi mundësisë së tërheqjes së investitorëve turq në Shqipëri. Së bashku me delegacionin që e shoqëron, Topi ka qenë në qytetin e Stambollit, ku ka zhvilluar një takim pune me përfaqësues të biznesit, kompanive dhe firmave prestigjioze turke. Presidenti Topi është pritur nga Kryetari i Shoqatës së Dhomave të Tregtisë së Ballkanit dhe të Bordit të Marrëdhënieve Ekonomike me Jashtë, Rifat Hisarcikliolu, Kryetari i Këshillit të Biznesit shqiptaro-turk, Hasmet Kyrym dhe biznesmenë të tjerë. Në fjalën e mbajtur për përfaqësuesit e biznesit ballkanik, kreu i shtetit vuri në dukje se marrëdhëniet ekonomike dhe shkëmbimet tregtare midis dy vendeve, kanë njohur rritje të dukshme, por ai theksoi nevojën e intensifikimit të shkëmbimeve ekonomiko-tregtare. Duke vënë në pah klimën e favorshme të të bërit biznes, kuadrin e duhur ligjor dhe lehtësirat fiskale në Shqipëri, Presidenti Topi ftoi investitorët turq dhe të tjerë, të rrisin numrin e pranisë së tyre në vendin tonë. “Në Shqipëri ka shumë sektorë që paraqesin interes të veçantë për të investuar dhe, ndër to, unë do të veçoja energjitikën, infrastrukturën dhe industrinë e turizmit, që ju ftojnë të llogarisni shanset tuaja për të investuar dhe maksimizuar fitimet tuaja,”- tha Topi. Në fund të vizitës së tij në Republikën e Turqisë, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, vizitoi gjithashtu Universitetin e Bosforit, ish-Robert kolegjin në Stamboll, ku u prit nga Rektori, Prof. Dr. Kadri Ezcaldiran, në zyrën e presidentit dhe qendrën e konferencave. Përmes kësaj vizite, Presidenti Topi shfrytëzoi rastin të shohë nga afër dhemjediset dhe kampusin universitar, ku ka studiuar dikur dhe i ati i tij. Me këtë rast, kryetari i shtetit u takua dhe u përshëndet edhe me disa studentë shqiptarë që ndjekin studimet e larta në këtë institucion arsimor. Vizita dyditore në Turqi e Presidentit Topi, u mbyll menjë vizitë në Pallatin Historik “Dollmabaçe”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›