E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Lufta antikorrupsion, kusht për suksesin e reformave

Duke theksuar se kjo është reforma më e vështirë por më e rëndësishmja ndër të gjitha reformat, kryeministri përgëzoi punën që është bërë dhe rezultatet që janë arritur, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit.
    
"Ju dëgjoni që Shqipëria është 27 % më lart se vendet e tjera të OECD-së për regjistrimin  e biznesit. Është sepse është luftuar korrupsioni me ato procedura. Gjithçka dixhitalizohet dhe shkon jashtë sistemit të korrupsionit. Ne duhet të kemi të qartë se për të kapur standardet, nuk ka rrugë më të sigurt sesa lufta kundër korrupsionit. Disa studime, nga më seriozet të besueshme, dëshmojnë një rënie te ndjeshme të tij gjatë vitit që shkoi. Por, sërish unë kërkoj nga ju që ta vendosim mbi çdo gjë këtë kriter, si kriterin themelor", u shpreh kryeministri.
    
Më tej, ai përgëzoi të gjithë drejtuesit e shërbimeve, departamenteve, mjekët,  infermierët e aktorë të tjerë të përfshirë në proces, për  punën që kanë bërë gjatë vitit në hartimin e udhërrëfyesve dhe të protokolleve të praktikës klinike, çka përbën një arritje të madhe, që do të mundësojë finalizimin sa më shpejt të kostifikimit në shërbimet shëndetësore, si një nga kushtet themelore kjo për të përmirësuar në vazhdimësi cilësinë e shërbimit dhe për të përdorur në mënyrën më efiçente burimet  e disponueshme financiare.
    
"Duhet të bëjmë që çdo faturë e kostifikuar t’i shkojë institutit. Faturat, kostot e çdo analize e çdo medikamenti dhe çdo procedure, t’i dërgohet institutit të sigurimeve të kujdesit shëndetësor. Kjo nuk është një praktikë e thjeshtë, që duhet ta instalojmë, sepse është themelore", theksoi kreu i qeverisë.
    
Z. Berisha ndaloi dhe në një tjetër moment shumë të rëndësishëm, në projektligjin për sigurimin e detyrueshëm shëndetësor, i miratuar këtë javë në mbledhjen e qeverisë,  i cili garanton vendosjen e skemës së sigurimit të detyrueshëm shëndetësor dhe mundëson ndër të tjera hapjen gjerësisht drejt sektorit privat.
    
Kryeministri  theksoi se ky ligj është zgjidhja më e mirë, pasi nuk rrit taksën për qytetarët e siguruar, zgjidhje e cila e detyron qeverinë që të ndihmojë kategori të caktuara, të cilat do të kenë të garantuar kujdesin shëndetësor.
    
"Rëndësi të madhe ka fakti që p/ligji për sigurimin e detyrueshëm shëndetësor kaloi. Mori fund një debat i gjerë 4-vjeçar. Ka pasur shumë ide nga më kontradiktoret për vendosjen e këtij sistemi, por është bërë zgjidhja më e mirë, më realiste, zgjidhje e cila nuk rrit taksën për qytetarët e siguruar dhe që e detyron qeverinë të paguajë për ata që nuk kanë mundësi të paguajnë. Janë kategori të cilat do të ndihmohen  dhe do të kenë të garantuar kujdesin shëndetësor", nënvizoi kryeministri Berisha gjatë mbledhjes së sotme të Task-Forcës për reformën në shëndetësi. /start/

                                                                                             2011-01-08 14:29
  [ 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›