E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hetimet për Fazliçin, sot afati i fundit

Autori i Lajmit: Romir Saraçi
Dosja “Fazliç”

Sot mbyllen hetimet për biznesmenin serbo-boshnjak Damir Fazliç. 7 maji është edhe data e fundit e hetimit pas shtyrjes një mujore që bëri Prokuroria e Tiranës. Por edhe pse afatet u shtynë me qëllim që të merrej një përgjigje nga letërporositë, sërish ato prova nuk do të jenë në dispozicion të Task-Forcës. Shkak për këtë është bërë moskthimi i përgjigjes në kohë nga autoritetet e Qipros dhe Anglisë si dhe vonimi i procedurave nga Ministria e Drejtësisë për letërporosinë e ardhur nga Zvicra. Prej disa ditësh në Ministrinë e Drejtësisë kanë mbërritur përgjigjet nga Zvicra për transfertën e 1.7 milion eurove si dhe për dërgimin e tyre në drejtim të bankave angleze dhe në Bosnje. Por ky informacion i është privuar grupit të hetimit, pasi deri dje përgjigjet e letërporosive nuk u dërguan në Prokurori.
Mbyllja
Sipas burimeve nga Prokuroria mësohet se hetimet në vendin tonë kanë kohë që kanë përfunduar dhe të gjitha provat e grumbulluara janë administruar në dosjen që do të dërgohet në gjykatë brenda afateve zyrtare. Sipas po të njëjtave burime mësohet se edhe nëse nuk vjen përgjigjja e letërporosisë, organi i akuzës është i detyruar të mbyllë hetimet, pasi veprimet duhet të kryen para përfundimit të afatit. "Hetimet e nevojshme në Shqipëri për dosjen “Fazliç” kanë përfunduar, duke marrë një sërë shkresash, kontratash të blerjes së 14 hektarëve tokë në fshatin Rinia të Porto Romanos në Durrës, marrja në pyetje e banorëve që ia kanë shitur këto prona, pyetjen e personave që kanë punuar për llogari të serbo-boshnjakut Fazliç, vetë personin në hetim dhe shumë shkresa të tjerë që janë administruar në fashikullin hetimor",- kanë pohuar burime nga Prokuroria. Sipas Prokurorisë, me shitjen e kompanisë "Croun Acquisition" tek kompania me seli në Qipro "Altarie Reserach Limited", biznesmeni Fazliç i ka shitur 140 mijë metra katrorë truall, me dy parcelat në fshatin Rinia të komunës Porto Romano në Durrës, pa paguar detyrimet tatimore pranë institucioneve vendase.
Letërporositë
Nga letërporositë e dërguara këtyre vendeve priteshin përgjigje tepër të rëndësishme, pasi llogaritë bankare të këtyre vendeve janë përdorur nga kompanitë e biznesmenit Fazliç në transferta të ndryshme parash, nga njëri shtet në tjetrin dhe në Shqipëri. Sipas këtyre burimeve, letërporosia që pritej të vinte nga Qiproja ka të bëjë me të ardhurat e përdorura nga shoqëria "Altarie Reserach Limited" për blerjen e kompanisë "Croun Acquisition" me një vlerë prej rreth 1.7 milion euro. Por edhe në mungesë të këtyre letërporosive, hetimet do të mbyllen kanë pohuar burimet pranë Prokurorisë. Deri më tani organi i akuzës disponon vetëm përgjigjet e ardhur nga Bosnja si dhe nga vendet fqinje, përmbajtja e të cilave nuk bëhet e ditur për arsye hetimi.

Shtyrja e afatit deri më 8 maj
Një muaj i ka zgjatur hetimet e saj Prokuroria e Tiranës për dosjen "Fazliç". Vendimi i marrë nga ana e dy prokurorëve të çështjes u është komunikuar avokatëve mbrojtës, të cilët kanë kundërshtuar vendimin duke bërë padi në gjykatë. Sipas organit të akuzës zgjatja e hetimeve është e ligjshme, pasi ajo është bërë në kontekstin e pritjes së letërporosive dhe është e parashikuar në ligj. Ndërkaq, nga ana tjetër avokatët mbrojtës të personit nën hetim kanë pasur interpretim të kundërt për shtyrjen e afateve, duke e cilësuar si të jashtëligjshëm
Ky lajm është publikuar: 07/05/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›