Kryetari i PS-së po sillet me dokumentin e ODIHR-it si redaktor gazete e jo si lider politik

Dokumenti i ODIHR-it për zgjedhjet e 8 majit po shërben këto ditë si një laborator për të testuar aftësinë e Edi Ramës për t’u sjellë si lider politik e posaçërisht si kryetar opozite. Dhe sjelljet e Edi Ramës janë krejtësisht sjellje jopërfaqësuese për një politikan. Ai s’ndodhet në Shqipëri kur shpallet dokumenti, edhe pse kishte një javë rresht që propagandohej dita, dhe pasi dokumenti u shpall, ai papritur u gjend gafil nga skafella turistike ku është, e s’dinte si të sillej. Kështu që, përderisa i huqi pozicioni i politikanit (i liderit të opozitës po e po), iu kthye profesionit të kakofonisë, atij që e ka provuar edhe herë tjetër e s’i ka dalë aq keq. Edi Rama ka tre ditë që po sillet me raportin e ODIHR-it, siç sillet një redaktor gazete me një dokument me rëndësi që i bie në dorë. E ka ndarë me kapituj dhe ua ka dhënë kalecëve të vet ta konspektojnë. Saimir Tahiri i pari foli për hyrjen e raportit, më pas, në një artikull – po, po, artikull e jo dalje në konferencë për shtyp – u shfaq Arta Dade, pastaj u shfaq Erion Veliaj e sipas të gjitha gjasave, këto dy ditë, sipas detyrave të shpërndara, do të shfaqen me “editorialet” e tyre edhe Vasilika Hysi, Olta Xhaçka, Ermonela Felaj, Rudina Seseri e ndoca të përzgjedhurav të tjera për këso punësh. Me një fjalë, do të shoqërohet kjo sjellje jopolitike, siç bën një redaktor gazete kur do ta shkërmoqë dokumentin e ta zbërthejë në pasazhe që i vlejnë më shumë faqe gazete dhe e hutojnë edhe më tepër lexuesin e djegur nga dielli të verës, derisa të mbyllet turi i gushtit (lakuriqësisë) i kryetarit të partisë, e ai të kthehet në atdhe, e të dalë në publik që “të bëjë politikë”. Ky stacion gjithsesi ka për të ardhur, por deri atëhere, provat dhe editorialet do të jenë të mjaftueshme, që jo vetëm opinioni publik, por edhe komuniteti ndërkombëtar të ketë kuptur se interlokutori i tyre nuk është lider opozite me kohë të plotë, por në të shumtën e kohës është tipologjia e atij llapaqenit që e gjen rëndom në paradhomat e redaksive të gazetave.
Rama, akuza për tradhti - Londra, Parisi dhe Athina shpresa e tij e fundit
Kryesocialisti Edi Rama lexoi dhe trajtoi sipas dëshirës së tij, dokumentin 35 faqesh të OSBE-ODIHR, i cili legjitimon fituesit e 8 majit. Në dy ditë të ndryshme, pas zbërthimit rrënqethës të raportit të ndërkombëtarëve, Rama urdhëroi çetën e keqbërësve të PS, me kapter Tahirin në krye, për të shigjetuar raportin e vëzhguesve si dhe njëherazi, duke zgjedhur shantazhin ndaj mazhorancës, në vend të pranimit të konsensusit për hartimin e Kodit të ri Zgjedhor. Raporti i OSBE/ODIHR ishte shpresa e fundit e Edi Ramës për të justifikuar alibitë banale lidhur me humbjen e tij në Tiranë dhe dërrmimin elektoral të PS-së me koalicionin e saj, në rang kombëtar. Por, kjo s’funksionoi. Në këto kushte, kryesocialisti u gjend në mes të katër rrugëve dhe nisi përpilimin e strategjive të reja politike. Kërcënimi se socialistët janë po aq të revoltuar sa bandat kriminale në Londër, Paris apo Athinë, tregon gjendjen e rëndë psikologjike të kryesocialistit të dështuar Edi Rama. Por, kjo s’ndalet me kaq, sepse raporti i vëzhguesve të ODIHR, është i përpiktë, korrekt dhe realist. Raporti më dinjitoz, i cili përshkruan me detaje të hollësishme të gjithë kursin elektoral, para dhe pas zgjedhor, duke evidentuar përparësitë, realizimin e standardeve dhe mangësitë e vërejtura, për vakum ligjor, apo mos respektim të ligjit teknikalisht - pjesërisht apo në zona lokale. Por, Edi Rama, nuk priste të shfletonte një raport që legjitimon zgjedhjet e 8 majit, por për më tej akoma, i konsideron ato plotësisht në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR. Drama s’kishte të kryer, teksa brenda pak minutash Edi Rama kuptoi se deklarata për shtyp e kapter Saimir Tahirit, ishte thjesht një komunikim me fjali të ngatërruara dhe që në asnjë paragraf nuk parashikohej qëndrimin konkret i PS-së. Editoriali “mbi shfajësimin e 8 majit”, doli jashtë orbitës së raportit, ndërsa vëmendje i kushtohej rebelimit kriminal të celulave të drogës dhe prostitucionit në disa qytete të Britanisë së Madhe, duke hequr paralelizma me vendin tonë. Ky është problemi i Edi Ramës dhe peng-marrja e tij nga e kaluara dhe “vallet mortore”. Kuptohet se Edi Rama u ndje i prerë në besë, pasi ai priste një raport sipas justifikimeve të alibive të tij, mbi zgjedhjet e 8 majit. Fatmirësisht, Edi Rama dhe falangat e tij kriminale, tashmë thuajse janë izoluar, ndërsa Londra, Parisi dhe Athina, nuk i vijnë dot në ndihmë.
...