Berisha: Luftë korrupsionit në sektorin privat, sipas shembullit të mirë të sektorit publik
“Është shumë normale që qeveria të përqendrohet në të gjithë potencialin e saj në luftën kundër korrupsionit në sektorin publik, por do të ishte e pafalshme në se qeveria injoron korrupsionin në sektorin privat, sepse prej tij mund të vuajë konkurrenca që është problemi më madhor. Prej tij mund të viktimizohen qytetarët”.
Ky ishte mesazhi që përcolli në mbledhjen e djeshme të qeverisë, Kryeministri Sali Berisha, i cili kujtoi se si përvojë mund të merren vendet me renditjen më të mirë në klasifikimin e “Transparency International”.
Midis të tjerave, Kryeministri Berisha paralajmëroi dje në mbledhjen e radhës të qeverisë, edhe rishikimin e afatit të dhënies së lejeve të ndërtimit, zgjatja e të cilit për shkak të burokracisë synon parapërgatitjen e terrenit për ryshfetin.
Përvoja antikorrupsion
Duke ripërsëritur se objektivi numër një në programin e qeverisë është lufta kundër korrupsionit, ai kujtoi se për rezultate edhe më të mira në këtë drejtim duhet të nxirren mësime nga praktikat më të mira të vendeve të cilat qëndrojnë në krye të renditjes së “Transparency International”.
Lidhur me këtë argument, Kryeministri tha se kuadri ligjor i luftës kundër korrupsionit në sektorin privat, duhet të plotësohet në përputhje me konventën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara kundër korrupsionit.
“Zotërinj ministria, objektivi numër 1, në programin në Luftën kundër korrupsionit duhet të nxirret nga praktikat më të mira të 20 vendeve më të mira. Duhet ti instalojmë këto praktika, duhet ti vëmë në jetë, që të kenë rezultate. Sikundër paralelisht me të dhe gradualisht në përputhje me konventën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara kundër korrupsionit, duhet të plotësohet i gjithë kuadri ligjor për sektorin privat”.
Lejet e ndërtimit
Më pas Kryeministri u ndal edhe te lejet e ndërtimit, për të cilat paralajmëroi rishikimin e afatit të tyre, zgjatja e të cilit për shkak të burokracisë synon parapërgatitjen e terrenit për ryshfetin.
“Për sa i përket lejeve të ndërtimit, nuk do të ketë më 15 për qind se në mënyrë absolute do të ketë automatikisht të drejtën e ndërtimit në qoftë se i mohohet në kundërshtim me planin, në qoftë se i zgjatet për shkak të gjobës. Do të ketë një afat. Zgjatjet e afatit janë procesi i vjeljes së gjobës. Prapa çdo zgjatje afati të burokracisë, të paktën në 90 për qind të rasteve qëndron ai proces që synon parapërgatitjen e terrenit për ryshfetin. Heshtja konsiderohet miratim”, u shpreh Kryeminisri Sali Berisha midis të tjerave në mbledhjen e radhës të Qeverisë.
Antikorrupsioni te privati
Duke e cilësuar të domosdoshme përqendrimin e qeverisë me të gjithë potencialin e saj në luftën kundër korrupsionit në sektorin publik, kryeministri u shpreh se nuk duhet që qeveria të injorojë korrupsionin në sektorin privat, i cili mund të dëmtojë rëndë konkurrencën e lirë dhe qytetarët.
“Është shumë normale që qeveria të përqendrohet në të gjithë potencialin e saj në luftën kundër korrupsionit në sektorin publik, por do të ishte e pafalshme në se qeveria injoron korrupsionin në sektorin privat, sepse prej tij mund të vuajë konkurrenca që është problemi më madhor. Prej tij mund të viktimizohen qytetarët”.
Shfaqjet e kartelizimit
Kryeministri Berisha kërkoi më tej nga Ministri i Financave dhe ai i Ekonomisë vëmendjen maksimale për të zbuluar shfaqet e kartelizmit, kudo që ato të kenë tendencë për tu krijuar, si pengesë madhore për qytetarët.
“Zoti Ministër i Financave dhe Ministër i Ekonomisë, të cilët duhet të zbulojnë shfaqet e para të kartelit, kudo që të ketë tendencë për tu krijuar, sepse ato u qëndrojnë si saç qytetarëve. Ne kemi vepruar drejt që jemi përqendruar totalisht në sektorin publik dhe sërish do të mbetemi të përqendruar pothuaj totalisht në sektorin publik , por nuk mund të injorohet më tej, nën dritën e zhvillimeve aktuale evropiane dhe botërore, sektori privat. Konventa e organizatës së kombeve të Bashkuara që ne e kemi ratifikuar është një dokument i shkëlqyer, e cila përcakton kuadrin e domosdoshëm ligjor për luftën kundër korrupsionit dhe në sektorin privat”, u shpreh Kryeministri.
...