Komisioni kuvendor i ligjeve nis diskutimin për projektligjin e ri për Avokatin e Shtetit, opozita kundërshton draftin

Komisioni parlamentar i Ligjeve ka diskutuar dje projektligjin e ri për Avokatin e Shtetit, i cili ka vendosur që duke filluar nga data 1 janar e më tej, të gjitha vendimet dhe aktet ligjore që do të hartojë qeveria do të bëhen me konsulencën e avokatit të shtetit. I pranishëm në mbledhjen e djeshme të Komisionit të ligjeve ishte dhe Eduart Halimi, avokati i Shtetit i cili deklaroi se “Me ligjin e ri nga data 1 janar e më tej, avokati i shtetit do të marrë pjesë që në momentin që do të hartohet akti ligjor, nuk do të ndodhë më që një akt i dalë nga administrata ligjore të jetë në kundërshtim me qëndrimin e avokatit të shtetit”. Më tej Halimi cilësoi se “Në asnjë rast mendimi i avokatit të shtetit nuk do të jetë detyrues për klientin e vet”. Ndërkohë nga ana e opozitës pati kontestime për zbatimin e këtij neni, pasi sipas saj cenohet pavarësia e avokatit të shtetit, pasi klienti mund të mos jetë dakord me atë që i propozon avokati. Lidhur me kontestimet e opozitës ka reaguar kreu i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali, i cili ka deklaruar se “Përsëri thoni, edhe pse kjo qeveri po bën këtë gjest që është shumë i çmuar prapë do bjeri në kundërshtim me këtë ligj. Qeveria tregon një vullnet ekstrem për të disiplinuar fushën”. Projektligji për avokatin e shtetit që po diskutohet në komisionin e ligjeve parashikon një reformim tërësor të kësaj strukture, ku avokatët veç faktit se do të përqendrohen pranë ministrive do të jenë të pranishëm edhe nëpër rrethe ku do të ndjekin çështje të ndryshme për gjykim. ...