Opozita, zëdhënëse e skafistëve, ngjallet vetëm pas tragjedive
Reagimi i Edvinit dhe i eksponentëve të tjerë të Partisë Socialiste, pas çdo fatkeqësie njerëzore është në linjën e akuzave boshe dhe të përpjekjeve për të nxjerrë përfitime politike nga vdekja. Morali i opozitës ka rënë aq poshtë, saqë lëshojnë thirrje ditën për diell për lejimin e skafeve, njëlloj si të jenë zëdhënësit e skafistëve dhe jo si përfaqësues të forcës kryesore opozitare në vend
Kryeministri Sali Berisha thellësisht i pikëlluar ju shprehu edhe një herë dje, ngushëllimet e tij më të sinqerta familjarëve të 4 viktimave për humbjen e njerëzve të tyre të dashur, në aksidentin tragjik të Butrintit. Ndërkohë, ai denoncoi reagimin e kreut të PS-së Edi Rama dhe zërave të tjerë opozitarë.
Zëdhënësja e Kryeministrit Juela Meçani, bëri të ditur dje para gazetarëve se, “Kryeministri Berisha që në çastin e parë të marrjes së njoftimit për përmbysjen e dy varkave në Butrint, ka ndjekur hap pas hapi të gjitha zhvillimet, është interesuar menjëherë për ndihmën mjekësore që u është dhënë të mbijetuarve, si dhe ka kërkuar nga autoritetet respektive që t’u gjenden pranë familjarëve të njerëzve të mbytur për të lehtësuar dhimbjen e tyre të madhe. Kryeministri Berisha ka ndjekur operacionin e kërkim-shpëtimit si dhe ka kërkuar veprimin energjik për gjetjen, identifikimin dhe vënien përpara ligjit të përgjegjësve për organizimin dhe realizimin e këtij akti kriminal me pasoja të rënda në të cilën humbën jetën 4 qytetarë shqiptarë. Deri tani janë arrestuar 6 persona me akuzën për kryerjen e këtij trafiku dhe po vazhdon kërkimi për disa të tjerë
Gjithashtu, Kryeministri ka urdhëruar vazhdimin e operacioneve të kërkim shpëtimit”, u shpreh zëdhënësja.
Më pas, ajo përcolli qëndrimin e Kryeministrit, për sa i përket qëndrimit të opozitës ndaj kësaj tragjedie.
“Reagimi i zotit Rama dhe i eksponentëve të tjerë të Partisë Socialiste lidhur me këtë ngjarje është në linjën e tyre të akuzave boshe dhe të përpjekjeve për të nxjerrë përfitime politike nga vdekja. Kjo është në moralin dhe të drejtën e tyre, pro ajo që është e papranueshme janë thirrjet e tyre për lejimin e skafeve njëlloj si të jenë zëdhënësit e skafistëve dhe jo si përfaqësues të forcës kryesore opozitare në vend. Me këtë rast, Kryeministri Berisha nuk mund të mos shprehë shqetësimin për interesa jo të pastra që fshihen pas thirrjeve të opozitës. Natyrisht, ai nuk pajtohet me to, sepse rikthimi i skafeve parakupton jo vetëm mundësinë e tragjedive më të mëdha në det, por ndëshkimin e Shqipërisë dhe të gjithë shqiptarëve për liberalizimin vizave. Dhe kjo nuk mund dhe nuk do të ndodhë për interesa të një grushti individësh për t’u pasuruar me veprimtari kriminale, apo të politikanëve që duan të ndajnë me ta trofetë e këtij trafiku”, u shpreh Meçani.
“Qeveria shqiptare angazhohet për një kontroll gjithnjë e më të mirë të kufirit dhe për plotësimin e të gjithë kritereve dhe standardeve që do të japin mundësinë e liberalizimit të vizave dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë në Bashkimin Evropian”, përfundon reagimi i zëdhënëses në emër të Kryeministrit Sali Berisha.
...