Berisha: Lustracioni, proces i pandalshëm, por sipas shtetit ligjor
Ligji i lustracionit do të zbatohet, duke pasur parasysh të gjitha detyrimet ligjore që kërkon shteti ligjor. Kryeministri Sali Berisha ka bërë të qartë dje se procesi i ndarjes nga e kaluara komuniste është i pandalshëm dhe i pakthyeshëm. Duke folur për mediat, kreu i mazhorancës tha se ligji i lustracionit do të zbatohet në bazë të të gjitha standardeve dhe rregullave të shtetit ligjor. Berisha tha se shteti ligjor është një kusht për vendin, por i tillë është edhe ndarja nga e kaluara komuniste. “Të jeni të bindur ju, se për forcën politike që unë kryesoj ndarja e Shqipërisë nga krimet kundër njerëzimit, të kryera nga sistemi komunist, është një proces i pandalshëm dhe i pakthyeshëm, është një proces jetik, por që do të kryhet në përputhje me të gjitha rregullat e shtetit ligjor. Por, ky është një proces i pandalshëm. Shteti ligjor është një kusht i këtij vendi, por, gjithashtu, kusht jetik është edhe ndarja nga ai kapitull, të cilin nuk po hyj ta trajtoj, por që shqiptarët përjetuan kohërat më të rënda që nga inkuizicioni e deri më sot”, - tha Berisha. Kreu i qeverisë shtoi më tej se në Kuvend ka mbërritur projektligji për ngritjen e Institutit të Memories. Ai tha se projektligji po studiohet dhe ka për t’u ngritur sa më parë. Berisha e cilësoi të domosdoshëm një institut të tillë, për kujtimin e krimeve që komunizmi kreu në Shqipëri. “Instituti i Memories po ngrihet, ligji ka shkuar në Parlament, do të studiohet dhe do të shqyrtohet. Ne kemi dërguar aty një ligj, i cili është i vonuar dhe jam plotësisht dakord me ju, meqenëse e shtroni në afat kohor, por problemi është se në këtë vend janë ende të pranishme mendësitë e mbrojtjes së krimeve kundër njerëzimit dhe parimeve barbare të luftës së klasave”, - tha Berisha. Kreu i mazhorancës kujtoi se Shqipëria bën pjesë në Konventën e Gjenevës, e cila detyron dënimin e çdo krimi shtetëror. Ai u shpreh se ngritja e këtij instituti do të ketë një qëllim parësor për paqen sociale dhe dënimin e krimeve kundër njerëzimit. “Ky institut do të ketë si një nga qëllimet më madhore, krijimin e një qëndrimi të drejtë dhe të ri që buron nga dokumente ndërkombëtare që i ka firmosur Shqipëria, siç është Konventa e Gjenevës, për dënimin e krimeve kundër njerëzimit, por që buron edhe nga vendosmëria e shqiptarëve për të ecur së bashku në respekt të njëri-tjetrit, në harmoni, në tolerancë, në mirëkuptim, në paqe sociale dhe këto kanë kusht “sin equanon” dënimin e krimeve të shëmtuara kundër njerëzimit”, - deklaroi kreu i qeverisë.
Berisha vlerëson shqiptarët që shpëtuan hebrenjtë gjatë luftës
Kryeministri Sali Berisha vizitoi dje ekspozitën në Galerinë Kombëtare të Arteve nga fotografi me origjinë hebreje, Norman Greshman, ku ekspozoheshin 70 foto nga jeta e hebrenjve në Shqipërinë e Luftës së Dytë Botërore. Ekspozita e quajtur “Besa”, tregon nga afër jetën e mijëra hebrenjve të shpëtuar nga shqiptarët gjatë Holokaustit. Kreu i qeverisë vlerësoi familjet shqiptare që dhanë këtë kontribut të rrallë, duke e cilësuar rolin e tyre si një nga faqet më të ndritura të kombit shqiptar. Berisha tha se në kohën kur hebrenjtë përndiqeshin, populli shqiptar tregoi vlerat më të mëdha njerëzore. “Siç e shihni, autori ka gjetur “Besën” si emërtim të ekspozitës së tij, virtyt, i cili gjatë Luftës së Dytë Botërore bëri që kombi shqiptar dhe shqiptarët, nën pushtim të thellë, të mbrojë në vatrat e tyre njësoj si anëtarët e familjes anëtarët e komunitetit hebre që ndodheshin në Shqipëri apo që erdhën në vendin tonë për t'i shpëtuar Holokaustit, këtij krimi më monstruoz në historinë e njerëzimit, ndjekjes, ekzekutimit, përdorimit të metodave më brutale, për shkaqe të mirëfillta racore dhe gjenetike”, - u shpreh Kryeministri, i cili falënderoi fotografin Norman Greshman për realizimin e kësaj ekspozite, e cila është hapur edhe në Jerusalem dhe po qarkullon në kryeqytete të tjera të botës.