E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama-Meta, replika për mosrealizimin e premtimeve



Edi Rama dhe Ilir Meta shkëmbyen dje replika të ashpra në distancë, duke i kujtuar njëri-tjetrit premtimet dhe detyrimet e pambajtura, i pari si kryebashkiak i Tiranës dhe i dyti si deputet i Skraparit. Ditën e djeshme, Rama dhe Meta kanë vizituar qytete të dy qarqeve, ku gjatë fushatës elektorale pritet të ketë përplasje të forta mes tyre, Fierin dhe Beratin, qarqe ku të dyja partitë kanë konkurrencë të madhe. Rama zhvilloi një takim me vullnetarë në qytetin e Skraparit, deputet i të cilit është Ilir Meta, duke i kujtuar disa premtime që s’i ka realizuar, siç është rruga e papërfunduar. Njëkohësisht Rama ka shprehur habinë se si është e mundur që Skrapari është një zonë kaq e varfër edhe pas 18 vjetësh, duke ia faturuar fajin Metës, i cili ka përfaqësuar përherë këtë zonë në Parlament. Nga ana tjetër, Meta në një takim në Lushnjë, i bëri thirrje Ramës që të mos u bëjë fshatarëve leksione se si bëhet mbjellja, por të rregullojë sheshin “Skënderbej” në Tiranë.

Replikat

Sulmet direkte dhe indirekte nuk sjellin më ndonjë surprizë dhe mënyra se kanë nisur të bëjnë fushatën dy partitë e mëdha, tregon se sa më shumë afrohet qershori, aq më e nxehtë do të bëhet situata mes Ramës dhe Metës. Megjithatë, të dy kanë zgjedhur strategji të ndryshme për të sulmuar njëri-tjetrin. Rama, ashtu si dje në Skrapar, e ka sulmuar indirekt Metën, pa e përmendur asnjëherë, duke vënë në shërbim edhe elemente të tjera si habia, ndërsa Meta nga ana e tij është i drejtpërdrejtë, nuk harron asnjëherë të përmendë emrin e kryesocialistit, duke e shoqëruar këtu edhe me tone ironie.

Mes të tjerave, kryetari i PS-së la të nënkuptohej se Ilir Meta e ka bërë monopol të tijin zonën e Skraparit, ndaj ai theksoi se “nuk kam ardhur këtu për ta ndarë, por për ta bashkuar Skraparin”. “Ju them qytetareve e qytetarëve të Çorovodës dhe Skraparit, se këto 10 kilometra të fundit të rrugës për të ardhur deri këtu, ne do t’i bëjmë. Këto pak kilometra janë fytyra e politikës së votuar 18 vjet me radhë prej jush. Por gjithashtu, do të ndërtojmë dhe rrugën për të dalë te 3 Urat”, - ishin premtimet e Ramës, për t’i kujtuar ish-aleatit të tij se çfarë ka premtuar dhe nuk ka realizuar. Ndërsa në Lushnjë, kreu i LSI-së e sulmoi Ramën për çështjen e bujqësisë, që duket se është një ndër pikat më të forta, ku do të fokusohen socialistët tek programi qeverisës, duke mos harruar edhe rolin e tij si kryebashkiak i Tiranës. “Mikut tim, Rama, do t'i thosha se përpara se të vish t’u tregosh lushnjarëve se si mbillet kastraveci dhe domatja, rregulloje atë Sheshin "Skënderbej" që është për faqe të zezë, që për 9 vjet si kryetar bashkie nuk e ke rregulluar. Sepse po të bësh qoftë vetëm pesë xhiro në këtë shesh, duhet ta çosh makinën në servis”, - deklaroi kreu i LSI-së. Të dy krerët e së majtës kanë nisur një tur paraelektoral në të gjithë vendin.

Edi Rama:

Ju them qytetareve e qytetarëve të Çorovodës dhe Skraparit, se këto 10 kilometra të fundit të rrugës për të ardhur deri këtu, ne do t’i bëjmë. Këto pak kilometra janë fytyra e politikës së votuar 18 vjet me radhë prej jush. Por gjithashtu do të ndërtojmë dhe rrugën për të dalë te 3 Urat”

Ilir Meta:

Mikut tim, Rama, do t'i thosha se përpara se të vish t’u tregosh lushnjarëve se si mbillet kastraveci dhe domatja, rregulloje atë Sheshin "Skënderbej", që është për faqe të zezë, që për 9 vjet si kryetar bashkie nuk e ke rregulluar. Sepse po të bësh qoftë vetëm pesë xhiro në këtë shesh, duhet ta çosh makinën në servis”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›