E Diel, 1 Nëntor 2026

Bilancet, rreptësohen rregullat e pasqyrimeve financiare



Ministria e Financave ka dërguar në Kuvend një projektligj të ri për “Auditimin ligjor dhe organizimin e profesionit të ekspertit kontabël”, ku ka parashikuar një sistem të ri investigimi dhe sanksionesh për të gjitha pasqyrat financiare. Ligji i ri është marrë nga standardet ndërkombëtare të auditimeve ligjore dhe parashikon një mori rregullash të reja në këtë fushë. Sipas projektit, parashikohet që të gjitha pasqyrat financiare të kalojnë në kontrolle të rrepta, duke lënë të kuptuar se bilancet nuk do të jenë më formale apo një punë rutinë. Projekti përcakton kritere të reja për marrjen e së drejtës për të ushtruar profesionin e ekspertit kontabël. Nga ana tjetër, projekti i ri ka përcaktuar se bizneset që kanë mbi 40 milionë lekë aktivitet, do të duhet të punësojnë të paktën dy kontabilistë për bilancin e kompanisë. Sipas projektligjit, parashikon që gjithçka të pasqyrohet në regjistra elektronikë, duke i dhënë mundësi çdo individi të kërkojë informacion financiar për cilindo subjekt privat, natyrisht duke iu përmbajtur konfidencialitetit sipas ligjit. Një ndryshim tjetër ka të bëjë edhe me konfliktin e interesit. Eksperti kontabël apo shoqëria e auditimit duhet të jetë e pavarur nga objekti, të cilit kërkohet t’i bëhet pasqyrim financiar. Eksperti kontabël nuk duhet të kryejë auditim nëse ekziston ndonjë lidhje e drejtpërdrejtë ose e tërthortë, si lidhje biznesi, punësimi apo financiare, atëherë puna e ekspertit nuk cilësohet si e pavarur. Një tjetër ndryshim ka të bëjë edhe me kontrollin e cilësisë. Parashikohet ngritja e një institucioni të veçantë, i cili do të jetë Komiteti i Disiplinës. Ky komitet do të kontrollojë pasqyrat financiare të ekspertëve kontabël. Në këtë projekt parashikohen që do të kontrollohen ekspertët kontabël në punën e tyre. Ekspertët e vjetër në profesion do të kenë një kontroll të përdyvjetshëm për punën e tyre, ndërsa ekspertët më të ri do të kontrollohen çdo vit për punën. Ndërsa masat ndëshkuese parashikohen që nga sanksionet financiare, por edhe në heqjen deri në 5 vite të së drejtës së profesionit. Projektligji parashikon se ky sistem i ri i cilësisë do të rrisë besueshmërinë e informacionit financiar të publikuar, si dhe investitorëve të ndryshëm. Një tjetër detyrim është që të gjithë ekspertët kontabël të përgatisin një raport vjetor në lidhje me bilancet e përgatitura, me qëllim rritjen e besimit dhe punës së auditimit. Bordi Mbikëqyrës do të jetë autoritet i pavarur, i përbërë nga persona të kualifikuar të fushës së kontabilitetit e auditimit, që nuk e ushtrojnë profesionin, por edhe me një pakicë me persona që e ushtrojnë atë. Projektligji parashikon një detyrim për auditim ligjor dhe do të shtrihet në të gjitha shoqëritë tregtare, që zbatojnë standardet ndërkombëtare të kontabilitetit dhe një kategori e shoqërive që zbatojnë standardet kombëtare të kontabilitetit, por që tejkalojnë kufij të caktuar të aktiveve, xhiros ose numrit të të punësuarve. Ky projektligj mundëson forcimin e mbikëqyrjes publike, si në fazën e përgatitjes e certifikimit të ekspertëve kontabël e të kontabilistëve të miratuar, ashtu dhe gjatë ushtrimit të profesionit.

Kontabilistët e rinj

Projektligji ka parashikuar rregullat e përgjithshme mbi të drejtën e ushtrimit të profesionit të ekspertit kontabël dhe shoqërive të auditimit. Kandidati për t’u bërë ekspert kontabël duhet të plotësojë kritere të përcaktuara për marrjen e certifikimit dhe të regjistrimit, ku përfshihen kritere për kryerjen e stazhit profesional me kohë të plotë apo të pjesshme për të paktën 3 vjet për auditimin e pasqyrave financiare individuale dhe të konsoliduara, kushtet e pranimit për kryerjen e tij, organin përgjegjës për certifikimin që është Autoriteti Certifikues, si dhe regjistrimin e kandidatit për ushtrimin e së drejtës të ekspertit kontabël. Kjo realizohet vetëm pas kalimit të testimit dhe 5 provimeve sipas fushave të specifikuara.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›