“Dosjet” në Kushtetuese, ende jo afat për shqyrtimin
Gjykata Kushtetuese ende nuk ka përcaktuar një datë konkrete për shqyrtimin e ligjit të lustracionit. Burime zyrtare pranë kësaj gjykate saktësojnë se institucioni po merret me ankesat, por ende nuk ka një ditë të caktuar që të nisë shqyrtimin e ligjit në fjalë. Të njëjtat burime saktësuan dje se tashmë janë bërë 4 kërkesa për shfuqizimin e këtij ligji. Krahas PS, Shoqatës së Prokurorëve dhe Komitetit të Helsinkit, është shtuar edhe Shoqata e Avokatëve, e cila ka kërkuar shfuqizimin e disa neneve në këtë ligj. Opozita kërkon shpalljen si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të ligjit nr. 10034, dt. 22.12.2008, “Për pastërtinë e figurës së funksionarëve të lartë të administratës publike dhe të të zgjedhurve”. Gjithashtu, Gjykatës Kushtetuese i kërkohet pezullimi i zbatimit të këtij ligji, që ka hyrë në fuqi prej fundit të janarit. Pas ankesës së bërë nga 36 ligjvënës të opozitës, ishte Komiteti Shqiptar i Helsinkit. Ky i fundit kërkon pezullimin e ligjit dhe e bazon këtë kërkesë në nenin 45 të ligjit nr. 8577, dt. 10.02.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të RSH-së”. Ankimimi i tretë i depozituar në Kushtetuese është bërë nga Shoqata e Prokurorëve, e cila konteston ligjin në 6 nene të tij. Shoqata e Prokurorëve në ankimimin drejtuar Gjykatës Kushtetuese e cilëson ligjin e lustracionit në kundërshtim me Kushtetutën.