“Kosova dhe e ardhmja e saj”, ballistët në simpozium
“Pavarësia e Kosovës dhe e ardhmja e saj” ishte tema e një konference të realizuar dje nga Partia e Ballit Kombëtar Demokrat në Tiranë. Në këtë konferencë, morën pjesë analistë, politikanë, si dhe mjaft figura të njohura të botës shqiptare. Kryetari i PBKD-së, Artur Roshi, theksoi se Shqipëria dhe Kosova duhet të unifikojnë vlerat e përbashkëta. “Shqipëria dhe Kosova duhet të bashkëpunojnë ngushtë me njëra-tjetrën në të gjitha fushat dhe duhet të unifikojnë të gjitha vlerat, për të mbyllur plagët e ndarjes njëshekullore”, - tha Roshi. Rreth kësaj teze kanë diskutuar edhe mjaft historianë të pranishëm në këtë simpozium, të cilët vlerësuan se e ardhja e të dyja vendeve është pashmangshmërisht e përbashkët. Shkrimtari Agron Tufa vlerësoi në fjalën e tij se kemi të bëjmë me një çështje shqiptare, e cila kërkon një zgjidhje imediate. “Nuk është vetëm çështja e Kosovës apo e shqiptarëve, edhe pse tani, më fort se kurrë ajo shfaq përmasat e vërteta të çështjes shqiptare në tërësi. Çështja e Kosovës është çështje e të gjitha shteteve ballkanike, euro-amerikane, ruse, aziatike, thënë më gjerë, është çështje e ndjeshmërive dhe ekuilibrave ndërkombëtarë”, - tha Agron Tufa. Historiani Uran Butka u përqendruar në historinë e problemeve shqiptare. Në veçanti ai përmendi konferencën e Mukjes, ku u vlerësua mjaft çështja shqiptare si një me atë të Kosovës. PBKD-ja nga ana tjetër vlerësoi rolin historik të liderit themelues së saj, Mit’hat Frashërit. “Simboli i luftës për mbrojtjen e interesave të Kosovës, Mit’hat Frashëri paralajmëroi rreth tetëdhjetë vjet më parë se komuniteti ndërkombëtar po bënte një gabim që do të duhej ta korrigjonte më vonë, dhe ashtu ndodhi. Pavarësia e Kosovës u arrit me ndihmën e aleatëve tanë ndërkombëtarë”, - tha Roshi.