E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëzimi i avionit në SHBA, Berisha mesazh ngushëllimi Obamës



Kryeministri i vendit, Sali Berisha, i ka nisur dje një mesazh ngushëllimi Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama, me rastin e aksidentit të rëndë ajror të ndodhur në Buffalo. Në këtë mesazh, Berisha i shpreh Presidentit amerikan ngushëllimet e tij dhe të qeverisë për tragjedinë e ndodhur. “I nderuar z. President Obama, me keqardhje të thellë mësuam për aksidentin tragjik të rrëzimit të avionit të linjës së pasagjerëve në “Clarence Center”, të Buffalo, si pasojë e të cilit humbën jetën pesëdhjetë qytetarë të vendit tuaj. Më lejoni që në këtë moment dhimbjeje të ndaj me ju hidhërimin për humbjen e jetëve njerëzore dhe t’ju shpreh, në emrin tim e të qeverisë shqiptare, por dhe në emër të të gjithë shqiptarëve, ngushëllimet dhe ndjenjat më të sinqerta të solidaritetit human, për këtë humbje të madhe për familjet e viktimave dhe për qeverinë e kombin tuaj. Në këtë moment të vështirë, të gjithë shqiptarët ndajnë me ju, me familjet e viktimave dhe me kombin mik amerikan dhimbjen për këtë humbje të rëndë dhe luten që shpirtrat e tyre të gjejnë paqen e amshuar. Shfrytëzoj rastin t’ju ripohoj, i nderuar zoti President, sigurimet e konsideratës sime më të lartë”, - thuhet në mesazhin e plotë të Kryeministrit Berisha dërguar Presidentit Obama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›