Berisha: Majko rrezikon të bëhet kurban se i qëndroi historisë Eva Gjura
Projekti i paraqitur për financim në qeveri nga Bashkia e Vlorës për “Rikonceptimin e Sheshit të Flamurit” në kuadrin e 100-vjetorit të Pavarësisë, është vlerësuar si një nismë shumë pozitive nga Kryeministri Berisha. “Unë dua të përgëzoj kryetarin e bashkisë së Vlorës, zotin Gjika. Uroj që shembulli i tij të frymëzojë edhe kryetarët e tjerë të bashkive e komunave. 100-vjetorin, ne e kemi parashikuar ashtu siç është, një festë mbarëkombëtare dhe një mundësi kontributi të qeverisë qendrore dhe asaj vendore, që ta festojmë në mënyrën më dinjitoze”, - tha Berisha. Në mbledhjen e qeverisë, ai ka ftuar autoritetet vendore që të kontribuojnë që, në kuadrin e festimeve për 100-vjetorin e Pavarësisë, të evidentojnë dhe nderojnë figurat dhe ngjarjet e shënuara të një shekulli histori. “Në të gjitha zonat, rrethet e vendit ka personalitet të mëdha, ka kontribute të mëdha, ka përpjekje të mëdha në këto 100 vite, ndaj le t’u shprehim atyre nderimin tonë më të thellë. Unë gjykoj se autoritetet lokale kanë një rol të pazëvendësueshëm”, - u shpreh Kryeministri. Duke u ndalur tek debati që po bëhet sidomos në kampin e majtë për qëndrimin e deputetit Majko, pro mbretit, Berisha u shpreh se, “Komisioni Qendror është marrë me disa aspekte të injoruara të historisë së vendit dhe jo për të ngjallur debate e kundërshti. Unë shoh se zoti Majko rrezikon të bëhet kurban i mbretërisë, për fajin e vetëm se bëri një deklaratë në përputhje të plotë me vendimet e parlamentit shqiptar për mbretin”. Berisha ka sqaruar më tej se, është parlamenti shqiptar, ai që ka vendosur referendumin dhe ka qenë në unison i gjithë spektri politik. “Ju garantoj se nuk do të kishte ndonjë deputet, të majtë, të qendrës apo të djathtë që do të votonte për t’i rikthyer të drejtën për të ardhur në pusht, një trashëgimie tradhtare. Kur ne votuam së bashku për referendumin dhe unë e dekretova atë, me një marrëveshje të të gjitha forcave politike, gjykoj se forcat politike bënë një hap shumë të madh përpara, në rivlerësimin e historisë së kombit të tyre”, - tha Berisha. Sipas Kryeministrit, opozita po përpiqet të gjejë armiq vetëm e vetëm se zoti Majko pati kurajën t’i qëndrojë historisë, i çliruar nga ngarkesa enveriste e saj. Për Kryeministrin, debatet brenda opozitës janë punë e tyre, ai ka ftuar bashkitë e komunat e vendit të bashkëngjiten në këtë periudhë, që ta festojmë këtë ngjarje, duke nderuar të gjithë ata, të cilëve u detyrohemi shumë. “E vërteta është se historia jonë 100-vjeçare nuk ka qenë e thjeshtë. Ajo ka qenë shumë e vështirë, çka do të thotë se patriotët, atdhetarët, ata që ishin promotorët e saj janë përballur me vështirësi shumë të mëdha, por i kanë kapërcyer ato dhe sot, Shqipëria është e pavarur dhe feston 100-vjetorin e saj”, - theksoi Berisha.