Rama: Do të heqim taksën e kohës dhe referencat Qamil Xhani
Pas takimeve me përfaqësues të biznesit të vogël dhe premtimin për heqjen e taksave, kreu i PS-së ka deklaruar dje se për biznesin e madh do të heqë referencat dhe taksën e kohës. Kreu i PS-së ka deklaruar se programi i opozitës për biznesin e madh synon të shmangë konkurrimin e pandershëm. “Ajo që ne jemi shumë të angazhuar për të rivendosur menjëherë është norma europiane lidhur me trajtimin e këtij biznesi. Nga ana tjetër, në tërësi për biznesin e madh, si gjenerator kryesor për ekonominë kombëtare, është heqja e taksës së korrupsionit, heqja e taksës së kohës, janë dy taksa që nuk llogariten në statistikat zyrtare, por janë dy taksat më të rënda për biznesin. Pastaj me radhë, heqja e referencave, shtimi i sigurisë për biznesin në raport me krimin dhe në raport me gjithë mjedisin e molepsur që vetëm e tkurr biznesin dhe vendosja e sipërmarrësit shqiptar në piedestal”, - tha dje Rama gjatë takimit me përfaqësues të biznesit të madh. Ndërsa në takimin me biznesin e vogël, Rama ka folur për uljen konkrete taksash dhe për vendosjen e taksës progresive, për biznesin e madh ka theksuar se do të hiqet taksa e kohës dhe do të krijohet një klimë më e përshtatshme. “Sipërmarrësi shqiptar përfundimisht duhet të çlirohet nga gjithë zinxhirët e frikës, nga gjithë zinxhirët që sot e mbajnë lidhur dhe tkurrur dhe do të kthehet në një figurë simbol për zhvillimin e vendit. Përndryshe, ky vend nuk ka asnjë gjasë të zhvillohet në mënyrë të qëndrueshme dhe të gjenerojë një aftësi për biznes, që pastaj të sjellë vende pune”, - u shpreh Rama. Ai u shpreh se biznesi i madh mban një pjesë kryesore e punësimit dhe të ardhurave dhe rënia në këtë sektor ka pasoja në gjithë ekonominë. “Rënia dramatike e punësimit e shoqëruar me humbje të vendeve të punës, siç e përshkruat dhe ju, është një konstante e vazhdueshme që duhet ndalur më çdo kusht. Është një rrënim i mëtejshëm që duhet ndalur me çdo kusht. Në qoftë se flasim për rilindje ekonomike, unë besoj që sipërmarrësit e mëdhenj janë një nga pikat kryesore për t’u mbështetur, por duke u dhënë mundësinë të punojnë të barabartë në garë. Duke u dhënë njëkohësisht mundësinë që të ndjehen pjesë e një vendi europian ku trajtohen sipas standardeve europiane”, - u shpreh dje kreu i PS-së.
Konkurrenca
Kreu i PS-së ka theksuar në fjalën e tij se gjatë viteve të fundit ka pasur një tkurrje të biznesit të madh duke fajësuar për këtë gjë qeverinë. “Ne jemi shumë të shqetësuar, sepse nga njëra anë ka një tkurrje dramatike të kapaciteteve dhe të gjenerimit të të ardhurave për veten dhe për shtetin në një pjesë dërrmuese të biznesit të madh, që vjen si rezultat i klientelizmit, i rënies së konkurueshmërisë, i korrupsionit”, - u shpreh Rama. Sipas tij, të dhënat ndërkombëtare për konkurrueshmërinë “janë dramatike, kemi humbur shumë shkallë, por, nga ana tjetër, në këtë biznes specifik ka një shqetësim shumë serioz për të gjitha ato çka thatë”.