Berisha: Malta ma ka një borxh

Jetmir Halilaj (PANORAMA SPORT)
Malta i ka një borxh Besart Berishës, sulmuesit të Kombëtares shqiptare. Kundër kësaj skuadre, ai pësoi një dëmtim të rëndë (këputi ligamentet e gjurit të djathtë) dhe u detyrua të qëndronte për një vit jashtë fushave të blerta. "Do të doja të shënoja në këtë ndeshje, por pa menduar për të kaluarën. Tani unë duhet të shoh përpara. Kam kaluar momente tejet të vështira, por tashmë nuk dua të mendoj më për to.", u shpreh Berisha për "Panorama Sport". Lojtari tashmë është rikthyer në formën e tij më të mirë dhe është optimist për të ardhmen. Ende nuk e ka të sigurt vendin e titullarit, por shpreson që të bindë trajnerin Ari Han se e meriton një vend në formacionin kuqezi. "Jam në formë të mirë dhe do të bëj gjithnjë maksimumin për të fituar një vend në formacion. Konkurrenca është e madhe, por kjo nuk më tremb", tha sulmuesi kuqezi, i cili shquhet për teknikën, shpejtësinë dhe gjuajtjet e forta. Kundër Suedisë të shtunën, ai u aktivizua në pjesën e dytë të ndeshjes dhe ndryshe nga herët e tjera, në këtë takim mbante fanellën me numër 17, të cilën dikur e ka mbajtur Igli Tare, ish-kapiteni i Shqipërisë. "Tare është një figurë e Kombëtares shqiptare dhe ka arritur shumë gjatë karrierës së tij. Unë do të përpiqem që në të ardhmen të eci po aq mirë sa ai dhe pse jo të arrij dicka më tepër, por për të realizuar këtë më duhet ende shumë punë. Ndoshta fakti që edhe unë jam biond, ashtu si Tare (...qesh), është një tregues se kam shanse të mira që të arrij në nivele akoma më të larta në të ardhmen". Besart Berisha aktualisht luan te klubi i njohur norvegjez i Rozenborgut, aty ku do të luajë deri në muajin janar në formë huazimi. "Në fillim shtypi sportiv në Norvegji e priti me shumë kritika kalimin tim te kjo skuadër, por kur shënova dy gola që në ndeshjen e parë, atëherë gjithcka ndryshoi dhe tani ndjej se kam përkrahjen e të gjithëve, sidomos të tifozëve. Ky ishte një fillim pozitiv për mua dhe shpresoj që deri në janar të eci me këto ritme", tha sulmuesi 23-vjecar, i cili shpreson që kur të kthehet te klubi i Bërnleit, të mund të japë kontributin e tij në këtë skuadër. "Te Bërnlei jam mirë dhe shpresoj që gjatë kësaj periudhe të arrij nivelet e duhura dhe të mund të jem protagonist gjatë fazës së dytë të sezonit në Championship", përfundoi futbollisti i përfaqësueses kuqezi. Kundër Suedisë, Berisha bëri një paraqitje të mirë për aq minuta sa ishte në fushë, pasi me kontrollin e tij të topit dhe me gjuajtjet nga distanca, arriti të mbante nën presion deri në sekondat e fundit mbrojtjen e ekipit kundërshtar.
2
gola ka shënuar Berisha me fanellën e Kombëtares shqiptare dhe një prej tyre ia shënoi pikërisht Maltës në miqësoren e gushtit të kaluar, ku kuqezinjtë fituan 3-0.
1
vit qëndroi jashtë fushave të gjelbra Besart Berisha, pas dëmtimit të rëndë që pësoi më 20 gusht të vitit të kaluar në ndeshjen miqësore kundër Maltës.
23
vjec është Berisha, i cili ka lindur në Prishtinë më 29 korrik të vitit 1985. Deri tani sulmuesi është aktivizuar me skuadrat e Borusias së Berlinit, Hamburgut, Alborgut, AC Horsens, Bërnleit dhe Rozenborgut.