Kuqezinjtë në kor: “E merituam barazimin”

Të gjithë në një mendim. Nga kapiteni Altin Lala e deri te Jahmir Hyka, zbulimi i ndeshjes. Nga Debatik Curri e deri të kapiteni i Marsejës, Lorik Cana. "E kemi merituar barazimin me Suedinë, presim fitoren me Maltën". E mërkura po vjen. Sërish në tempullin "Qemal Stafa".
Altin Lala: "Ishte një barazim i merituar. Të gjithë djemtë luajtën në grup. U treguam shumë të kujdesshëm. Po të tregoheshim pak më të qetë, edhe me mund të kishim shënuar. Deklarata e Melberg? Le ta bëjë eksperimentin në ndeshjen e radhës. Malta? Mendoj se do të jetë një ndeshje e vështirë".
Lorik Cana: "Morëm një rezultat të mirë me Suedinë, një skuadër mjaft e fortë. Luajtëm si një skuadër. E kemi merituar këtë pikë. Nuk duhet të harroj publikun e mrekullueshëm. Malta? Duhet të japim maksimumin, pasi vetëm fitorja është rezultati që na kënaq".
Ervin Skela: "Synimi ynë është që në fushën tonë të arrijmë gjithmonë rezultate të mira. Kishim dy-tri mundësi të mira për të shënuar. Malta? Nuk duhet nënvlerësuar asnjë kundërshtar. Duhet të marrim tri pikë medoemos. Kur fitohet është merita e të gjithë ekipit, jo vetëm e trajnerit e stafit teknik".
Arjan Beqaj: "E rëndësishme për ne është që e filluam me një rezultat pozitiv si Suedia. Nuk e shikoj asnjëherë lojën në mënyrë individuale. Tani duhet të përqendrohmi në ndeshjen me Maltën. Na duhet fitorja".
Klodian Duro: "Bëmë një paraqitje të mirë, luajtëm të gjithë si grup dhe në ndeshje të tilla duhet të vraposh shumë për të marrë një rezultat pozitiv. Malta? Mendoj se duhet më shumë përkushtim, sepse nuk ka ndeshje të lehta".
Debatik Curri: "Mendoj se e gjithë skuadra bëri një ndeshje të mirë. Arritëm të neutralizonim sulmuesit e tyre, të cilët njihen për potencialin që kanë. Besoj se kam bërë një paraqitje të mirë, por kjo falë lojës në grup. Debati me Ibrën? Janë gjëra që ndodhin shpesh, kur ka tension dhe dyluftime të ashpra".
Hamdi Salihi: "Jam i lumtur për rezultatin pozitiv. Nëse do të kisha shënuar do të ishte akoma më mirë. Dhamë gjithcka në fushën e lojës, të marrësh një barazim 0-0 kundër suedezëve nuk është e lehtë.
Jahmir Hyka: "Them se kjo ishte ndeshja më e mirë që kam bërë me Kombëtaren shqiptare, deri tani, por sigurisht që kam nevojë rë përmirësohem. Mendoj se ishte një fillim i mirë i këtij edicioni. Malta? Nuk do të jetë një ndeshje kalimtare, duhet të japim maksimumin".
Elvin Beqiri: "Ia dedikoj familjes këtë rikthim. Falë tyre arrita të rikuperohesha. Jam shumë i lumtur për rezultatin.
Armend Dallku: "Së pari jam i lumtur për rezultatin pozitiv. Kjo ishte një ndeshje e vështirë për mua, pasi pata një shqetësim në stomak gjatë pjesës së dytë. Ia dolëm mbanë të gjithë së bashku. Mendoj se bëra një ndeshje të mirë".
Kristi Vangjeli: "Ishte ndeshja e parë në grup, të cilën e kaluam me sukses. Dua të falënderoj publikun. Përballë kishim një sulmues të madh si Ibrahimovic, por i morëm të gjitha masat për ta mbuluar".
Besart Berisha: "Barazimi na kënaq. Ndeshja ishte e vështirë. Besoj se skuadra diti të manovrojë si duhet. Prisja më shumë minuta për t'u aktivizuar. Jam i kënaqur që trajneri më dha mundësinë për t'u aktivizuar. Malta? Duhet të marrim patjetër tri pikët".
Erjon Bogdani: "Skuadra luajti shumë mirë dhe jam i kënaqur me barazimin e marrë ndaj suedezeve. Dua të sqaroj se nuk kam asnjë problem me trajnerin Ari Han rreth aktivizimit tim apo jo në formacionin e parë. Unë jam pjesë e skuadrës dhe shpresoj të luaj në ndeshjet e ardhshme".
* Deklaratat jane dhene ne gazetat sportive shqiptare: "Sporti Shqiptar", "Sport Ekspres", "Panorama Sport" e "Metropol Sport"