E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Masa të rrepta ndaj mafies ekonomike

Në mbledhjen e fundit të Komitetit Këshillimor për Masat Kundër Krimit të Organizuar, Kryeministri Berisha u shpreh se "me hyrjen në fuqi të ligjit të ri antimafia, ky komitet nuk do të ekzistojë më, por do të krijohet një këshill i përbërë nga ekspertët më të mirë, që do të këshillojë qeverinë mbi zbatimin me korrektesë të ligjit të ri antimafia". Ligji antimafia ka zgjeruar kufijtë e veprimit, tha Kryeministri, duke siguruar se vendosmëria e qeverisë për të luftuar krimin e organizuar dhe mafian duhet të njohë nivele të reja. Në këtë stad të luftës kundër krimit të organizuar, policia duhet të ketë një shkallë më të lartë ekspertize, ndaj Kreu i Qeverisë kërkoi që të krijohet hapësira ligjore për të rekrutuar ekspertë të niveleve më të mira, qofshin këta edhe civilë. Kryeministri veçoi rolin e Prokurorisë, Shërbimit Informativ dhe agjencive të tjera të luftës kundër pastrimit të parave. Gjithashtu, sipas tij, "një rol shumë të rëndësishëm kanë shërbimet e noterisë, që duhet të vihen mbi bazat më  transparente, si themelet e dokumentacionit". Për një betejë të suksesshme dhe me zero tolerancë ndaj krimit të organizuar dhe mafies, Kryeministri u shpreh se "të gjitha masat e marra duhet të shihen në një plan të dyfishtë, në drejtim të liberalizimit të vizave dhe sigurisë së qytetarëve shqiptarë". "Masat e marra kanë të bëjnë me përmbushjen me seriozitetin më të madh të të gjitha kërkesave të domosdoshme për heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë dhe kjo është një qëllim imediat, por qëllimi më themelor është për të mbrojtur jetën dhe veprimtarinë e qytetarëve shqiptarë nga mafia", tha Kryeministri.Sipas tij, "mafia është një organizim sa kombëtar, aq edhe ndërkombëtar dhe kjo kërkon një intensifikim të madh të bashkëpunimit me institucionet e zbatimit të ligjit të vendeve partnere, si dhe kompletimin e gjithë kuadrit ligjor". Duke theksuar se ekonomia është fuqia kryesore e mafias, Kryeministri Berisha kërkoi vendosjen e një regjimi më të rreptë në burgje, ndaj eksponentëve të mafies, të cilët, sipas tij, "në disa raste komandojnë nga burgjet klanet e tyre". Kryeministri siguroi se "do të vendoset një regjim i rreptë, duke respektuar të drejtat bazë kushtetuese".                                                                                              

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›