E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Masat antiazil pas heqjes së vizave

Qeveria përgatit strategjinë për vizat. Fushatë promovuese që të mos kalohet 90 ditëshi brenda zonës Shengen

Shqipëria do të monitorohet nga Bashkimi Europian pas heqjes së regjimit të vizave në vendet Shengen. Kryeministri Sali Berisha, një ditë pas kthimit nga Brukseli, ka mbledhur ekipin e tij më të ngushtë për të gjetur strategjitë e duhura se çfarë duhet të bëjnë institucionet shqiptare që pas liberalizimit të vizave shqiptarët të mos kërkojnë azil në vendet e Bashkimit Europian. Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, zv.ministrja e Jashtme, Edith Harxhi, ministri i Mbrojtjes, ministri i Drejtësisë, drejtori i përgjithshëm i Policisë dhe Prokurorja e Përgjithshme kanë qenë dje në selinë e Kryeministrisë për mbledhjen ndërinstitucionale për masat kundër krimit të organizuar, trafikut dhe terrorizmit.

Masat kundër azilit

“Komitetit i shtohet si veprimtari edhe çështja e të rikthyerve, e cila përbën edhe kjo një problem. Për fat të keq, kjo ndodhi me shqiptarët. E organizuar apo jo, këtë nuk mund ta them, por ata që kërkuan azil, pas liberalizimit të vizave me Maqedoninë e Serbinë, ishin shqiptarë”, tha Kryeministri Berisha. Kreu i qeverisë, duke theksuar se projektorët e Bashkimit Europian do të drejtohen drejt Shqipërisë, kërkoi nga ministrat e tij të bëjnë fushatë promovuese lidhur me parandalimin e azilit. “Do të hiqen vizat, por pyetja e tyre është si do reagojnë qytetarët shqiptarë. Për këtë, është bërë një fushatë promovuese, gjykoj shumë e mirë, por është e domosdoshme që kjo fushatë të jetë më intensive”, tha Berisha, duke shtuar se nuk votojnë kombet për heqjen e vizave, por qeveritë e vendeve anëtare të BE-së.

“Po të bëhej me referendum, vizat nuk do të hiqeshin, sepse ka ndrojtje se mos u shtohet kriminaliteti dhe ndrojtje të tjera. Ndaj dhe ne duhet të bëjmë çdo gjë, që momenti i vendimit të pritet me dinjitet nga shqiptarët”, tha ai. Sipas Berishës, strategjia e trajnimit të të rikthyerve duhet të ketë një fushatë të gjerë promovuese. Sipas tij, në mënyrë absolute çdokush do të rikthehet, përtej 90 ditëve nuk do të mund të qëndrojë në asnjë vend dhe për këtë, qeveria do të përgatisë të gjitha kapacitetet.

Krimi i organizuar

Vendosja e regjimit të heqjes së përkohshme të vizave për 90 ditë, shton edhe më shumë obligimin e institucioneve të sigurisë
për ta përballuar me sukses luftën kundër krimit të organizuar.
Kryeministri kërkoi që të bashkëpunohet ngushtë me doganat dhe tatimet. “Ky memorandum, që është nënshkruar midis Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Financave dhe Prokurorisë së Përgjithshme, duhet të mishërohet në një veprimtari konkrete, të vazhdueshme. Me nismën e prokurorisë janë në shqyrtim rreth 50 çështje që përfshijnë harkun kohor nga 2007-a e deri më sot, për asete krimi dhe kjo është shumë pozitive. Në të vërtetë, Gjykata e Krimeve të Rënda i ka vendosur sipas ligjit rastet e dërguara”, veçoi Berisha.

Pastrimi i parave

Një problem po del gjithnjë e më shumë si problem kryesor jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për mbarë Europën dhe botën, ai i larjes së parave. “Pas 11 shtatorit, çështja e larjes së parave është bërë çështje kryesore në luftën kundër krimit të organizuar. Kusht themelor për të luftuar terrorizmin dhe krimin e organizuar është të ndjekësh paratë e tyre, para se ato të kthehen në asete të tjera”, theksoi Berisha. Gjithashtu, qeveria ka miratuar një seri vendimesh për sa u përket pronave të konfiskuara, por ka shumë rëndësi zbatimi me rigorozitet i këtyre vendimeve.

Kanabisi

Qeveria vazhdon betejën me personat që mbjellin kanabis. Kryeministri kërkoi nga Ministria e Brendshme dhe policia që të mos arrestohen vetëm shoferët që transportojnë kanabisin, por edhe kultivuesit e tyre. “Edhe kultivuesit, edhe kryetarët e komunave, edhe kryeplaku, që të gjithë të vendosen para ligjit. Nëse gjendet në territorin e tyre kanabis, ata duhet të vendosen para ligjit. Kjo është rruga më e sigurt për zbulimin dhe parandalimin e mbjelljes së tij, sepse deri tani janë arrestuar shoferë, është arrestuar edhe një kryeplak në Pukë, ku është bërë shumë mirë, por ka edhe kryepleq të tjerë, të cilët duhet të përballen me ligjin për këtë çështje”, theksoi Berisha.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›