Hapet linjë e re demontimi në uzinën e Mjekësit
Në uzinën e lëndëve plasëse të Mjekësit në Elbasan, është inauguruar dje fillimi i punimeve të punës së linjës së demontimit të predhave të mortajës 120 mm. Në këtë inaugurim ka marrë pjesë zv.ministri i Mbrojtjes, Ekrem Spahia, shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral Maksim Malaj, gjeneral Xhemal Gjunkshi etj. Drejtori i uzinës së lëndëve plasëse në Mjekës, Danjel Karanxha, tha se “në këtë linjë do të shkatërrohen në dy faza, deri në fund të vitit 2013, 11027 tonë predha mortaje. Gjithashtu së shpejti do të hyjë në funksion edhe linja për asgjësimin e minave prej bakeliti, e cila do të demontojë 2112 tonë”. Po sipas Karanxhës, këto dy linja do të shoqërohen në muajin janar të vitit 2011 nga një linjë e re, e cila do të bëjë demontimin e predhave unitare të artilerisë të kalibrit 75 deri 152 mm, me një sasi totale prej 7127 tonësh. Përfundimi i këtyre linjave e kthen uzinën e lëndëve plasëse të Mjekësit në uzinën më të rëndësishme ushtarake, ku kryhet rreth 67 për qind e demontimit kombëtar në rrugë industriale. Zv.ministri i Mbrojtjes, Ekrem Spahia, tha dje se deri në fund të vitit 2010 në këtë linjë do të demontohen 1500 tonë predha të tilla. “Në muajin gusht do të vijmë përsëri në Mjekës për të përuruar edhe linjën e demontimit të linjave kundërtank, ku kapaciteti i demontimit do të jetë 800 tonë në vit”, tha Spahia. Uzina e lëndëve plasëse të Mjekësit ka një përvojë të pasur në fushën e demontimit. Krahas këtij procesi, uzina ka kryer dhe kryen prodhim lëndësh plasëse për nevoja civile, si amonit, amfo etj., duke përdorur në to edhe elemente të dala nga demontimi.
#