Nuk tundet Edvini - interesat e mia, më të rëndësishme se jeta e 10 deputetëve

Cinizëm i pashoq i kreut të PS-së, i cili porosit deputetët e klanit të vet që të shpejtojnë me miratimin e Kodit të ri Zgjedhor dhe përjashtimin e njerëzve të Metës nga përfaqësimi opozitar. Kjo alternativë mbetet si rruga e vetme që ai të konfirmohet si opozita kryesore në vend, qendrim që do të mbahet edhe ditën e hënë, kur 10 deputetët grevistë do të futen në fazën ku mjekët nuk japin dot më garanci për jetën e tyre
Deputetët grevistë të LSI dhe PDK, kanë hyrë në ditën e pestë të grevës, teksa nuk duket asnjë mundësi, që kjo situatë të ndryshojë dhe politika në vend bashkë me Kuvendin, t’i rikthehen normalitetit. Kjo krizë e shkaktuar ditët e fundit, kryesisht si një shenjë proteste ndaj zgjedhjes së anëtarëve të komisioneve të administrimit zgjedhor, duket se do të zgjasë pa ndonjë afat konkret.
Po spikat një mungesë e theksuar përgjegjshmërie nga ana e Partisë Socialiste, e cila si parti opozitare dhe si parti që ka pasur një impakt të drejtpërdrejtë në reformimin e sistemit zgjedhor në vend, po mban një qëndrim krejt absurd, mospërfillës dhe njëherësh të papranueshëm ndaj deputetëve, të cilët prej pesë ditësh ndodhen të ngujuar në ambientet e Kuvendit të Shqipërisë, në shenjë proteste ndaj zgjedhjes së anëtarëve të komisioneve të administrimit zgjedhor. Edhe një ditë, pasi në sallën e parlamentit u konfirmua neglizhenca e Edvinit për fatin e deputetëve të LSI-së, Erion Braçe ka konfirmuar se interesat e Partisë Socialiste janë mbi mbi fatin jetik të 10 deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë. Ende s’ka asnjë shpresë që socialistët të çelin dritën jeshile që njëri nga anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve si dhe komisionet e tjera të linjës t’i përkasin LSI-së, si partia e dytë më e rëndësishme në opozitë. Sipas projektit që do të diskutohet në Kuvend në fillim të javës së ardhshme, duket se edvinistët kanë vendosur që anëtarin e tretë të opozitës t’ia taksin përfaqsuesit të PSD-së; pra me fjalë të tjera, një edvinisti të tretë. Përfaqësuesit e qeverisë thonë se i kanë duart e lidhura dhe deklarojnë se s’mund të lëvizin nga projekti i miratuar në Komisionin e Ligjeve, duke e klasifikuar “aferën” si një çështje që mund të gjejë zgjidhje vetëm pas një dialogu brenda së majtës. Por Edvini nuk tundet, margjinalizimi i LSI-së është jetik për interesat e klanit të PS-së, por ende s’është e qartë qendrimi që do të mbahet prej tyre të hënënë, kur në Kuvend të nisë diskutimi i Kodit Zgjedhor, në të njëjtën kohë kur grevistët do të jenë futur në ditën e tetë të grevës së urisë, pra në pozicionin ku gjithçka merr një rrezik të ri, e afërmendsh edhe përgjegjësia do të jetë e ndryshme për të gjitha palët.
Partia Socialiste dhe Edi Rama, duhet të jenë më luajalë në qëndrimin e tyre ndaj çështjes së reformës zgjedhore dhe kryesocialisti të mos e shohë atë si një çështje monopol, për llogari të vet, që vetëm ai ka të drejtën e draftimit dhe të vendimmarrjes. Partia Socialiste dhe Partia Demokratike, si dy partitë kryesore në vend, gëzuan të drejtën e pasjes së reputacionit dhe impaktit në reformimin e Kodit Zgjedhor, por që partia në pushtet vendosi të presë çdo propozim të opozitës për reformën zgjedhore. Dhe në këtë kuadër, greva e të majtëve është përtëritja e krizës së opozitës dhe mungesës së vizionit dhe perspektivës politike të lidershipit opozitar, Edi Rama. Megjithatë, të dyja palët janë të vendosura dhe kanë shuar polemikat, deputetët grevistë s’kanë dhënë asnjë shenjë për tërheqje por nga ana tjetër edhe partitë e mëdha janë të vendosura për të miratuar kodin e ri zgjedhor, që sipas të dhënave reale, do të miratohet javën e ardhshme.
...