E Diel, 1 Nëntor 2026

Petullat me ujë të Edi Ramës

15-07-2013 / Nga Kostaq Xoxa

Zëvendësimi i premtimeve me politikën antiglobaliste

Premtimet e atyre që nuk po u durohet që të marrin qeverisjen e vendit para kohe, do të bëhen një kafshatë që nuk kapërdihet, siç mund të parafrazohet një poet i kohës së Mbretërisë. Për shembull, spitalet pa pare! Meqë ishte një premtim elektoral, tani ia kanë lënë 2017-s, domethënë kalendave greke! Prandaj kandidati për kreun e PD-së, Lulzim Basha,  ka thënë se “opozita dhe çdo qytetar shqiptar ndjehen të mashtruar nga Partia-Shtet”. Kjo Parti-shtet, tanimë, e ka bërë kandidatin tjetër për vendin e kryetarit në PD, Olldashin, të tregojë njëra nga detyrat që do t’i shtrohen për t’iu kundërvënë qeverisjes së ardhshme: “Të çmontohet ish-.partia e PP. Ka vetëm dy pole: PD dhe PP”. Për të parë petullat me ujë, nuk duhen kërkime të shumta: Do të mjaftonte “Kurbani”. Ky titull nuk dihet sesi e përligj përmbajtjen e librit të rrenave.  Sepse e vërteta i është bërë kurban pikërisht gënjeshtrës. Sapo doli libri, doli vrik edhe replika publike, e kolonel Mit’hat Avarit, i cili e nxori këtë  libër (të shthurur për kah standardi gjuhësor) si edhe autorin e tij, plagjiar, meqë E. R. përvetëson autorësinë e prishjes së ndërtesave pa leje buzë Lanës, ndërsa Edi, si kryetar bashkie, kishte vetëm përgjegjësinë e rregullimit të barit të Parkut Rinia! Koloneli nuk mund ta pranonte këtë gënjeshtër të autorit të librit, sepse detyrat ishin caktuar nga kryeministri i kohës, pra kishte një dëshmitar që mund të saktësonte replikën. Por gënjeshtra që bie poshtë për turp e për faqe të zezë, pa pasur nevojë për dëshmitarë, është ajo sesi mund të vihej, sa hap e mbyll sytë, siguria e rendi me anë të shndërrimit të Tiranës nga ana e kryetarit të bashkisë Rama, në atë kohë, në një qytet me ndriçim e me fasada të lyera për bukuri! Në faqen 84 të librit “Kurban”  nis rrëfimin para një dyqani të rr. Muhamet Gjollesha, ‘rruga e fëmijërisë së Edit’. Bëhet fjalë për një pallat përbrenda “M. Gjolleshës”, ku banonte E.R, dhe mori fill ajo fabula e “karameleve të ‘Saliut’ që nënkuptonte plumbat (!) te dritarja e ankuesit”,  me synimin që të vihej në dispozicion të kryetarit të bashkisë, një makinë e blinduar, antiplumb, fuori seri (!), meqë Edi na paskësh qenë i rrezikuar! Ajo mania për protagonizëm e Kolonel M. Havarit, shprehet edhe te kjo rrenë, e cila më vonë u mbartej të tjerëve. Pikërisht doktorit katragjysh( !), që kishte vënë jelek antiplumb, kur Dr.Berisha dilte në miting me një këmishë transparente!
Hej dreq, - sesi po kalojmë episod pas episodi! Nëse doktori e ruante veten me jelek të tillë, Edi na e çon kujtesën tek ai atentati kundër Dr. Berishës me atë granatën e dorës, që – për fat – nuk plasi. Fatmirësisht, se do të vriteshin edhe njerëz të pafajshëm (se doktori ishte i fajshëm!). Ndërsa Ramës nuk i ishte bërë asnjë atentat, se korbi korbit nuk ia nxjerr sytë! Rama, në broçkullat e tij, nuk ka parasysh se komunistët janë ustallarë për atentate, që pas Mukjes, veçanërisht, ndërsa ballistët ndaloheshin nga kryetari i tyre që të bënin krime të tilla prapa shpine, se ‘janë vëllezërit tanë!’. Duke iu rikthyer faqes 84, në rr. M. Gjollesha, shkojmë te një tregtar, që po montonte vetratën e posaardhur “dhe në tokë dergjej fasada e vjetër e dyqanit, një skelet hekurash të trashë e të ndryshkur”. – Përse po e hiqni tamam sot (skeletin e trashë e të ndryshkur) - e pyeta. - Sepse tani rruga është e sigurt, trotuari mbaron shpejt e duam të jemi gati! - m’u përgjigj fqinji i vjetër”. “Nuk më tha as e re, as e pastër, as e bukur, por e sigurt (!). E kuptova psenë, por vazhdova ta ngacmoj: - E pse më e sigurt, kanë sjellë më shumë policë? – Jo, mër lal, - ma ktheu, - ç’a policësh?! Është më e sigurt, bojna, drita, pemë, ka lezet!”. Në fakt, siguria ishte psikologjike, vinte nga mjedisi i ndryshuar, i ndriçuar natën, i këndshëm estetikisht”. Në vazhdim  vjen kulmi i budallallëkut. Ta shohim, konkretisht: “Pak vjet më vonë pashë, falë një gazetareje gjermane që kishte zbritur në qytet sepse po bënte një reportazh për kriminalitetin urban të kryeqyteteve të Europës, se Tirana e kishte, sipas të dhënave të mbledhur prej saj ndër më të ulëtit kriminalitetin vitin e fundit, e kjo e kishte habitur gazetaren, që Shqipërinë e dinte ende vendin ku kërciste kallashnikovi e goditja me armë në dorë në çdo rrugë. Po kur pashë ngjyrat  ... e kuptova menjëherë se nga ka ardhur”(!). Ç’është kjo gazetare, sikur të ishte e dërguar nga Papandreu apo nga Ajala, që të lozte rolin e së habiturës? Përse nuk na i thotë edhe emrin e mbiemrin e asaj propagandisteje të Ramës? Se Rama ka mbetur, tani, veç me ata të dy që u përmendën, tri parti, bashkë me tonën. Për qartësi të lexuesit Papandreu,  Ajala dhe E. Rama kanë mbetur mënjanë në majtizmin e Europës, “E majta internacionale”; kurse e majta demokratike, e quajtur “E majta e Progresit”, përbën morinë dominuese në partitë e së majtës, në BE. Pra, kriminaliteti na u zhdukërka në vendin tonë, me anë të ndriçimit dhe të ‘bojnave’! Sa për ngjyrat, përgjigjen e ka dhënë poeti, shkrimtari, esteti dhe arkitekti Petraq Kolevica, në një shkrim në gazetë, në të cilin e ndjen veten të skandalizuar me ato ngjyrat me blu skuro, gati në të zezë, në Pallatin e Kulturës Ali Kelmendi, ngjitur me Estradën. Z. Kolevica përmendi edhe ndërtesa të tjera, të zhgërryera në të kuqe të ndezur, që të mos përmendim edhe atë ‘Pallatin me shigjeta’, nga një bojaxhi i dorës së fundit, që i kishte bërë shigjetat shtremba-shtremba...
Akoma s’e ka të qartë Rama se ka lënë 250 km rrugë si mo’ Zot, që s’i rregulloi dot për 11 vjet, ndërsa L. Basha po i përfundon për dy vite? Qendra e Tiranës, e rrethuar nga ministritë, ishte lënë në grumbuj dheu; ndërsa rreth e përqark ministrive, rruga qendrore e kryeqytetit, ishte lënë gropa-gropa, që paralizonin qarkullimin e mjeteve rrugore, nga frika e shoferëve se mos nxirrnin jashtë përdorimit amortizatorët! Për t’i rënë shkurt fare, Tirana e Ramës do të duket si fshat para qytetit modern të L. Bashës, me lulishte gjithandej dhe me planin rregullues që do ta shndërrojnë Tiranën në një qytet europian! E. Ramës do t’i mbeten vetëm megalomania dhe marrjen në koalicionin e të tij të katër partive, dy të PP-së dhe dy të PK-së. Njëri ndër krerët e këtyre partive të fundit, iu vërsul ashpër Ramës se, edhe i mori në koalicion, edhe i tha kryetarit, privatisht, që të tijtë të votonin për 29-n! – Po unë kam partinë time! – Po, veçse unë të pranova në koalicion! Kjo ishte quajtur batakçillëk, edhe nga i ndjeri Hysni Milloshi, që i tha publikisht Ramës: “Mua votat m’i vodhe ti, jo Berisha!”.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›